lomsh

 

Premier Liga

Sir Alex Ferguson nuk i ka punët aspak mirë kohëve të fundit. Humbje nga Chelsea, dhe pastaj nga Liverpool, sidomos ajo dje ishte “e merituar!”. Raul Meirelles është duke më befasuar kohëve të fundit për të mirë, ndërsa Luis Suarez vetëm po tregon atë që di të bëj më së miri. Goli i parë ishte mjeshtri e përkryer. Dhe mos të harrojmë yllin kryesor të ndeshjes së djeshme, holandezin Dirk Kuyt. Ndoshta është koha për Sir Alex të filloj të brengoset, por megjithatë gjithçka do të vendoset në fund të prillit, kur ManUtd pret Arsenal dhe udhëton në Chelsea. Jo vetëm ManUtd por edhe Chelsea e Tottenham nuk janë hiç mirë. City vazhdoi të fitoj edhe këtë javë dhe tashmë është 5 pikë dhe 2 ndeshje më shumë se Chelsea. Nejse, Chelsea është më afër dhe me ndeshjet e mbetura, përfshirë atë të kësaj jave ndaj Blackpool mund edhe të kaloj City. Por, Hotspur si duket dje ishin me mendime për të mërkurën kur presin Milanin. Ata lëshuan fitoren në fund të ndeshjes ndaj Wolves, por pas Milanit do të kenë punë me ekipe më të ulta para pritjes së City. Arsenal dështon atëherë kur nuk guxon të dështoj. Sunderland vinte në ndeshje pas 4 humbjeve radhazi dhe arriti të marrë pikë në Emirates. Tek Arsenal mendoj që po mungon përvoja në skuadër dhe presioni i madh psikologjik po ndikon që të dështojnë atëherë kur nuk duhet. Se sa janë pjekur “topxhinjtë” prej vitit të kaluar do të shihet të martën në Camp Nou.

Serie A

Milani po tregon formë të ndryshueshme. Me Napolin ishin të mrekullueshëm, ndoshta vetëm Pato ishte i mrekullueshëm, por mjaftoi për një shou të shkëlqyeshëm. Kundër Juventus diçka krejt më ndryshe. Megjithatë të fitosh ndaj Juventus nuk është lehtë, megjithë formën e dobët të “zonjës së vjetër” ata nuk lëshojnë lehtë skuadrat e mëdha konkurruese. Inter ka humbur këtu, por Milan fitoi. Inter ishte pranë humbjes, por arriti të nxjerr disi 3 pikë, duke shënuar 5 gola në pjesëlojën e dytë. Pas ardhjes së Leonardos, Inter po shënon shumë gola, por edhe po pëson shumë. Napolit nuk i bëri mirë humbja e javës së kaluar dhe disç duket ka ndikuar në përgatitjen psikologjike, pasi vetëm barazuan me Brescian. Tashti rrezikojnë edhe pozitën e katërt për Champions League, pas Lazio dhe sidomos Udinese janë në formë të mahnitshme. Montella ka ringjallur Romën duke e afruar tek zona e Champions njëkohësisht duke e larguar nga zona që le jashtë Evropës. Palermo është në devijim me katër humbje radhazi, ndërsa dy ndeshjet e ardhshme i ka kundër Genoas dhe Milanit. Luftë interesante do të jetë për mbijetesë ku mendoj që të gjitha skuadrat poshtë Genoas deri tek Brescia do të luftojnë për t’u ikur dy pozitave të parafundit në 10 xhirot e mbetura. Bari veç është dorëzuar më dhe duhet të krijoj strategji për sezonin e ardhshëm në Serie B.

Bundesliga

Pas javës së kaluar edhe këtë fundjavë gjërat vazhduan të qartësohen në Bundesliga. Bayern rrezikon seriozisht të mbesin jashtë Champions League për sezonin e ardhshëm, i cili me sa duket do të jetë i fundit ku Bundesliga do të ketë tri ekipe. Ishte përballja direkte me Hannover që i largoi bavarezët më larg zonës Champions. “Kurban” i këtij mossuksesi pritet të jetë trajneri Louis van Gaal, ai i cili vitin e fundit mbizotëroi kampionatin dhe kupën, dhe arriti në finale të Champions. Si pasardhës i tij, së paku deri në fund të sezonit, pritet të jetë Mathias Sammer. Në anën tjetër Hannover është skuadra më e suksesshme në 5 ndeshjet e fundit, 4 fitore dhe 1 barazim. Ka patur edhe ekipe tjera befasuese në atë pozitë ku është Hannover tashti. Ka qenë Frankfurt, Freiburg, e edhe Mainz që akoma është lart, por si duket Hannover e ka seriozisht luftën për Champions. Formë të mirë në xhirot të fundit po kalon edhe Nurnberg që është ngjitur deri në pozitën e gjashtë. Dortmund duket i qetë dhe i rehatshëm në krye, përderisa Stuttgart, Wolfsburg, e Bremen janë akoma befasisht në fund. Megjithatë pos Monchengladbach, dhe Kaiserslautern, është St. Pauli që më duket si kandidat kryesor për pozitën e 16-të që të dërgon në ndeshje barazh.

Primera Division

Në Spanjë shumë gjëra janë qartësuar. Reali nuk mund të arrijë Barcelonën, as Valencia Realin, e as Bilbao Villarrealin. Zona Champions dhe kampioni janë të përcaktuar praktikisht pasi kjo është Liga e Spanjës dhe ndryshime radikale nuk besoj që mund të ndodhin. Bilbao fitoi pas 4 humbjeve radhazi, ndërsa në anën tjetër, Espanyol pësoi humbjen e gjashtë në 7 ndeshjet e fundit. Pikërisht kjo formë e Bilbaos dhe Espanyolit na bën të shpresojmë për një luftë më të gjallë për 3 pozitat që dërgojnë në Europa League, pozitat 5-7, pasi të dy finalistët e kupës tashmë praktikisht do të jenë në Champions League. Njëjtë do të jetë edhe lufta për mbijetesë, dhe nuk do të menjanoja akoma as Malagan edhe pse nuk duket se ka ndonjë shpresë për ata.

Kolumna javore sportive përgatitet nga Luan Morina

lomsh

Kronikë amerikane – 07 mars 2011

NBA

Mos t’i menjanojmë nga lista e favoritëve akoma Lakers. Skuadra pas disa humbjeve të turpshme, si ajo nga Cleveland, janë rikthyer për të fituar shtatë ndeshje radhazi, dhe atë pa patur nevojë për transferime siç përflitej në media. Fitorja e radhës vjen ndaj rivalëve kryesor në Perëndim, skuadrës më të mirë në NBA këtë sezonë, San Antonio Spurs. Lakers pas pjesëlojës së parë udhëhiqte me 28 pikë diferencë, për të fituar në fund me 16 pikë. Kobe Bryan shkëlqeu me 26 pikë të shënuara. Ai renditet i shtati në histori të NBA me vetëm 13 pikë më pak se Moses Malone që renditet një pozitë më lartë. Për Spurs që deri para kësaj loje, kishin një seri prej 22 lojësh pa humbje në terrenin e tyre më i miri ishte Tony Parker me 14 pikë, i vetmi nga startuesit me pikë dyshifrore. Duncan pati vetëm 2, ndërsa Ginobili arrit në gjashtë pikë. Humbja vjen vetëm dy ditë pasi Spurs turpëruan skuadrën e Miamit duke emposhtur me një diferencë prej 30 pikëve. Megjithatë mbrëmë ata arritën të shënojnë vetëm 37 pikë në pjesëlojën e parë, minimumi për këtë sezonë, me një përqindje 36% të precizitetit nga loja. Por, ishte edhe më keq, ata ishin në disavantazh deri në 32 pikë në çerekun e tretë. Pos Bryant tek Lakers, sidomos në trapez, dominuan edhe Gasol me 21 pikë dhe Bynum me 17 kërcime.

Treshja e madhe në Lindje tashti janë në pozitën e tretë. Përsëri bën atë që po u humb ndeshjet e fundit. Edhe kundër Chicagos, Miami ishte duke udhëhequr pas pjesëlojës së parë, këtë herë me 9 pikë, ndërsa në fund humbën me -1 pikë. Në fund ndodhën disa gjëra ndoshta kontestuese. 3:30 para fundit Heat ishin në disavantazh 76-82, por ishte Mario Chalmers që udhëhoqi rikthimin, së pari me një treshe duke barazuar në 84, dhe me një dyshe 25 sekonda para fundit duke kaluar vendasit në epërsi 86-84. Në sulmin tjetër britaniku Luol Deng u faullua duke shënuar herën e parë, dhe huqur të dytën, por ai arriti disi të kap topin në kërcim, dhe ajo çfarë ndodhi më pas ishte kontestuese. A u faullua nga Mike Miller a Luol Deng rrëshqiti me këmbët e tij, kjo nuk ishte shumë e qartë. Sido që të jetë, Deng shënoi të dy gjuajtet herën e dytë duke kaluar Bulls në epërsi për 1 pikë. Në sulmin e fundit, Dwayne Wade nuk arriti të shënoj për të siguruar fitoren. Vetëm 1 herë nga 18 tentimet në 10 sekondat e fundit të ndeshjes, kohë e rregullt ose vazhdime, basketbollistët e Miamit kanë shënuar, dhe atë falë James që ka një bilanc 1-7. Wade ka bilanc 0-5. Derrick Rose udhëhoqi Bulls me 27 pikë, i ndihmuar nga Boozer me 12pikë/11kërcime dhe Noah 11 pikë. James shënoi 26 pikë, Bosh shtoi 23, ndërsa Wade shënoi 20 pikë për Miami.

Në anën tjetër Boston fitoi ndaj Milwaukee, për fitoren e pestë radhazi. Pierce shënoi 23, Garnett pati 14pikë/11kërcime. Oklahoma City mposhti Phoenix, New Orleans fitoi ndaj Cleveland, por u shokua 4:36 minuta para përfundimit në çerekun e tretë kur Chris Paul humbi topin dhe pas një përplasjeje me Ramon Session dhe Samardo Samuels mbeti i shtrirë në terren. Në fund doli të ishte vetëm një tronditje të vogël që do ta lërë jashtë fushës vetëm për 1 ndeshje. Dallas pësoi humbjen e parë pas 8 fitoreve duke pësuar nga Memphis që kaloi në epërsi me anë të Zach Randolph 3.1 sekonda para fundit.

