Filma

Oz The Great and Powerful (2013) – Recensim

Oz-The-Great-and-Powerful-3

Ritregimi modern i filmit, ta quaj ‘legjendar’ të kinematografisë klasike amerikane, fatkeqësisht nuk arrin të matet me cilësinë e filmit të realizuar para më shumë se gjysmë shekulli më parë.

Sigurisht që pjesa teknike është shumë herë më e mirë, por cilësia e tregimit mbetet shumë më mbrapa. Dihen tregimet për magjistarin e Ozit, dhe në fakt filmi i kësaj pranvere ishte më shumë një paratregim i atij klasikut. Filmi ndjek rrugëtimin e Ozit nga një magjistar mashtrues, gënjeshtar, batakçi në një të tillë veçse në një botë më sureale. Aty Ozi do të takoj një majmun që flet dhe do të provoj të ndaj të mirën dhe të keqen ndërmjet tri magjistricave. Ai zë vendin e magjistarit për të cilin ishin treguar legjenda dhe pritej me vite si një shpëtimtar i mbretërisë.

Tregimi zhvillohet në mënyrë interesante. Karakteri i vërtetë i magjistricave na mban për pjesën më të madhe të filmit në errësirë. Gjithashtu paaftësia e Ozit për magjinë e vërtetë na bën të hamendësojmë se a do t’ia dal, dhe nëse po, si do t’ia dal. Dyshimet në suksesin e tij i shton edhe karakterin i tij labil, që të jep pasiguri në qëllimet dhe misionin e tij.

Është tregim që ka mundur të shtjellohet më shkurt dhe më mirë, mendoj. Nuk është ana më e fortë e këtij filmi. Këtë anë e plotëson cilësia e figurës. Janë disa skena që e bëjnë filmi të hatashëm, ujëvara që sjell Ozin në mbretërinë e re, fluturimi i shtrigave, disa skena kah fundi që s’dua ti përmend për shkak të spoilerave, si dhe ngjyrat gjatë tërë filmit kanë një kontrast që të kënaqin syrin.

James Franco nuk është ndër aktorët e mi të preferuar. Respekti për të ka humbur qysh kur moderoi Oskarët. Nuk është nga aktorët që urrej, por, në përgjithësi nuk sjell diçka të veçantë në kinematografi. Ishte solid në këtë film, si karakter kryesor, por jo i shkëlqyeshëm. Mila Kunis të shtyn të nisësh të shohësh filmin, dhe kur bëhet e neveritshme atëherë është shumë vonë për ta lënë filmin në gjysmë. Michelle Williams duket mahnitshëm, dhe ngjashëm si pjesa tjetër e kastit ka një rol të mirë solid. Rachel Weisz ka pak më pak hapësirë se ata tre, por ngjashëm si të tjerët nuk bën diçka të madhe. Pjesa e tjetër e kastit është kryesisht zërime, dhe nuk ja vlen të veçojmë dikë. Është film familjar i mirë, i përshtatshëm për familje, dhe për një pasdite vikendi. Nuk kërkon vëmendje të madhe në tregim, duke të lënë të shijosh figurën, sidomos në teknologjinë 3D. Nota ime personale +.

Luan Morina

Kritik filmi