Filma

Paris Can Wait (2016) – Recensim

Nëse një gjë mund të vërtetojmë nga ky film është që Sofia Coppola i ka ngjarë të atit. E bija e Francis Ford Coppola-s, shyqyr që nuk ka trashëguar ‘talentin’ e së ëmës në filmbërje.

Eleanor Coppola, për ata që s’kanë arritur të mbledhin 2+2 nga paragrafi i epërm, bashkëshortja e regjisorit të filmit tuaj të preferuar (jo për krejt), dhe e ëma e regjisores për filmat e të cilës me gjasë s’keni dëgjuar kurrë, do të mbetet nga ata emra që s’do të dëgjonit kurrë po të mos kishit lexuar këtë recensim.

Si regjisor dhe skenariste (producentë gjithashtu), Eleanor Coppola provon të sjell një tregim kinse romantik të gruas së një aktori i cili gjatë turneut nëpër Evropë, para se të arrij në Paris, duhet të bëj disa skena në Budapest. Aty ai do të shkoj me aeroplan, nga Roma, dhe gruaja e tij e cila ka një kokë-dhimbje është përgatitur të shkoj, amaaaa, pak para se të hipin në aeroplan, piloti i thotë që nëse nuk i ka kaluar kokë-dhimbja, fluturimi do ti bëj dëm! Dhe kështu ajo vendos të udhëtoj në Paris me tren, por një ZhanZhak simpatik, miku i burrit të saj ofron ta dërgoj atë deri në Paris me veturë, pasi që edhe vet do të udhëtoj, duke premtuar që mos ta prek as me një gisht!

Disi bindet ajo dhe nisen në udhëtim. Në çdo ndalësë, në çdo telefonatë me bashkëshortin e saj, ai ia rikujton që ZhanZhaku është francez çapkën dhe kurrë nuk i dihet francezëve. Këto dhe klishe tjera vazhdojnë përgjatë gjithë këtij udhëtimi i cili fatkeqësisht nuk ofron as peizazhe të bukura rrugës. As kinematografia nuk e mbulon dështimin total të filmit.

Pa dialogë e me shumë klishe mund të udhëtoni në Paris bashkë me Diane Lane, derisa Alec Baldwin ju pret në Budapest, por unë s’do të ju rekomandoja të merrnit këtë udhëtim. Nota personale: 2/5