NHL

Në NHL ndodhi një befasi deri diku e pritur. Flyers kishin tri humbje radhazi, dhe fitorja e Rangers disi dukej mbi horizont. Mirëpo fitorja prej 7-0 e New York Rangers ndaj Philadelphia Flyers ishte befasi e madhe. Gjithë kjo befasi pati një akter, Ryan Callahan që shënoi 4 gola dhe pati një asistim. Ishte rekord personal për numër të golave, dhe pikëve për një ndeshje, dhe gjithashtu më parë ishte edhe het-triku i parë i tij në karrierë. “Kur fillon shiu, vazhdon breshëri” – ishin fjalët e vetme të tij pas ndeshje. Ai barazoi suksesin e Marian Gaborik duke u bërë vetëm hokejisti i dytë këtë sezonë që shënon 4 gola për një ndeshje, ndërsa pas rikthimit nga lëndimi i dorës së thyer me 1 shkurt Callahan ka shënuar 10 golat dhe 6 asistime në 16 ndeshjet e fundit. Mats Zuccarello shtoi edhe dy gola, përderisa Aretem Anisimov shënoi një herë për fitoren gjigante të Rangers që i rehaton paksa në pozitën e gjashtë në Lindje edhe pse kanë dy lojë më shumë të zhvilluara se skuadrat konkurrente.

Calgary arriti të mposht Nashville, 3-2. Fitorja vërtetë i mban ata në luftë për play-off, por një karakteristikë e kësaj ndeshjeje ishte goli i Jerome Iginla i cili shënoi në periudhën e dytë nga penalltia. Ishte ky goli i 30 këtë sezonë që e bën vetëm lojtarin e 10 në histori të NHL që ka shënuar 30 gola për sezonë, në 10 sezona radhazi. 33 vjeçari ka shënuar 471 gola gjatëkarrierës së tij në NHL që e rendisin në pozitën e 50 në renditjen e përgjithshme. Mark Giordano dhe Curtis Glencross shënuan për Flames, ndërsa për mysafirët Martin Erat dheRyan Suter në periudhën e parë, e cila përfundoi në të mirë të tyre, 2-1.

Devils mund të mbesin jashtë play-off megjithë formën e mrekullueshme në 24 ndeshjet e fundit. Ata gjenden 8 pikë larg pozitës së tetë, megjithë që kanë fituar 20 nga 24 ndeshjet e fundit duke humbur 2 herë gjatë kohës së rregullt, dhe po aq herë pas lojës shtesë. Ishin Brian Rolston dhe Ilya Kovalchuk që siguruan dy pikë të reja për New Jersey duke shënuar në penalltitë në fund. Golin e vetëm në penallti për Islanders nga New York e shënoi Martin Brodeur. Kovalchuk dhe Rolston shënuan edhe gjatë ndeshjes por Islanders barazuan dy herë me Josh Bailey, dhe Blake Comeaun 3 minuta para fundit.

Kronikë Amerikane përgatitet nga Luan Morina

Rezultatet

NBA

Miami – Chicago 86-87

San Antonio – LA Lakers 83-99

Detroit – Washington 113-102

Philadelphia – Golden State 125-117 OT

Atlanta – New York 79-92

Cleveland – New Orleans 81-96

Oklahoma City – Phoenix 122-118 OT

Dallas – Memphis 103-104

Milwaukee – Boston 83-89

NHL

NY Rangers – Philadelphia 7-0

NY Islanders – New Jersey 2-3 SO

Florida – Washington 2-3 OT

Minnesota – Buffalo 2-3 OT

Calgary – Nashville 3-2

Anaheim – Vancouver 0-3

Televizioni

Të nis nga e premta si zakonisht. Ka patur kohë të gjatë që kur kam qenë i ngjitur për një kanal të vetëm për 2 orë duke shikuar vetëm një film. Ishte Shakespeare in Love të premten në KTV që mbizotëroi përzgjedhjen time për prime-time në TV. Ajo çfarë mendoj se mungonte ishin reklamat. Vetëm një bllok marketingu nëse nuk gaboj për dy orë film është shumë pak. E di që shumë veta mendojnë që marketingu nuk është i preferuar nga shikuesit mirëpo na nevojitet që të lëvizim pak, për disa çaste. Edhe në kinema zakonisht ka pushime dhe marketing. Sido që të jetë KTV po transmeton filmat më të mirë që mund të transmetoj një kanal kombëtar shqip, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri e Maqedoni. Më pas në KTV ka qenë nëse nuk gaboj Cosmo. RTK ka shfaqur emisionin In&Out, ndërsa në kanalet shqiptare ka qenë e premta e zakonshme, që mua nuk më lë shumë përshtypje. Dua të ndalem tek RTK duke u ndërlidhur me të dielën pasdite. Oxygen do të dominonte të premten sikur të mbetej aty, por të dielën akoma nuk po arrin të rehatojë shikuesit dhe dukej më së miri edhe nga mysafiri Ibrahim Makolli që akoma e dinte që ky emision transmetohet të premten. Tri orë të dielën pasdite nuk mund të thithin aq shikueshmëri sa të premten në mbrëmje. Personalisht nuk mendoj që ka qenë një hap i mirë i RTK duke larguar Oxygenin për dielën, jo që e diela ka qenë më mirë, por ato që kanë zëvëndësuar Oxygen nuk janë më cilësore se Oxygen e edhe ashtu Oxygen meriton një orar më të mirë transmetimi. E diela në mbrëmje do të ishte e përkyer për t’u kundërvënë 2XL dhe Portokalli.

Apartamenti 2XL rifilloi mbrëmë me një mysafire të veçantë, Amarda Toska, në një datë të veçantë, ditëlindjen e saj. Ishte një debutim i përkryer në ekranin e Vizion Plus që shpresoj të vazhdoj me edicionin e ri të Dancing with the Stars, të cilin do ta udhëheqë Ami. Ishte një emisioni i shkëlqyeshëm dhe derisa të adaptohemi në këtë orar do të vazhdoj të na duket edhe më i mirë. Nuk di pse VizionPlus vendos filma jo aq cilësor në këtë termin, njëjtë sikur Top Channel duke larguar shikuesin në kanale tjera për ta rikthyer pas dy muajve. Kanë dy alternativa: të bëjnë pauza dyjavore pas 4-6javë radhazi deri në përfundim të sezonit, shtator-maj, dhe gjatë pauzave të vendosin reprizat e 2XL dhe Portokalli, ose alternativa e dytë për dy muaj radhazi të sjellin ndonjë emision të paskriptuar që do të zëvëndësonte këto programe, në mënyrë që të mbante shikuesit. As Portokalli nuk ishte më poshtë se si zakonisht për ato pak momente që shikova. Nuk arrita të shoh shumë skeqe, e as moderatoren e re, por do të shoh në web-TV sot pasdite. Klan TV shfaqi Histori me zhurmues pas Heroes, dhe nuk mendoj që është ndonjë konkurrent i denjtë për V+ dhe TCh, pos për audiencën më të vjetër, +49. RTV21 transmetoi seriale, ndërsa KTV pati futboll edhe të shtunën edhe të dielën.

Të shtunën nuk kam shikuar shumë televizion prandaj edhe s’do të mund të flisja ndonjë gjë pos të tregoja që Klan TV kishte pasur edhe një natë të shkëlqyeshme me Bujar Qamilin në Këngët e Shekullit.

RTK do të vazhdoj me episodin e ri të Kafeneja Jonë. Siç duket do të ketë edhe dasëm edhe këtë sezonë. Labinoti kishte ndryshuar lookun tash i ngjan më shumë Bekimit, dhe sigurisht ai do të jetë në altar për të cilin Oki nuk ka ike se çfarë është. Më pas në program është Milioneri dhe Subvencion. KTV transmeton koncertin e Christina Aguilera, më pas SinkroCinema, Binbir Gece dhe Asist. Golat e primera divisionit spanjoll mund ti shihni në ora 22:30. RTV21 tërë prime-time orarin sonte do t’ia dedikoj, si zakonisht të hënave, Kabares.

Top Channel transmeton emisionin Shqip dhe pas orës 23:00 është Proçesi sportiv. Klan TV do të ketë kuize, së pari Kutia dhe më pas Milioneri. Në Vizion Plus mund të shihni dokumentarin për Evropën dhe Lindjen e Mesme, ndërsa më pas është telenovela Tereza, Bypass Show, dhe Zonë e ndaluar që sonte si temë kryesore ka një ditë në jetën e presidenti të Kosovës, Behxhet Pacollit.

Në EuroSport drejtpërdrejtë mund të shihni garën çiklistike Paris-Nice. Në ora 17:55 mund të shihni Eurogoals, ndërsa më pas në ora 18:30, në program është emisioni Champions Club që bën një përmbledhje të ngjarjeve futbollistike të fundjavës me analiza speciale nga Arsene Wenger. Ngjarjet më komike sportive mund ti shihni në WATTS që fillon në ora 20:45, ndërsa më pas si zakonisht të hënave do të ketë mundje amerikane, Wrestling.

Nga ora 12:00 në SuperSport1 mund të shihni përmbledhjet e kampionateve kombëtare, ndërsa në mbrëmje në program janë emsionet Zona Gol dhe Zoom.

TV Kolumna Ditore përgatitet nga Luan Morina

E hënë – 07 mars 2011

RTK

20:20 Serial: Kafeneja jonë ep.233

21:00 Milioneri

22:00 Subvencion

23:00 Lajme

23:15 Pa Skenar

KTV

20:15 Koncert: Christina Aguilera

21:00 SinkroCinema

21:15 Serial: Binbir Gece

22:00 Asist

22:30 Koha për gola

23:00 Interaktiv

RTV21

20:05 Kabare

22:00 21 Minuta

22:45 Serial: Wildfire

——————–

TV Klan

20:05 Kutia

21:00 Kush do të bëhet milioner

22:00 Lajme

22:30 Opinion

Top Channel

20:15 Fiks Fare

21:00 Shqip

22:30 Lajme

23:05 Procesi Sportiv

Vizion Plus

19:40 Dokumentar: Europa dhe Lindja e mesme

20:00 Tereza – telenovelë

21:00 Bypass Show

22:00 Zonë e ndaluar

23:00 Lajme

23:30 Film

Televizioni

Nëse do të mund të përdornim teorinë 80/20 në një ambient ku do të futnim popullin tonë dhe filmin, atëherë nuk ka shembull më të mirë se ndarja e shpërblimeve Oscar. Është një shembull jo shumë për t’u lavdëruar, por fatkeqësisht i vërtetë që 80% të filmave Oscar shikohen vetëm nga 20% e kosovarëve, për më tepër ky numër më duket paksa i ekzagjeruar. Sidoqoftë le t’i përvishemi punës.

