Filma

Patriots Day (2016) – Recensim

Në njërën nga episodet e fundit të Simpsonave, Homeri në mënyrën e tij të zakonshme thumbon obsesionin amerikan me ndjekjet policore nëpër rrugët e Amerikës të cilat vlerësohen edhe si pjesë argëtuese e pasdites. ‘Normale’ janë edhe vrasjet e disa personave brenda një dite në vende të ndryshme në SHBA. Me ngjarje ‘normale’ zhvillohet edhe tregimi tek filmi ‘Patriots Day’.

Derisa Patriots është në mesin e ekipeve më hileqare në histori të sportit (konkurron fuqishëm me të dënuarit Juventusin, Fenerbahce, dhe të padënuarit – ekipin e parashkollorëve), filmi nuk ka të bëj me ekipin e shfryrësit Tom Brady. Sulmi terrorist në Maratonën e Bostonit është temë e filmit.

Filmi vjen nga Peter Berg, i cili pos regjisë së filmit është edhe në pjesën e një ekipi prej nja shtatë skenaristëve. Ekipi ka bërë punë të shkëlqyeshme në skenar. Gjithçka nis para maratonës, me përgatitjet e dorasëve për krimin, si dhe në një univers tjetër sjell personat që do të jenë pjesë kësaj tragjedie para e pas. Pos këtij njoftimi, filmi ka një shtrirje kohore të ngjarjeve në mënyrë të përkryer për kronikën e kësaj ngjarjeje. Sjell ato çfarë na interesojnë, dhe i lidh me sukses pa lënë hapësirë ndërmjet. Nis në momentin që duhet, shpërthimi ndodh kur duhet, dhe përfundon në momentin e duhur. Është një shpërndarje efektive e kohës, e punë e mençur ka qenë edhe përfshirja e vet atyre që kanë qenë pjesë e kësaj tragjedie, me rrëfimet e tyre personale, sado të shkurtra qofshin ato.

Mark Wahlberg ka njërin nga rolet kryesore, edhe pse është vetëm një detektiv lokal në këtë ngjarje. Zotësia e tij në filma të këtillë është vërejtur moti kohë, kështu që nuk kemi çfarë të dyshojmë apo komentojmë për aktrimin e tij. Një aktor tjetër i preferuar për mua, John Goodman vjen në rolin e komisionerit policor, ngjashëm pa më dëshpëruar. Nga emrat tjerë përfshihen Kevin Bacon, JK Simmons, Michelle Monaghan, e të tjerë. Derisa këta dy të fundit kanë më pak hapësirë, Bacon në rolin e shefit të FBI në lidhje me misionin e kërkimit për dorasit është në plan të parë të ngjarjeve.

Nëse keni dëgjuar për ngjarjen atëherë pak a shumë e dini përfundimin, por detajet dhe inskenimi është arsye kryesore për të parë filmin. Nëse nuk keni dëgjuar për ngjarjen, hala ma mirë, do të jeni pjesë e një tregimi goxha mirë të përpunuar. Nota personale: 4/5