Opinione

Oskarët 2014 – Befasitë, injorimet, favoritët

Dhe vjen përsëri ajo periudha e vitit kur kinematografia zgjedh më të mirët e vitit të kaluar. Oskarët, SAG-ët, BAFTA-t, e shpërblime tjera, por gjithçka duke nisur nga Golden Globes dominojnë çerekun e parë të vitit përkrah festivaleve si Sundance e Berlinale. Kjo është arsyeja pse filmat e parë, bllokbusterët nisin të shfaqen vetëm në prill-maj.

Të nominuarit për Oskarët e sivjetmë tashmë janë publik. Si zakonisht befasitë për të mirë e për të keq nuk munguan. Por, le të nisim nga ata që u injoruan me apo paqëllim nga Akademia. Të përmbledh shkurt – Tom Hanks, Robert Redford, Emma Thompson, The Butler, Monsters University 2, Rush. Të mos shohësh Tom Hanks as në kategorinë për aktorin më të mirë në rol kryesor (Captain Phillips) as për aktor dytësor (Saving Mr. Banks) është afër turpit. Është më turp se sa gjysma e ‘The Wolf of the Wall Street’. Në fakt ky film i Scorsese është më shumë i pistë se sa i turpshëm. Nuk di çfarë kërkon tek Oskarët kur do të duhej të ishte në garë për shpërblimet e filmave për të rritur, ndoshta.

Tom Hanks shkëlqen si kapiteni i anijes së vjedhur në filmin biografik ‘Captain Phillips’. Sidomos pjesa e fundit kur vihen në pah emocionet e karakterit të tij, shfaqet mrekullia prej aktrimi që vetëm një aktor i kalibrit të tij di të bëj. Hiç më pak i mirë nuk është as tek ‘Saving Mr. Banks’. Harmonia në skenë me Emma Thompsonin, dhe portretizimi i përkryer i Walt Disney meritojnë një vend në kategorinë për aktorin më të mirë në rol dytësor. E ngjashëm edhe mungesa e Emma Thompson është mëkat, edhe pse kategoria për aktoret në rol kryesor ishte mjaft e populluar. Por, një veterane e tretë vetëm sa do të ngrite cilësinë dhe vlerën e Oskarëve.

Robert Redford është vet filmi ‘All Is Lost’. Është aktori i vetëm që kalon tërë kohën e filmit përpara kamerës. Një film pa dialog ku flasin emocionet dhe zërimi perfekt i çdo skenë nën regjinë e J.C. Chandor, sjellin një ‘Life of Pi’ pa efekte dhe shumë më realist. Redford ndoshta vjen edhe me rolin e karrierës së tij, dhe megjithatë injorohet nga Akademia që pëlqejnë më shumë një karakter arrogant të Di Caprios.

Por, injorimi më i madh i është bërë filmit ‘The Butler’. Përkundër pak përshtatjes së skenarit me jetën reale të shërbëtorit më të njohur të Shtëpisë së Bardhë, filmi sjell një histori emocionuese familjare duke u lidhur në njërën nga periudhat më të vështira të SHBA-ve moderne. Oprah Winfrey po që aktron për mrekulli, por, Forest Whitaker është i mahnitshëm. Edhe ky ka merituar të jetë i nominuar para shumë kandidatëve tjerë për aktorin më të mirë.

Injorim tjetër ishte mos nomimi i ‘Monsters University’ në kategorinë e filmave të animuar. Më pëlqejnë të përzgjedhurit në këtë kategori, por sigurisht ka pasur vend edhe për ‘Monsters University’. E ‘Rush meritonte shumë më tepër se nga aspak që mori kësaj radhe. Daniel Bruhl shkëlqen, skenari është fantastik, sidomos kur bazohet në ngjarje të vërtetë, e as regjia nuk mbetet mbrapa. Megjithatë asnjëra nuk mjaftojnë për Akademinë, ngjashëm si ‘Her’ që gjithashtu nuk vlerësohet edhe për regji, skenar, e aktrim të Joaquin Phoenix.

Por, le ti hedhim një sy të nominuarve. ‘American Hustle’ i David O. Russell është nominuar në të gjitha kategoritë kryesor. Ngjashëm si me filmin më të mirë të vitit të kaluar për mendimin tim ‘Silver Linings Playbook’ edhe këtë vit kemi të nominuar në të gjitha kategoritë e aktrimit n’ga kasti i një filmi të David O. Russell. Ngjashëm si vitin e kaluar, edhe këtë vit, një film i Russell gjendet në krye të listës së filmave më të mirë të vitit për mua. Megjithatë, përsëri sikur vitin e kaluar, vetëm Jennifer Lawrence ka gjasat më të mëdha të fitoj Oskar, jo pse pjesët tjera të filmit janë më inferiore, porse ndoshta konkurrenca është më e madhe tek kategoritë tjera.

Nominimet plotësisht i meritoi edhe ‘Gravity’, një projekt fantastik i Alfonso Cuaron që duket se konfirmon cilësitë e teknologjisë 3D në kinema. Por, ’12 Years a Slave’ mund të jetë favorit për shumicën e kategorive për shkak të temës që prek, e skllavëria dhe racizmi gjithnjë kanë ndikim tek Akademia. Temë prekëse me një aktrim perfekt të Matthew McConaughey dhe Jared Leto ka ‘Dallas Buyers Club’. Një film shkëlqyeshëm i shtjelluar, i madhështuar edhe më shumë me aktrimin perfekt të McConaughey dhe Letos. Këta dy janë favorit absolut për Oskarët të cilët i meritojnë me plotë kuptimin e fjalës.

Befasi e këndshme është nominimi i ‘Philomena’ si filmi, skenari më i mirë i adaptuar, dhe për aktrimin e Judi Dench. Kategoria për aktoren më të mirë duket të jetë më e pjekura me emra si Dench, Streep, Bullock e Blanchett. Nominimi i Adams është befasi e mirë, por, është më se e sigurt që Cate Blanchett do të marr Oskarin për ‘Blue Jasmine’. Edhe skenari i këtij filmi është i mirë, ngjashëm si regjia e Woody Allen, por kjo e fundit nuk është nominuar fare.

Befasi e këndshme është edhe nominimet e shumta të ‘Nebraska’. Një film lart i vlerësuar me veteranët Bruce Dern e June Squibb të nominuar për Oskar së bashku me nominimet për filmin, regjinë, dhe skenarin origjinal më të mirë. Akoma nuk kam pasur rastin të shoh këtë film, ngjashëm si ‘Philomena’, por kritikët premtojnë shumë.

Në fund, është herët të zgjedh favoritët, sidomos pasi ka edhe pak filma që nuk kam arritur ti shoh akoma, por, për mendimin tim ‘American Hustle’ çfarëdo që fiton, do të jetë e merituar plotësisht. ’12 Years a Slave’ mund të jetë filmi më i mirë, me regjinë për Alfonso Cuaron dhe ‘Gravity’, Matthew McConaughey, Catel Blanchett, Jared Leto, e Jennifer Lawrence si fitues për aktrim. ’12 Years a Slave’ e ‘American Hustle’ mund të fitojnë edhe në kategoritë e skenarëve me ‘Frozen’ si animacioni dhe kënga më e mirë.

Luan Morina
Kritik filmi