Personalisht filmat konkurrent për Oscar këtë vit më kanë pëlqyer tej mase. Kemi krijimtari të shkëlqyera nga ustallarë të kinematografisë jo vetëm asaj amerikane. Do të mundohem të veçoj karakteristikat e filmave konkurrentë në disa detaje më sipërfaqësore gjithnjë duke patur parasysh që unë nuk jam një kritik profesional filmash, por vetëm një i apasionuar që shikon filma, paksa më tepër se e zakonshmja, dhe që si kanal të preferuar filmash nuk e kam Film Aksionin! J

Filmi më i mirë – Best Picture

Të nominuar: 127 Hours; Black Swan; The Fighter; Inception; The Kids Are All Right; The King’s Speech; The Social Network; Toy Story 3; True Grit; Winter’s Bone

Që nga viti i kaluar kur Akademia filloi të përfshijë 10 filma në kategorinë e filmave më të mirë, gjithnjë po kemi nga një film të animuar, që këtë vit është filmi Toy Story 3. Është ndoshta seria më e mirë filmash të animuar ndonjëherë, por besoj që do të marrin Oscar vetëm në kategorinë për filmin më të mirë të animuar. Nga filmat e mësipërm Winter’s Bone dhe True Grit janë filma amerikan, me plotë kuptimin e fjalës pasi të dytë bazohen në jetën e thjeshtë amerikane të ditëve moderne, siç është filmi Winter’s Bone, dhe storie nga amerika e pasluftës civile, filmi True Grit. Winter’s Bone tregon storien e një vajzeje adoleshente, e cila është personi kryesorë që do të mirëmbajë familjen pas një babai problematik dhe pijanec i cili tashmë është i humbur shkaku i borxheve, ndërsa e ëma e saj vuan nga një sëmundje. Filmi shfaq rrugëtimin e një vajze në një rreth aspak miqësor e cila për të mbijetuar përballet me sfidat më të pështira të jetës.

Rrugëtimin e një vajze shfaq edhe filmi True Grit. Ndryshimi tek ky film është që vajza është në moshë më të re dhe është në kërkim të vrasësit të babait të saj për hakmarrje. Edhe pse e mitur, ajo është shumë këmbëngulëse dhe e gatshme të përballet edhe me njerëz injorantë të pjekur vetëm që të marrë atë që dëshiron. Edhe pse me një kast aktorësh si Jeff Bridges dhe Matt Damon, nuk besoj që as True Grit e as Winter’s Bone mund të fitoj Oscarin për filmin më të mirë.

Filmi The Fighter ka një kast të mirë aktorësh, prej të cilëve tre janë të nominuar për rolet dytësore. Aspak nuk dyshoj që Mark Wahlberg ka merituar të nominohet për Oscar si aktori më i mirë në rolin kryesor. Aktrimi i tij nuk ka qenë hiç më pak i mirë se Melissa Leo, Amy Adams, dhe Christian Bale. Filmi tregon storien e një boksieri dhe vëllaut të tij ish-boksier që pas përfundimit të karrierës jo të suksesshme të gjithë forcat i vendos në suksesin e vëllaut. Është film mjaft i mirë, një storie mjaft interesante e thurrur në mënyrën më të mirë të mundshme.

Filmi Black Swan ka një regji solide, por ajo çfarë bie në sy më së shumti tek ky film padyshim janë aktoret në dy rolet kryesore. Përderisa në njërën anë Natalie Portmann është kandidate e pakontestueshme për Oscar, është habi për shumë veta si Mila Kunis nuk ka qenë e nominuar për aktoren më të mirë në rolin dytësor. Në rregull, nuk është aq e mirë sa Portmann në këtë film, por si aktore në rol dytësor ishte e mrekullueshme dhe mund të krahasohet lirshëm me kandidatet e tjera në atë kategori. Black Swan nuk është kandidat i ngushtë për filmin më të mirë.

127 Hours është një realizim tepër i mirë nga njeriu që para dy vite triumfoi me Slumdog Millionaire. Jo shumë skena, por gjithë ato që ndodhin në atë lokacion të ngushtë shfaqin në mënyrë të shkëlqyeshme një storie mjaft trishtuese e bazuar në një ngjarje të vërtetë që e bënë edhe më trishtuese. Është film i shkëlqyeshëm, ndoshta jo shumë ngjarje të ndryshme, dikujt mund ti duket edhe i mërzitshëm, por është një vepër e përpunuar në mënyrë mjeshtërore që nga editimi e deri edhe te muzika e filmit.

Njëri nga dy kandidatët kryesorë për Oscar mendoj që do të jetë The Social Network. Storia për Mark Zuckerberg, krijuesin e Facebook, është realizuar në një mënyrë madhështore duke portretizuar një ngjarje që ngjan por nuk është e tërë e vërteta. Këtu mund të gjeni anën pozitive dhe negative të të gjitha ngjarjeve dhe karaktereve, asnjëri nga ata nuk do të jetë antiheroi dhe asnjëri nuk do të jetë heroi. Punë e shkëlqyeshme e David Fincher.

Dhe në fund është filmi The King’s Speech. Favoriti im kryesor për shumë çmime. Nuk është hera e parë që britanikët po krijojnë filma që zbulojnë historinë e tyre jo pak të pasur. Ka patur filma si The Queen, King Arthur, Elizabeth, deri tek Young Victoria, mirëpo asnjëri nuk futet aq thellë në historinë ndër më të prekshmet të monarkisë britanike. Film i shkëlqyeshëm ku funksionoi gjithçka, që nga skenari, regjia, deri tek aktrimi mjeshtëror i një kasti aktorësh të mëdhenj dhe të njohur anë e mbanë botës kinematografike.

Regjisori më i mirë – Best Director

Të nominuar: Darren Aronofsky – Black Swan; David O. Russell – The Fighter; Tom Hooper – The King’s Speech; David Fincher – The Social Network; Ethan dhe Joel Coen – True Grit

Nuk është hera e parë që vëllëzërit Coen bëjnë një vepër mjeshtërore duke përdorur historinë e pasur amerikane. Filmi True Grit do të ishte kandidat potencial për të fituar si filmi me regji më të mirë, por megjithatë këtë vit ka një konkurrencë të fortë. Përsëri për mendimin tim është filmi The King’s Speech me Tom Hooper si regjisor që nuk ka ndonjë përvojë të madhe pos disa episodeve të serialit Eastenders, dhe favoriti kryesor David Fincher me filmin The Social Network. Tom Hooper arriti të realizoj një tregim shumë prekës për monarkinë britanike në një mënyrë aq të përkryer duke shfaqur të gjitha storiet e ndrydhura në historinë e tyre, por në një mënyrë simpatike që e bën shikuesin e thjeshtë të ndihet mirë gjatë vështrimit të të gjitha ngjarjeve në film. Filmi ka një tempo të njëtrajtshme të ngjarjeve duke mos patur luhatje ekstreme në emocione pothuajse gjatë tërë filmit.

Në anën tjetër David Fincher arriti të mbërthejë storien ndoshta më të madhe në historinë e internetit në një dhomë gjyqi duke mbledhur të gjitha karakteret dhe duke vendosur në dy kampe, heronjë dhe antiheronjë. Megjithatë gjatë tërë filmit ju mund të vëreni që ka nga pak në të dyja anët dhe të gjitha karakteret janë pak heronjë e pak antiheronjë. Veçanërisht karakteri i Mark Zuckerberg është realizuar në një mënyrë perfekte që përshtatet me storien e një njeri që ka krijuar mënyrën më të mirë për të komunikuar ndërsa vet ai nuk është aq i mirë në komunikim.

Aktori më i mirë – Best Actor

Të nominuar: Javier Bardem – Biutiful; Jeff Bridges – True Grit; Jesse Eisenberg – The Social Network; Colin Firth – The King’s Speech; James Franco – 127 Hours

Colin Firth është kandidati kryesor për të fituar këtë vit shpërblimin. Ai ishte i kandiduar edhe vitin e kaluar por nuk arriti të mposht Jeff Bridges. Këtë vit personalisht jam shumë i bindur që është kandidati më serioz për Oscar. Aktrimi i tij në filmin The King’s Speech ishte i përkryer me plotë kuptimin e fjalës. Unë nuk kam parë aktrim më të mirë të ndonjë aktori ndonjëherë, edhe pse nuk kam shikuar mijëra filma. Colin Firth ishte i përsosur.

Performancë të shkëlqyeshme ka patur edhe James Franco në filmin 127 Hours. Edhe pse po thuaj i tëri filmi ka qenë i bazuar vetëm në karakterin e tij ai ka arritur të shpreh në mënyrë të përsosur storien e Aron Ralston. Pas Firth kandidati kryesor për Oscar në këtë kategori.

Jesse Eisenberg arrin të portretizojë Mark Zuckerbergun si një “maniak” kompjuterësh që nuk i beson askujt, nuk ka aftësi komunikimi por ka ide milionëshe. Është lavdëruar edhe aktrimi i Javier Bardemit në filmin Biutiful. Nuk kam parë këtë film të Bardem, por nga ato që kam parë më herët jam i sigurt që ka bërë një punë të paqme. Jeff Bridges si gjithnjë ishte i shkëlqyeshëm në filmin True Grit. Ai është i përsosur për të luajtur ato karakteret nga Amerika e pasluftës civile, megjithatë do të jetë vështirë që ta përsërit suksesin e vitit të kaluar.

Aktorja më e mirë – Best Actress

Të nominuar: Annette Bening – The Kids Are All Right; Nicole Kidman – Rabbit Hole; Jennifer Lawrence – Winter’s Bone; Natalie Portman – Black Swan; Michelle Williams – Blue Valentine

Në kategorinë e aktores më të mirë duket se gjithçka është e ditur moti kohë, që para daljes së nominimeve. Natalie Portman është favorite absolute për Oscar në nominin e saj të dytë. Ajo pati një aktrim të mrekullueshëm në filmin Black Swan ku luan rolin e një balerinë të turbulluar në aspektin psiqik të cilën dashuria e madhe për të fituar rolin në shfaqjen Liqeni i mjellmave i shkakton presion të tepërt duke e detyruar të marrë hapa fatal. Kandidate serioze është konsideruar edhe aktorja Annette Bening për paraqitjen e saj në filmin The Kids Are All Right ku luan rolin e një nëne lezbike që përballet me sfidën për të mbrojtur familjen e saj gjatë shqetësimeve të ndryshme jetësore. Hiç më keq nuk aktron as Julianne Moore, por që nuk ka arritur të nominohet për shpëblimin për aktoren më të mirë.

Edhe Michelle Williams ka luajtur një rol jashtëzakonisht intrigues në filmin Blue Valentine. Ajo paraqet një nënë e cila gjendet në një sfidë në mes të dashurisë dhe fatit të saj jo aq të mbarë gjatë jetës saj. Ndoshta njëri ndër aktrimet më të përsosura nga Michelle Williams.

Jennifer Lawrence ka bërë një punë të shkëlqyeshme në aktrimin e karakterit të saj dhe ka merituar të nominohet për aktoren më të mirë, por nuk është një aktrim që mund të konkurronte kandidatet tjera. Nicole Kidman më herët ka fituar shpërblimin për aktoren më të mirë dhe nuk besoj që këtë vit ka ndonjë mundësi të fitoj për rolin e një nëne që humb fëmijën e saj në filmi Rabbit Hole. Bazohem në shkrimet e ndryshme pasi personalisht nuk kam parë këtë film.

