Filma

Ocean’s Eight (2018) – Recensim

Ndonëse nuk jam fans i madh i Cate Blanchett, harmonia e saj me Sandra Bullock, edhe pse jo aq natyrale, ishte e durueshme në fillim. Pastaj shfaqet Anne Hathaway e cila duket sikur është kthyer në zanafillën e saj artistike. Nuk më kujtohet kur e kisha parë për herë të fundit – diçka gati e zakonshme me fitueset e Oskar të cilat më pas duket se kanë krizë identiteti se në çfarë rruge për të vazhduar pas ‘majës’ së karrierës.

Ende, filmi mbetet i durueshëm.

Dhe pastaj shfaqet Rihanna, dhe vendos të ndalësh filmin dhe të vazhdosh të bësh çfarëdo që je duke bërë pasi është më pak humbje kohe. Këtë do të duhej ta bënte një filmdashës i rregullt. Kritika e filmit nuk përfshinë vetëm shikimin e filmave të mirë, dhe postimin e një fjalie me një foto ‘joshëse’ nën. Duhet të qëndrosh edhe mbi 2 orë para një gjëje që të çan nervat, dhe më e keqja të shkruash për të. Në këtë rast ‘Ocean’s Eight’!

E di që nuk është film direkt dedikuar demografisë në të cilën bëj pjesë unë. Megjithatë, ‘Ocean’s Eight’ le shumë për të dëshiruar nëse provojmë ta krahasojmë me filmat tjerë të kësaj franshize. Duket të mbetet si një tentim i dështuar (pseudo)feminist, me një ansambël aktoresh të zgjedhura për shkak të famës më shumë se sa për aftësitë e tyre të aktrimit për rolet që kanë në këtë film. Më e keqja tek filmat aksion është tentimi për të vendosur aty-këtu ndonjë shaka, e cila dështon keq sikur këtu, ngjashëm si misteri dhe adrenalina që provon të japë në momente të caktuara gjatë zhvillimit të tregimit.

Nuk është film i keq, është punuar në skenar, por përzgjedhja mbetet problem im kryesor. sigurisht që është film për femra, por edhe ato dyshoj që do ta pëlqejnë. Sidomos nëse provojnë të shikojnë me të dashurin, burrin, a çfarëdo termi kosmoplitan që po përdoret tani. Nota personale: 2/5