Aktori më i mirë dytësor – Best Supporting Actor

Të nominuar: Christian Bale – The Fighter; John Hawkes – Winter’s Bone; Jeremy Renner – The Town; Mark Ruffalo – The Kids Are All Right; Geoffrey Rush – The King’s Speech

Jemi mësuar të shohim Christian Bale në rolin e Bruce Wayne tek Batman, por ta shohësh në rolin e Dicky Eklund, një karakter hipik nga periudha e viteve të ‘70ta, një boksier i dështuar që ka marrë rrugën e argëtimit që nganjëherë kalon edhe ligjin ishte diçka sa jofamiljare aq edhe interesante. Ngjashëm qëndron edhe Geoffrey Rush. Në filmat Pirates of Caribbean ai luan rolin e Barbarosas, piratit të çmendur, por tek The King’s Speech ai është një karakter serioz që depërton aq thellë në miqësinë mbretërore sa mbretin e thirr në emrin përkdhelës Bertie. John Hawkes luan rolin një xhaxhai problematik tek Winter’s Bone, Jeremy Renner është banditi i një bande nga Boston, ndërsa Mark Ruffalo luan rolin e një donori sperme që takon fëmijët e tij pas disa viteve, por në fund arrin të prish edhe atë rehati që kishin. Këta tre nuk janë aq kandidatë serioz për Oscar, por kanë patur paraqitje të mirë, e veçanërisht Renner për të cilin ky është nominimi i dytë pas vitit të kaluar kur u nominua për The Hurt Locker.

Aktorja më e mirë dytësore – Best Supporting Actress

Të nominuar: Amy Adams – The Fighter; Helena Bonham Carter – The King’s Speech; Melissa Leo – The Fighter; Hailee Steinfeld – True Grit; Jacki Weaver – Animal Kingdom

Për mendimin tim kjo kategori është kategoria më e paqartë sa i përket fitueses. Vetëm Jacki Weaver mund ta largoja nga lista e ngushtë e kandidateve për të fituar Oscar, ndoshta për atë që nuk kam arritur të shoh me kohë filmin. Të filloj me Hailee Steinfeld. Vetëm 14 vjeçare dhe luan një karakter aq të pjekur dhe serioz në filmin True Grit përkrah ikonës së filmit Jeff Bridges, dhe Matt Damonit. Performanca e saj më ka mahnitur dhe pak a shumë më ka kujtuar Ellen Page në filmin Juno. Steinfeld do të ishte njëra ndër kandidatet kryesore për Oscar, por kanë një konkurrencë të madhe sidomos nga dy aktoret nga filmi The Fighter. Amy Adams dhe Melissa Leo luajnë karaktere të ndryshme, e para e dashura, e dyta e ëma dhe menaxherja e karakterit të Mark Wahlberg, por që të dyja kanë qenë të shkëlqyeshme. Leo konsiderohet si më favorite, dhe ndoshta me të drejtë, por s’dua të lë anash as Helena Bonham Carter. Dikujt ndoshta i kujtohet nga mjuzikëlli Sweeney Todd, dikujt nga trilleri Fight Club, e unë e mbaj në mend nga filmat e Harry Potter. Sidoqoftë ta shihje në rolin e princeshës/mbretëreshës s’do të mund ta veçoje nga një mbretëreshë e vërtetë. E meritoi BAFTA-n, e meriton edhe Oscar-in.

Skenari më i mirë origjinal – Best Writing Original Screenplay

Të nominuar: Another Year – Mike Leigh; The Fighter – Scott Silver, Paul Tamasy, Eric Johnson; Inception – Christopher Nolan; The Kids Are All Right – Lisa Cholodenko, Stuart Blumberg; The King’s Speech – David Seidler

Të shkruash skenar për një film që trajton çështjet e mbretërisë s’është aspak lehtë. E lëre më kur trajton një të metë të mbretit të vendit. David Seidler ka arritur ta bëj këtë në një mënyrë të shkëlqyeshme duke nxjerrë në pah të gjitha detajet e vuatjeve të një njeriu në të cilin mbështet i tërë kombi.

Megjithatë Christopher Nolan ka bërë një punë të mrekullueshme. Edhe pse filmat fantastiko-shkencor nuk janë të preferuarit e anëtarëve të Akademisë, të krijosh një ide të tillë si ajo në Inception kërkon goxha punë dhe më së tepërmi imagjinatë. Nolan e ka bërë për mrekulli këtë, por nuk besoj që do të çmohet nga Akademia. Nuk është hera e parë që Nolan bën skenare të papara më parë. Ka qenë Memento më parë, por edhe skenarët gjysmë-real të filmave të Batman ishin të jashtëzakonshëm. Personalisht fituesin e shoh tek këta dy filma.

Megjithatë skenar mjaft interesant ishte edhe ai tek The Kids Are All Right. Lisa Cholodenko në mënyrë të përkryer përshkruan problemet familjare që mund të has një familje lezbikesh. Kemi storien e një familje të lumtur, por me daljen në pah të babait të vërtetë, jo vetëm që ndryshohet jeta e fëmijëve së pari për së mirë e pastaj merr tatëpjetën, ashtu siç është ndodh edhe me jetën bashkëshortore të nënave të familjes.

Skenari më i mirë i adaptuar – Best Writing Adapted Screenplay

Të nominuar: 127 Hours – Danny Boyle, Simon Beaufoy; The Social Network – Aaron Sorkin; Toy Story 3 – Michael Arndt, John Lasseter, Andrew Stanton, Lee Unkrich; True Grit – Ethan dhe Joel Coen; Winter’s Bone – Debra Granik

Favorit kryesor në këtë kategori është Aaron Sorkin me The Social Network. Arsyeja themelore është që Sorkin nuk është bazuar tërësisht në storien e Ben Mezrich në librin e tij The Accidental Billionaires. Edhe pse as storia në libër, e as në film nuk është e tëra e vërtetë, megjithatë Sorkin ka arritur të përfshijë të gjitha karakteret duke shfaqur emocione të ndryshme ndërmjet tyre gjatë tërë filmit. Një punë goxha të madhe ka bërë edhe Danny Boyle me filmin 127 Hours duke adaptuar pothuajse në mënyrë të përkryer storien nga libri Between a Rock and a Hard Place i Aron Ralston. Nuk ka shumë dialogje, nuk ka edhe shumë ngjarje dhe lokacione në film, por megjithatë tregimi është impresionues dhe deri diku shumë prekës. Tre filmat tjerë nuk besoj që janë konkurrentë të nxehtë për të fituar Oscar, por mjafton edhe nominimi i tyre.

Filmi më i mirë i animuar – Best Animated Feature

Të nominuar: How to Train Your Dragon; The Illusionist; Toy Story 3

Në këtë kategori nuk ka fare dyshim për emrin e fituesit. Pa dyshim që do të jetë Toy Story 3 që është nominuar edhe në shumë kategori tjera. Tashti të jem i sinqertë nuk kam parë Toy Story 3 pos ndonjë traileri dhe sekuencave të ndryshme, por ka marrë shumë kritika pozitive. Në anën tjetër kam shikuar How to Train Your Dragon. Është një realizim i shkëlqyeshëm, një storie e bukur, dhe me një kast që përfshin Gerard Butlerin dhe Craig Fergussonin, dy favoritë të mijë nga bota e shoubizit. Megjithatë HTYD nuk besoj që do të fitoj Oscar. As për filmin francez The Illusionist nuk besoj që ka ndonjë gjasë për Oscar. Një karakteristikë e filmit është që ka kushtuar plot 17 milionë euro, derisa ka inkasuar vetëm 3 milionë të varfër.

Përgatiti:

Luan Morina

Bllogues dhe recensues për TV&Film

Twitter: @morinaluan

Formspring: luanmorina

lomsh

Green Bay ndoshta është qyteti më i vogël që merr pjesë në ligën NFL por suksesi nuk ka munguar asnjëherë. Packers kishin fituar dy titujt e parë të SuperBowl nga bashkimi i AFL me NFL, por ishte e nevojshme të pritej një Bret Favre për të rikthyer krenarin në këtë qytet. Por, që nga largimi i tij shpresat ishin shuar për Packers. Ashtu ishte edhe në ndeshjen e fundit të sezonit të rregullt kur Packers duhej të fitonin patjetër ndaj Chicagos dhe e bën. Skuadra që nisi këtë rrugëtim me Wild Card arriti të fitoj titullin e pestë të Super Bowl. Falë një mbrojtjeje të shkëlqyeshme që bëri tri kapje në, që të gjitha të shndërruara në pikë më pas, përfshirë edhe një touchdown. Gjithë kjo dhe falë një lidershipi të shkëlqyeshëm nga Aaron Rodgers ishin të mjaftueshme për titullin e 13të dhe të 5tin në Super Bowl për Green Bay Packers. Ben Roethlisberger kishte dy ndërprerje gjatë tërë ndeshjes që ishte diçka e jashtëzakontë për lojtarë të kalibrit të tij dhe me përvojë në finale të SuperBowl. Sidoqoftë ai nuk arriti të fitoj unazën e tretë, e edhe Pittsburg mbeti në gjashtë tituj të NFL, të gjithë të fituar në erën SuperBowl. Big Ben mbetet në dy tituj, por, rikuperimi që ai tregoi gjatë këtij sezoni është për t’u mahnitur. Edhe në final Roethlisberger ishte afër Rodgers me 25 pasime të sukseshme nga 40 tentime dhe 263 yard. Rodgers ishte shpallur MVP, duke tejkaluar edhe suksesin e parardhësit të tij tek Packers kur fituan titullin e fundit. Bret Favre kurrë nuk ishte shpallur MVP i finaleve, gjë të cilën Rodgers e arriti në tentimin e parë. Ai pasoi 304 yard dhe ishte i suksesshëm 24 herë nga 39 tentime në pasim. Pranuesi anësor Jordy Nelson pati 9 kapje për 140 yard dhe një touchdown. Edhe ai theu rekordin e skuadrës të arritur nga Max McGee në Superbowlin e parë i cili arriti 138 yard. Ndërsa shtytësi i Packers, James Starks arriti 52 yard nga 11 tentime që nuk ishte aspak larg kundërshtarit Rashard Mendenhall që pati 63 yard nga 14 tentime. Në fund të fundit Aardon Rodgers u bë vetëm kuarterbeku i katërt që ka hedhur mbi 300 yard në superbowl, duke u futur në mesin e legjendave si Joe Montana, Steve Young e Jake Delhomme. Në fund falë rezultati 31-25, trofeu i Lombardit shkon në Green Bay, aty ku sipas shumë analistëve e ka vendin.

Ndeshja u karakterizua nga shumë ngjarje interesante. Në fillim dukej sikur Green Bay do të fitoj lehtë pasi kishin një epërsi 21:10. Megjithatë çereku i tretë i takoi Steelers-ëve të cilët ishin shumë afër të ktheheshin në lojë, por fumble në çerekun e katërt dhe më pas touchdown nga Greg Jennings rikthyen epërsinë në 11 pikë. Steelers u kthyen në lojë falë touchdown të Mike Wallace dhe konvertimit dypikësh të Antwaan Randel El duke ngushtuar rezultatin në vetëm tri pikë, që barazohej me vetëm një gol. Megjithatë goli i shënuar nga Mason Crosby riktheu epërsinë jo aq të sigurtë për Packersët, por Steelers nuk arritën të kalojnë në epërsi pasi humbën edhe tentimin e katërt për pasim. Dy gjunjëzime të Packersëve më pas mjaftuan për titullin e parë pas 13 viteve për GreenBay.

Mos të harroj të theksoj që gjatë pauzës ndërmjet dy pjesëve u shfaq një shou i mahnitshëm nga grupi i njohur muzikor, The Black Eyed Peas.

Ishte Rajon Rondo ai i cili mposhti Magics të dielën më mbrëmje. Përderisa ai vazhdonte të shënonte nga brenda, Magics vazhdonin të huqnin nga jashtë. Në fund Rondo pati 26 pikë dhe 7 asistime. Celtics morën epërsinë në fund të pjesës së parë kur shkuan në pushim me rezultat 46-43. Pas çerekut të tretë rezultati ishte 70-61, epërsi që luhatej nga 8 deri në 16 pikë. Rondo u ndihmua nga Paul Pierce që pati 18 pikë dhe Kevin Garnett që pati 16 pikë. Me këtë fitore Celtics përmirësuan serinë në 23-4 në terren të tyre. Tek Magics Dwight Howard shënëoi 28 pikë dhe 13 kërcime. Në këtë ndeshje mungoi qendra e Boston, Shaquille O’Neal që pritet të mungojë edhe në një ndeshje.

Në ndeshjet tjera mbrëmë treshja e Heat ishte më e mirë ndaj Clippersave të Blake Griffin. Miami fitoi me rezultat 97-79. Wade pati 28 pikë, dhe nga 8 kërcime e asistime. James shënoi 12 ndërsa Bosh 16 pikë. Nga rezervistët më i miri ishte Eddie House me 15 pikë të shënuar gjatë 22 minutave lojë. Blake Griffin përsëri arriti D-D me 21 pikë dhe 16 kërcime. Clippers në përgjithësi ishin të dobët në sulm duke shënuar vetëm 32.5% nga loja. Në dy ndeshjet tjera të së dielës Knicks mposhtën 76ersat me 117-103. Amare Stoudemire shënoi plot 41 pikë dhe pati 7 kërcime tek vendasit i përkrahur nga fundori Landry Fields që shënoi 25 pikë. Elton Brand ishte më i miri tek mysfirtë me 28 pikë të shënuara. Indiana që nga zëvëndësimi i trajnerit kanë filluar një seri të shkëlqyeshme. Frank Vogel mund të jetë vetëm trajner i përkohshëm, por, suksesi i tij po vërehet menjëher. Në katër ndeshjet e fundit ata kanë arritur katër fitore, 4-0. Mbrëmë ata mposhtën në udhëtim skuadrën e Nets të New Jersey me rezultat 105-86. Mike Dunleavy shënoi 17 pikë ndërsa tek vendasit Brook Lopez ishte më i miri me 13 pikë të shënuara aq sa pati edhe Devin Harris.

Në NHL ishte një ndeshje rivalësh mbrëmë. Washington priti Pittsburg. Për qytetin e Pennsylvania ishte një mbrëmë dëshpëruese pas mposhtjes edhe në finale të Super Bowl. Penguinët u mposhtën e edhe u rrahën nga vendasit, Capitals. Michal Neuvirth ishte hokejisti më i mirë i ndeshjes me 22 mbrojtje dhe një përqindje absolute, 100%. Ishte një përgjigje e shkëlqyeshme nga çeku i ri, i cili para ndeshjes nga trajneri kundërsthar Dan Bylsma u konsiderua si “i luhatshëm” . Ishte ky starti i dytë i Neuvirth pas sëmundjes së Semyon Varlamov. Tek Penguins do të mungoj Evgeni Malkin pas lëndimit të gjurit, ndërsa akoma pritet rikthimi i Sidney Crosbyt. Alex Ovechkin nuk u dënua edhe pse inicioi rrahjen, pasi u godit fort nga kundërshtarët në këmbë. Sidoqoftë Ovechkin nuk ishte në listën e shënuesve. Për vendasit shënuan Brooks Laich, Marcus Johansson, dhe Mike Knuble në golin e zbrazët, 44 sekonda para fundit.

Montreal u mposht para publikut të tyre nga autsajderët New Jersey Devils, me rezultat 4-1. Ilya Kovalchuk shënoi dy gola, ndërsa nga një shënuan Dainius Zubrus dhe Travis Zajac. Ndeshja e fundit e të dielës kishte nevojë për vazhdime ku Tampa Bay mposhti St. Louis me rezultat 4-3. Steven Stamkos shënoi golin e 40 këtë sezonë për të siguruar fitoren për vendasit në vazhdime.

Kronika Amerikane përgatitet nga Luan Morina

Rezultatet

NFL

SuperBowl

Green Bay Packers – Pittsburg Steelers 31-25

NBA

Miami – LA Clippers 97-79

New Jersey – Indiana 86-105

New York – Philadelphia 117-103

Boston – Orlando 91-80

NHL

Montreal – New Jersey 1-4

Washington – Pittsburg 0-3

Tampa Bay – St. Louis 3-4 OT

Milan

 

Titulli?!

Nëse humb Inter sonte ose nëse nuk del fituese ne do të jemi skuadra që ka fituar më së shumti në kreun e renditjes. Megjithatë 11 fitoret e Allegrit janë larg. Ai ka thënë se na nevojiten edhe 11 fitore, ndërsa unë mendoj se 4 pikë nga çdo përballje me skuadrat janë pak. Me Leccen i kemi 4, me Cesenan 3, me Catanian 4, me Lazion 2. Pra, nga katër përballje 13 pikë është 3 pikë nën mesatare që do të ishte 19 përballje nga 4 pikë që i bie 76 pikë, që nuk do të mjaftonin në pesë kampionatet e fundit për t’u bërë kampion. Por, përparësi e jona do të jetë mossuksesi i skuadrave tjera, ashtu siç ndodhi këtë xhiro. Gjithnjë kam thënë që kampionati fitohet kundër skuadrave të vogla. Nuk më pengojnë dy humbje nga Juventus e Roma, nëse mposhtim 5 skuadrat e fundit në të dyja përballjet. Është Liga e Kampionve ajo që fitohet kundër skuadrave të forta. Inter ndoshta fiton sonte, ndoshta fiton edhe kundër Fiorentinës, por kjo s’duhet të na interesojë neve. Pikërisht ashtu siç ka thënë Ibra, titulli sot është i joni. Gjithçka varet nga ne dhe nga tashti, më saktë që nga koha kur kryesojmë renditjen ne jemi ata që vendosim për titullin. Ne e fitojmë, ne e humbim, Inter, Roma e as Chievo nuk mund ta fitojnë nëse ne nuk e humbim. A mund ta fitojmë titullin? Po. Nuk dyshoj që nuk jemi të aftë për të fituar titullin, tek e fundit cila skuadër tjetër ka sukses më të madh këtë sezonë. Badihava është Leonardo në krye të Interit. Mund të jetë vetëm një ngushëllim që kanë marrë ish-trajnerin tonë. Shyqyr Zotit ne nuk jemi një skuadër që merr ata që largon Interi. Është Manchester City e edhe Arisi i Selanikut (Hector Raul Cuper) që marrin ish-trajnerët e Interit. Napoli është në formë të mirë, e edhe Lazio mund të konkurojë për pozitën e katërt, që edhe këtë vit për herë të fundit u siguron italianëve biletë për Ligën e Kampionve. Juventus nuk është kërkah, e Roma me Ranierin zgjohet më vonë se arusha nga gjumi, dhe gjithmonë përfundon ose e dyta ose e pesta, ose huq titullin ose Ligën e Kampionve.

Ibracadabra!

Shumë milanistë kanë qenë skeptik me transferimin e këtij njeriu. Disa janë gëzuar për inati të interistëve. Unë për vete kam qenë në mëdyshje për këtë njeri. Megjithatë tashti, pas pesë muajve unë konsideroj Ibrën si shpëtimtarin tonë. Pa Ibrën nuk do të ndodhte asnjëra nga ato që kemi fituar deri tashti. Ka qenë i shkëlqyeshëm në secilën ndeshje. Ka luajtur 1856 minuta në 21 lojë të gjitha si startues, vetëm tri herë është larguar, dhe ka shënuar gjithsej 13 gola. Jam i bindur që ky do të jetë sezoni më efikas në karrierën e tij, dhe atë nën fanellën e Milanit. Është e vërtetë që nuk përshtatet mirë me Paton, por në ndeshjen e fundit kam parë që është munduar të bashkëpunoj disa herë me të, por nuk ka funksionuar kushedisa. Nuk është problem taktik aq sa është psikologjik përshtatja e këtyre dyve në lojë. Këta mund të funksionojnë për mrekulli, por Pato më duket gjithnjë si ngurrues dhe sikur nuk është në qendër të vëmendjes me Ibrën, gjë që duket se i pengon Patos. Nuk di se çfarë ndodh në stërvitje, s’kam kohë të shoh 24/7 Milan Channel, por Allegri duhet të përpiqet të aktivizoj më shumë këta dy së bashku. Nuk bëhet nami nëse tri ndeshje radhazi për 270 minuta këta të dy luajnë së bashku. Duhet të gjendet mënyra për t’u përshtatur. Përndryshe jam shumë i sigurt se me ndihmën e Raiolas, Galliani mund t’ia tregoj dyert Patos për Ballotellin. Sigurisht që unë jam kundër një transferimi të tillë, dhe Pato është i vetmi që mund të tejkalojë suksesin e legjendarit Shevchenko. Është i vetmi që lëvizë në fushë, qarkullon topin, por është egoist. Është i ri, dhe ndoshta mund të përmirësohet. Megjithatë të kthehem tek Ibra. Asnjë nga milanistët nuk përton të akuzojë Ibrën pas çdo ndeshjeje ku nuk shënon ose bëhet egoist në dy-tri raste. Nuk jam një njeri që pëlqej të akuzoj fatin për mos-sukses dhe për lëndime, por vërtetë është munduar të shënoj kundër Lazios, por nuk ia arriti. Biava ishte i ngjitur për të dhe kishte ndihmën e menjëhershme të pesë vetave për të bllokuar Ibrën. Për këtë është dashur që loja të përqëndrohet tek Pato dhe Robinho më shumë, dhe sidomos Pato është dashur të jetë më aktiv në zonë duke shpërqëndruar vëmendjen e mbrojtjes kundërshtare nga Ibra.

Sidoqoftë falë Ibrës ne nuk po pranojmë gola, pasi skuadrat kundërshtare më shumë përqëndrohen të mbrohen se sa të sulmojnë. Gjithnjë kundërsulmet rezultojnë me gola të pranuar, dhe kjo është vërejtur disa herë gjatë kësaj sezone. Pra, edhe nëse nuk shënon Ibra, ai sigurisht po ndikon në mospranimin e golave.

Kozakosa

Në hokej mbi akull, në ligën NHL është e lejuar të rrahen dy lojtarë nëse heqin dorëzat. Nuk guxojnë të përdorin mjete ndihmëse dhe duhet të largojnë helmetat. Është interesante, sidomos mbrëmë ishte interesante kur portjerët e Pittsburg dhe NY Islanders u përleshën, Johnson dhe DiPietro. Çekia është 6 herë kampione bote dhe 1 herë kampione olimpike. E pikërisht nga Opava e Çekisë është me prejardhje sulmuesi i Lazios, Libor Kozak. Kozak nokautoi gjysmën e skuadrës sonë, e dy vetave u nevojitën të largohen nga loja për të mos u kthyer. Gjyqtari gjithçka bëri ishte një karton i verdhë që ishte tepër i zbehtë për të. Kozak është çek, dhe ndoshta ka shpirt agresiviteti, por sigurisht ka gabuar profesionin. Tomas Plekanec është një hokejist çek që më pëlqen së tepërmi, por ai s’është aspak afër agresivitetit të Kozak. Kozak duhej të përjashtohej shumë herët, para se të nokautohej edhe Legrottaglie. Sidoqoftë edhe gjyqtarët gabojnë, e edhe futbollistët fitojnë përvojë dhe shpresoj që Kozak që është vetëm 21 vjeç të mbledh mend ose të ndryshoj profesionin sa s’është vonë.

Do të doja të shkruaja edhe më shumë, sidomos për transferimin e fundit. Më parë dyshoja që ka ndonjë turk në kryesi, tashti jam i sigurt që edhe nëse nuk ka, dikush ka marrë këshilla nga turqit. Ky vërtetim vjen pas transferimit të njeritu me përvojë, është vetëm i dyti për nga vjetërsia në skuadër pas Yepesit, i cili për habi timen po shkëlqen. Edhe pse është i vjetër ka qenë i shkëlqyeshëm këto ndeshjet e fundit, për më tepër ka qenë më i angazhuari në lojë. Por, vjen koha e Tottenhamit e shpresoj edhe e skuadrave tjera nga Liga e Kampionve.

Luan Morina

Kolumna “Ditari i një milanisti” për ACMilan-Shqip dhe Shqipmedia

Twitter: @morinaluan

Formspring: luanmorina

Milan

 

Edhe një e hënë tjetër zgjohemi të dëshpruar nga trilleri i natës të kaluar, duke mësuar se jeta ka zbaticat dhe baticat e saja (që i mësojmë në klasë të pestë të shkollës fillore), por megjithatë në fund gjithçka mbaron mirë për personazhet pozitive në të gjitha storiet. Edhe pse ndoshta jo gjithmonë dy më të mirët shkojnë në finalen e madhe, ata gjithnjë gjejnë mënyra të masin superioritetin ndaj njëri tjetrit, dhe gjithnjë si në shumicën e filmave ai i mirë fiton. Kjo është storia (edhe pse me spoilera) e Xhek Tajllor në filmin Kurrë mos u dorëzo (Never Back Down) që është shfaqur mbrëmë në Vizion Plus. Më herët është shfaq edhe në KTV, e besoj që shumica e adoleshentëve kanë parë këtë film më herët. E vetmja lidhje e filmit me ndeshjen e mbrëmshme të Milanit është koha e transmetimit. Të dy kanë ndarë të njëjtin orar transmetimi. Por, filmi ka qenë shumë më tepër ngazëllyes se sa ndeshja. Personalisht filmin e kam parë më herët, ndërsa fati deshi që të detyrohesha të shihja një ndeshje që t’i prish nervat. Dikush thotë që po shkruaj përsëri për të kritikuar Milanin, dhe se zakonisht kujdesem që të shkruaj pas dështimeve e jo pas sukseseve, por kjo është vetëm mendja e juaj që shtyn të mendoni në atë mënyrë. E për më tepër nuk po kam çka të shkruaj, pasi që shumicën e gjërave i kam përmendur qysh në fillim të sezonit, edhe pse shumica e komentuesve (falemnderit për komentet) s’janë pajtuar me idetë e mija që p.sh. Nestas nuk duhet t’i vazhdohet kontrata, ose që duhet të largojmë mesfushën tonë shekullore (Rino33+Ambro33+Sedorf34) dhe të bazohemi tek të rinjtë. Është përvjetori i 20 pothuajse që nga fillimi i rënies së mendimit totalitar dhe të gjithë mendojmë ndryshe dhe guxojmë ta shprehim atë. Mund të pajtohemi dhe mos të pajtohemi me të, është e drejtë e jona. Por, sa më shpesh që shkruaj aq më shumë më duket vetja si një artist ku vlera e veprave të ti del në pah shumë vjet pas ai të largohet nga kjo botë. Duhet një gjeneratë e re të del dhe të kuptoj domethënien e atyre veprave. Megjithatë nuk jam as artist e as i vdekur kështu që fjalia e mësipërme nuk ka lidhje me mua aspak. E as me juve. Në fillim të sezonit, dhe në mes të sezonit të vjeshtor, kur milanistat u gëzoshin me barazimet ndaj Realit e fitoreve minimale ndaj Interit, unë vazhdoja të kritikoja shumë çka. Ka patur edhe lojëra të mira, të shkëlqyera që i kemi bërë. Edhe do të ketë akoma më shumë, por mendimi që Allegri është zgjedhja e duhur, dhe që Milani duhet të rinovojë me “Estradën” ashtu siç më pëlqen t’i quaj është gabim. E vetmja gjë pozitive për skuadrën është përmirësimi i Abates në ndeshjet e fundit. Nuk kam pritur kaq shumë prej tij, por po tregohet i suksesshëm si mbrojtës i djathtë ofanziv. Edhe në defanziv ka luajtur mirë kundër asaj bukuroshes të Realit. Tjetër gjë pozitive është… jo s’ka, mos të harxhoj më shumë kohë.

Një rikthim i shkurtër në kohë. Kundër Kaljarit kemi pasur shumë gabime, shpëtuam sepse ata nuk realizuan sidomos shanset pas asistimeve të Abiatit dhe Boneras. Shënuam në fund sepse rinovuam mesfushën tonë me Straserin e Kasanon. Udineze nuk falte asgjë, por ne ishim “zemërgjerë” me Boneran e Sedorfin. Shyqyr që Ibrahimoviç nuk është aq “zemërgjerë” si ata të parët. I gjithë stadiumi fishkëlleu axhën Sedorf të dielën, ndërsa Allegri si duket ka qenë duke dëgjuar Umbrellan e Rihannas (shikojeni tekstin e këngës dhe do ta kuptoni). Kundër Leçes nuk kemi bërë asgjë, fare asgjë. Është mëkat që ai super gol, gol fantastik të mos sjell tri pikë. Nuk di cili njeri me mend n’kokë s’do të ndryshonte mesfushën shekullore për 90 minuta. Ata munden me pas ma shumë vjet se minuta, por nuk munden të luajnë për aq minuta. Fllamini ka qenë shumë pak i angazhuar në lojë mbrëmë, nuk ka patur topin shumë, ndoshta pse është rikthyer nga lëndimi, ndoshta strategjia e Allegrit. Por, ai është i vetmi që mund të duroj 90 minuta. Ne mbajmë rezervë Straserin, ndërsa nuk ftojmë Merkelin se nevojitet të zë vend në bankën rezervë Jepesi e Odo që kurrë nuk angazhohen e lëjmë jashtë mesfushorët. Është mëkat që njëri ndër sulmet më të rrezikshme në botë të mos ketë nga kush të ushqehet. Nuk e kemi Kakan e Shevçenkon të kthehen e të marrin topa. Ibrahimoviç nuk është lojtar i tillë, e as Pato që është më i ri dhe më me pak përvojë. S’dua të fajësoj Paton sepse nuk është detyrë e tij të krijoj aksione, por është detyrë e tij të gjuaj në portë, dhe të gjuaj në gol, jo gol të futbollit amerikan, por, këtij futbollit tonë evropian. S’mund të harroj të lë anash as mbrojtjen. Bonera është xhokeri ynë. Ai futet aty ku nuk kemi lojtarë të gatshëm, dhe kurrë nuk dështon të na shkaktoj probleme. Le të luaj mbrojtës i djathtë, i majtë, apo edhe qendërmbrojtës, ai do të jetë sulmuesi shtesë për mysafirët. Krejt e patë çfarë bëri kundër Udinezes e Kaljarit, po shyqyr që mbrëmë ishte në anën e majtë, sa më larg portës tonë, aq më mirë për ne. Nesta mund të mos duket që është plakur në fytyrë, dhe mund të jetë e vetmja temë bisede e milanistëve me milanistet që mund të ju shtyej deri në një takim ose edhe më shumë, por, kjo është e vetmja që përfitoni prej tij. Nestas nuk duhet t’i vazhdohet kontrata! Po, e kam thënë, edhe e them me zë të lartë. Më mirë tani se sa të fishkëllehet si Sedorfit vitin e ardhshëm kur do të na mposht Novara ose Empoli në San Siro. Ndoshta edhe për të vlen arsyetimi që është rikthyer nga lëndimi, por edhe nëse rikthehet në formën e tij më të mirë, kjo do t’i kryente punë vetëm skuadrave që fillojnë me Al, diku në Lindjen e Afërt, ose Perëndimin e Largët, aty ku zakonisht shkojnë djemtë e bukur, në Los Anxhelos sepse shikuesit atje s’kanë lidhje me futbollin tonë,dhe s’dëshirojnë të kalojnë 90 minuta për të parë vetëm dy gola.

Ndoshta Gatuzo përgjigjen për titullin e shkrimit dëshiron ta nxjerrë nga Pato, por, e ka gabim. Vendimet e Allegrit ishin katastrofale, janë nevojitur zëvëndësime, lojtarë më të rinj. Nesta nuk është fajtor për humbje, as Abate, as Sedorf, e as Ibra. Është Allegri ai që bën formacionin dhe strategjinë. Nuk mund të mbrohesh me Sedorfin në minutat e fundit, nevojitet Straser e pse jo edhe Merkel, e të tjerët nga të rinjtë. Sulmi është në nivel por duhet dikush t’i “ushqej” me topa ata. Goli i Ibrahimoviç ishte ndër më të mirët, që nga koha e Carit Kuqezi dhe golin e tij kundër Sampdorisë nuk kam parë gola të tillë në Milan. Nëse dikush na shpëton dhe na sjell tituj këtë vit, është ai djali që para tri viteve të gjithë qeshnin me fotografinë ku e krahasonin me një deve. Tashti është ai që shpëton Milanin. Ashtu sikur Leonardo që po rrafshon kodra me Interin. Dy gjëra që kurrë nuk janë pritur të ndodhin. Por, është futboll italian. E edhe diçka më tepër se futbolli.

Luan Morina

Kolumna “Ditari i një milanisti” për ACMilan-Shqip dhe Shqipmedia

Twitter: @morinaluan

Formspring: luanmorina

Milan

 

Gjithnjë e kam përmendur që duhet t’u jepet rasti të rinjve kuqezi. Jo pse Straser shënoi, tek e fundit ai nuk është lojtar nga i cili presim gola, por, edhe Straser për ata pak minuta e edhe Merkel për shumë minuta shkëlqyen. Merkel ka bërë shumë harkime, ka futur në shansa të dy sulmuesit të cilët vetëm kanë pasur të fusin topin në gol, dhe nuk ia kanë arritur. Ishte ndeshja e parë zyrtare e Merkelit, dhe unë personalisht jam i kënaqur me paraqitjen e tij. Ajo çfarë nuk më bëri të kënaqur është paraqitja e dy sulmuesve tanë. Nuk di ç’kishin, por, nuk ishin kërkah. Patën raste nuk shfrytëzuan. Merkel nuk ishte shumë autoritativ të merrte lojën në dorë me Sedorfin në fushë, i cili në një rol pak më defanziv ka bërë nja dy-tri pasime të mira, por, në pëgjithësi ka qenë i plogësht, dhe ka vënë në pah vitet e tija. Ai dhe Gatuson kanë dështuar atë ditë, kanë humbur shumë topa, dhe vet janë humbur disa herë në fushë. Shihej se janë të papërgatitur dhe sigurisht edhe të plakur e të lodhur. Por, edhe pse i plakur, i freskët ishte Ambrozini. Shpesh më shtyn të mendoj që ky lojtar është më i ri se pjesa tjetër e mesfushës, edhe pse s’është, por, angazhimi i tij i pandërprerë gjatë gjithë lojës vërehet. Duket qartë që Ambrozini jep maksimumin që është shumë ma tepër se Gatuzo, Sedorf, e Pirlo. Sidoqoftë, Ambrozini merr notë pozitive, dhe maksimale nga skuadra e Milanit në atë ndeshje. Tashti të kaloj tek hallka më e dobët e ndeshjes kundër Kaljarit, mbrojtja. Të dorëzosh tri herë radhazi topin tek kundërshtari, këtë e bën vetëm një lojtar, Daniele Bonera. Kurrë nuk më ka pëlqyer si milanist, sepse s’është për Milanin, dhe kurrë s’do të jetë i aftë të luaj në Milan. Shpeshherë përzinte pozitën e asaj dite me atë të mbrojtësit të djathtë. S’ka faj sepse ka luajtur aty ku kemi patur mungesa, qëndror, i djathtë, i majtë etj. Silva ka qenë shtylla e mbrojtjes, por edhe ai ka gabuar nja dy herë, që nuk është shumë. Vështirë është të bëhesh merak për krejt mbrojtjen, dhe të qëndrosh i gatshëm të përmirësosh gabimet e shokut tënd në qendër, Boneras. Mbrojtësit anësor kanë patur ndeshje solide. S’më kujtohet për momentin ndonjë gabim i madh, por ka patur raste kur kanë shkuar në sulm, dhe kanë ngelur atje. Për më tepër një herë është dashur të kthehej Robinjo të mbulonte Antoninin i cili s’lodhej për t’u kthyer në pozitën e tij. Abiati ka mundur të jetë tragjedia me atë gabimin e tij. Falë Zotit, Matri nuk e priste një gabim dhe u hutua. Ka ndodhur edhe më herët këtë sezonë një gabim i tillë, nejse pak më ndryshe kundër Barit. Edhe atëherë patëm shpëtuar. Nuk është i keq, ka bërë shumë punë këtësezonë dhe ka shpëtuar disa rezultate, por edhe Amelia nuk është i keq.

Të dy zëvëndësuesit shkëlqyen. Straser ishte një bunker në mesfushë e edhe shënoi gol dhe tri pikë vitale për ne, ndërsa Kasano ringjalli sulmin mjaft mirë. Edhe pse jam skeptik në Kasanon, shpresoj të na sjell rezultate të mira. Tek e fundit është shumë më i mirë se Inzagi.

E sa i përket Allegrit, shpresoj që ka kuptuar më në në fund që duhet të bazohet tek të rinjtë. Kemi talentë dhe duhet ta shfrytëzojmë. Aktivizimi i Merkelit nga fillimi, dhe futja e Straserit në vend të Rinos, edhe pse nuk ka patur mesfushorë tjerë në dispozicion, kanë qenë vendime fantastike. Megjithatë të vazhdosh me Boneran, e Jepesin në rezervë, e Sokratis e Onjevu të mos ftohen fare është budallallëk. Askush s’mund të mohoj mbrojtjen katastrfale të enjten. Nëse asnjëri nga ata më lartë nuk është i mirë, e kemi Albertacin. Ai duhet të fitoj përvojë diku, s’mjafton Play Station 3 dhe fushat stërvitore në Milanello.

Sidoqoftë Allegri ishte guximtar dhe u shpagua kjo me një fitore ndoshta minimale, me një lojë jo shumë të lavdëruar, por me tri pikë vitale që na mbajnë larg të tjerëve. Rikthimi i tij në folenë ku u bë i madh ishte me fitore.

Luan Morina

Kolumna “Ditari i një milanisti” për ACMilan-Shqip dhe Shqipmedia

Milan

Milanista, urime viti i ri! Smile

Ka kohë që nuk kam shkruajtur në ACMilan-Shqip dhe kanë ndryshuar shumë gjëra që nga shkrimi i fundit. Kryesisht komentet që jepen janë kundër pikëpamjeve të mija kontraverze, dhe më vjen mirë që ndodhi ky konstruktivitet dhe që së paku dikush ka kohë të tepërt të lexoj shkrimet e mija. E di që ka shumë veta që i lexojnë dhe nuk komentojnë, ka të tillë që i lexojnë dhe nuk komentojnë por m’i thonë në sy ato që i mendojnë. Sido që të jetë ka mjaft që lexojnë, dhe falemnderit të gjithëve që keni lexuar vitin e kaluar.

Nejse, mjaft me ato fjali me kuptim të pshtjelltë. Kalojmë tek tema, që si zakonisht është Milani. Kështu vitin e ri rosonerët e pritën në Dubai, dhe shumë nga ne kemi parë ato fotografi të mahnitshme të futbollistëve kuqezi nga Dubai. E tërë kjo u mbyll me një titull, me një kupë, që me 31 dhjetor të këtij viti ose do të jetë e harruar krejt, ose do të jetë e vetmja kupë nga ky vit! Nëse keni shikuar lojën atë ditë, keni humbur nja 120 minuta të jetës tuaj. Sinqerisht nuk di si mendojnë të organizojnë kampionat botëror në Lindjen e Afërt ku disa stadiume nuk kanë as ndriçim të hajrit. Gjatë fillimit të stinorit, kur Pirlo nuk ishte në formë të mirë, dhe jo që është përmirësuar nga atëherë, nëpër mendimet e mija të turbullta qarkullonte një ide për të zëvëndësuar Tiago Silvan me Pirlon. Pro dhe kontra e kësaj do të ishin të shumta. Të dy janë lojtarë të ndryshëm. Pirlo është i qetë, i ngadaltë, teknik, dhe i lodhur kohëve të fundit. Silva është i shpejtë, i fortë, fizik, dhe plot energji. Me Silvan si mesfushor qëndror do të kemi një ndihmë më të madhe për mbrojtjen, një rrufe lëshues drejt portave kundërshtare, të gjithë e dimë për goditjet e tija, dhe një mbrojtës që nuk do të lejonte kundërshtarët të kalonin lehtë nëpër mesfushë, duke ndaluar shumë kundërsulme kundërshtare. Kjo do të ndihmonte që njëri nga mesfushorët ofanziv, ose sulmuesit anësor si Ronaldinjo të ishte më kreativ dhe të organizonte sulmet. Dinjo është duke fluturar për Brazil, dhe thjeshtë kjo teori bie në ujë. Do të ishte një revolucion i vogël, por ne nuk jemi të mësuar me revolucione, por me “reforma” të imta.

Nga ndeshja kundër Al Ahlit, do të përmend edhe Jepesin për të cilin kam deklaruar që ma shumë shkakton telashe se që ndihmon skuadrën. Pati një “ndeshje” me Nesta të cilin e gjakosi, më herët goditi një kundërshtar me kokë dhe… pak a shumë ishte krejt që bëri në atë ndeshje. Kasano të cilin e pritëm me gjithë atë eufori, disa herë ishte në ofsajd në pjesëlojën e parë, dhe një herë në vend që të godiste në portë, “pasoi” për portjerin kundërshtar.

Vërtetë më vjen keq që cilësi të cilët treguam në pjesëlojën e dytë mund t’i shohim vetëm në Emirates Cup gjatë verës, apo ndeshjet përgatitore. E kam fjalën për Merkelin dhe Berretan. Montelongo s’besoj që do të mbetet tek ne, por do të përfundoj disi si Grimi, nëse e blejmë sepse është vetëm i huazuar. Ju kujtohet Grimi?! S’ka lidhje edhe nëse nuk e mbani në mend!

Në fakt Merkeli nuk ishte në formë, por ai që shkëlqeu ishte Bereta. Ai tregoi lojë fantastike, jo vetëm goli, por disa veprime të tij në lojë ishin të mahnitshme. Një herë mashtroi aq mirë mbrojtjen sa që ishte mëkat që nuk shënoi. E sa për mbrojtjen e Al Ahlit, nuk kishin armë që mund t’a ndalnin Beretan. Gjynah që nuk do ta shohim këtë lojtar deri në qershor, apo ndoshta hiq.

S’ka qenë ndonjë ndeshje e madhe ashtu që nuk do të ndalem më shumë këtu. Dua të përqëndrohem në planet afatgjata, vjetore. Duhet të shohim disa gjëra. Jemi plakur. Nëse edhe këtë vit vazhdojmë kontrata, vitin e ardhshëm do të jetë vonë. Së paku 6 lojtarë duhet të largohen, lojtarë që kanë paga të mëdha. Nuk mund të mbështetemi në futbollistë të vjetër në mesfushë dhe mbrojtje. Nuk kemi kushedi çfarë skuadre pos në repartin sulmues, edhe pse s’besoj që Kasano do të jetë i hajrit për neve. Nuk kemi nevojë për transfere të shumta. Kemi akademinë, kemi cilësi, është koha që të dalin në pah Maldinat e Albertinat e rinj. Të lëmë Ballotellin e ish-interistat. Atyre s’u ka mbetur gjë pos të merren me ish-milanista. S’kem nevojë të ulemi aq poshtë.

Dhe për fund kur jemi tek Milani e kam vetëm një dëshirë. Dëshiroj të fitojmë me 17 dhjetor këtë vit.

Luan Morina

Kolumna “Ditari i një milanisti” për ACMilan-Shqip dhe Shqipmedia

Twitter: @morinaluan

Formspring: luanmorina

lomsh

Rita Zeqiri, Astrit Kryeziu, dhe e mirënjohura Majlinda Kelmendi janë vetëm disa nga yjet e të ardhmes së sportit kosovar. Ata nuk do të turpëronin Kosovën po të merrnin pjesë në garat ndërkombëtare kudo dhe çfarëdo qofshin ato, nga garat regjionale deri tek olimpiadat. Çfarë bëjnë këta tre dhe shumë bashkëmoshatarë dhe kolegë të tyre. Stërvisin çdo ditë, japin maksimumin, heqin dorë nga disa aktivitete tjera për t’u përkushtuar punës dhe çdo herë arrijnë rezultate më të mira se në të kaluarën. Kjo është e tëra që bëjnë dhe mund të bëjnë. Nuk është punë e tyre të shkojnë në takime me federatat e tyre, në kongrese të ndryshme, apo të kërkojnë takime dhe marrëveshje me zyrtarë të huaj ndërkombëtarë. Nuk është detyrë e këtyre të rinjve të vrapojnë nëpër dyert e federatave fqinje, mike, dhe konfederatave ndërkombëtare. Këta po bëjnë maksimumin, por janë pre e papunësisë së hipokritëve dembel që kanë zaptuar kolltuqet e buta që tashmë për dy dekada kanë marrë edhe formën e prapanicës së këtyre zaptuesve dhe ëndërr-shkatërruesve të jo një, por, gati tri gjeneratave sportistësh kosovar.

S’është vetëm mëkat, por është krim të prishësh ëndërrat e talentëve të sportit kosovar.

Tashmë 11 vite jemi të lirë, gati tre vite të pavarur, dhe akoma s’kemi asnjë federatë të madhe të njohur ndërkombëtarisht me të drejta të plota. Kemi vetëm ping pongun dhe peshëngritjen që janë pranuar me të drejta të plota, por edhe në këto federata nuk ka patur ndonjë sukses. Do t’u kthehem në fund këtyre federatave.

Kështu që para luftës (i referohem ngjarjeve të viteve ‘98-99) kreu i FFK-së ka qenë Sabri Hashani. Storia e tij, si edhe e shumë të tjerëve i ngjan ndonjë skenari të Shekspirit. Hashani gjithnjë kritikohej, pastaj u largua, u rikthye për t’u larguar më në fund. Për gjithë këtë kohë sa mundonin të ndryshonin kreun e FFK-së, nuk është bërë asnjë hap drejt ndërkombëtarizimit. Personalisht, kam qenë kundër Hashanit dhe mirë që është ndërruar. Edhe me largimin e tij dhe më vonë ardhjen e Vokrrit në krye të FFK-së u shfaqën pakënaqësi nga kundërkandidatët tjerë, për manipulime e gjëra tjera. Vokrri nuk ka patur ndoshta shumë punë, por ka reputacion dhe më lehtë mund të depërtojë në mekanizmat ndërkombëtar, në takime, kongrese e të ngjashme. Kjo është parë në takmin me Blaterin si dhe marrëveshjen për njohjen e çertifikatave të lojtarëve kosovar. Këtu punët kanë filluar të lëvizin, jo ndoshta me ritëm të shpejtë, por diçka po punohet. Tashti duhet të provojmë që së paku kampioni të marrë pjesë në kualifikimet e Europa Ligë nëse asgjë, edhe nëse jo nën flamurin e Kosovës, do të ishte e pranueshme edhe nën flamurin e UEFA-s, apo pa flamur fare, vetëm të shpërthehej barriera.

Basketbolli në Kosovë për tri-katër vite ka qenë shumë më i popullarizuar se në shumë vende ballkanike, më shumë se në Shqipëri, Maqedoni, e Bullgari. Megjithatë në majën e suksesit në FBK filluan përçarjet. Së pari ekipet që menduan që ishin shumë të forta krijuan Ligën Profesioniste që kishte shumë amatorë, dhe më pas gradualisht filloi të binte cilësia. Nuk mundëm të shpërthenim atëherë barrierën ndërsa tani është më ndryshe. Popullaritet nuk ka aq sa ka qenë atëherë, por, thonë se rrethanat në FIBA kanë ndryshuar për të mirën e Kosovës. Tani nuk duhet të flejmë duhet të lëvizim, të punojmë. Që nga paslufta deri tani kemi patur tre kryetar federate, që është një shembull i mirë, por megjithatë planet duhet të vazhdojnë të zbatohen.

Hendbolli është ndër sportet e para që ka thyer barrierën. Ka disa vite që ekipet tona marrin pjesë në garat evropiane, jemi të pranuar me të drejta të kufizuara në EHF, dhe dalëngadalë do të ndodh edhe kjo. Mexhid Devaja është kryetar më shumë se 10 vite, por një njeriu punëtor si ai, unë do ta lëja edhe 20 vite tjera në krye, sepse njeriu punon, është i zoti.

Federata e volejbollit është mëkat si po drejtohet ashtu si shumica e federatave tjera për të cilat nuk ja vlen të shkruaj këtu. Megjithatë ka njerëz punëtor në disa prej tyre, por ja që nuk arrijnë të marrin punët në dorë dhe të udhëheqin si duhet.

Tani dua të kthehem tek dy federatat e pranuara ndërkombëtarisht. Federatat e ping pongu është federata e parë e pranuar ndërkombëtarisht me të drejta të plota. Por, vetëm kjo ka ndodhur. S’vonoi shumë dhe që nga atëherë plasaritjet që kanë ndodhur në këtë federatët kanë qenë të turpshme. Së pari federata ka zgjedhur një djalosh që nuk mendoi që ka patur 20 vjet kur ishte kryetar i Federatës, pa pikë përvoje. Pastaj kjo federatë është ndarë në dysh, ministra ka njohur vetëm njërën federatë, aty ku ishin një pjesë e të “akrabavë dhe jaranëve” të ministrisë, edhe pse ishin ata që ndanë federatën, ndërsa aty ku ishin ping pongistët dhe punëtorët u injoruan nga ministria e atëhershme. Federata “ilegale” sipas ministrisë u shua dhe nuk funksionon më. Ndërsa FPPK-ja e tashme, ka disa vite që merr pjesë në gara ndërkombëtare, dhe nuk mendoj që ka fituar ndonjë set të vetëm. Kjo ndodh kur për trajner ke njerëz si Nehat Çitaku që ka familjarizuar me kombëtare e me federatë së bashku. Njeriu edhe pse në moshë të shtyer injoronte kampionët në fuqi të asaj kohe Jeton Azizin dhe të tjerët dhe zgjedhte të merrte i vetëm pjesë në kampionate botërore e evropiane duke shënuar rezultat turpëruese për ping pongun tonë. Tani ne krenohemi për çdo kampionat nëse fitojmë disa poena më shumë se në të kaluarin. Sete e ndeshje të fituara do të vendosnim në një “holl të famës”.

Federata e peshëngritjes është federatë e re dhe për t’u parë suksesi i tyre, ashtu sikur i mundjes duhet të presim kohë. S’dua të paragjykoj askë para se të ketë rastin për t’u dëshmuar. Nëse nuk gaboj më duket që edhe Federata e Mundjes është e pranuar. Pra qenkan tri

Besim Hasani është kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës që nga vitet e ’94-95, sa mbaj mend unë, atëherë kur lexojsha Refleksin Sportiv, nga aty më kujtohet emri i tij. Kjo i bie rrafsh 15 vite e më shumë. Çka ka arritur ky institucion për tërë këto vite? Asgjë! Nuk ka qenë aspak meritë e kreut të KOK-ut për pranimin e atyre tri federatave. Për më tepër, meritë e tij ka qenë shkatërrimi i një federate, atë të ping pongut kur vendosi në krye të birin e tij të papërvojë, në federatën e vetme të pranuar ndërkombëtarisht me të drejta të plota. Në intervistëne fundit për Kohën Ditore, ai thotë që nuk kemi aplikuar për pranim në IOC (Komiteti Olimpik Ndërkomëbtar) sepse kushtet teknike akoma nuk janë plotësuar, që është numri prej pesë federatave të pranuara. Pra, duhet të pranohen federatat dhe pastaj vjen puna e tij. Për 15 vite edhe unë do të qëndroja në shtëpi duke bërë punë në bahçe dhe pastaj kur të pranohen do të filloja të merresha me këtë punë. Si njeriu i parë i sportit në Kosovë ai duhet të ndërmarrë iniciativa, nisma, të krijoj strategji për të gjetur ndonjë rrugicë që do të çonte tek ndonjë federatë për t’u pranuar. Serbia nuk po punon kundër nesh sa duhet. Jemi ne ata që nuk po brengosemi për punët tona. Jemi ne ata që duhet të punojmë më shumë, e jo të presim të na lusin për pranim ndërkombëtarët. Nuk di çfarë përmend në raportin vjetor të punës kryetari i KOK-ut në fund të vitit! S’di sa punë ka bërë!?!

Sa për institucionet politike ato s’çajnë trapin për sport. Thaqi uron Ditën e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, kaq mjafton. Nuk ka investime nuk ka asgjë. Secili ministër që vjen ka “strategjinë” e tij e cila vonon tërë mandatin të hartohet, dhe pastaj kështu vazhdon.

Kohëve të fundit po qarkullojnë zërat për bashkimin sportiv në mes të Shqipërisë dhe Kosovës. Çfarë po mendojnë?? Po mendojnë që kombëtarja shqiptare tashmë është e pastër vetëm me “shqiptar”?? Aty janë gjysma, dhe të gjithë ata që japin më së shumti për kombëtaren nga Kosova. Shqipëria nuk ka kombëtare, është kombëtarja shqiptaro-kosovare. E për trajtimin e kosovarëve në kombëtaren e futbollit kam shkruajtur më herët. Për atë uroj vëllëzërit Kuqi, Behramin, e super-talentin më të ri të futbollit kosovar, Fatos Beqirajn që kanë bërë zgjedhje të duhura!

Për më tepër po shihen edhe sukseset e sportit shqiptar karshi atij kosovar! Edhe pse janë të pavarur tashmë 98 vite, s’kanë shënuar ndonjë sukses. S’kanë asnjë medale olimpike, e lëre më të marrin pjesë në ndonjë kampionat botëror ekipor në sportet e njohura. Ishujt Virxhin, Sudani, Antilet Holandeze, Maqedonia, Haiti, Gujana, Xhibuti, Burundi, e Afganistani kanë medale më shumë se Shqipëria.

Luan Morina

Kolumna “E hënë, mëngjes” për Shqipmedia

Twitter: @morinaluan

Formspring: luanmorina