Filma

Phantom Thread (2017) – Recensim

Daniel Day-Lewis ka kaluar pesë vite nga filmi i kaluar për të paralajmëruar pensionimin nga aktrimi pas filmit ‘Phantom Thread’. Përkushtimi i tij i ‘tepruar’ për vetëm një film, për dy-tri vite e ndoshta edhe më shumë, vetëm e vetëm që të futet në karakterin që e portretizon nuk më duket normal. Edhe nuk është gjë normale. Diqysh mund të duket si diçka snobe nga këndvështrimi i dikujt që provon të bëj disa profesione njëkohësisht.

Por, asnjëri nuk është aq i përkryer sa aktrimi i Daniel Day-Lewis. Me tre Oskarë të fituar, ai ka gjetur metodën për tu shpërblyer për punën e aktrimit. Në çdo film, ai arrin të mishërohet pothuajse në tërësi në karakterin të cilin portretizon.

Pa marr parasysh se si është në origjinal, si tek Lincolni, si tek rrobaqepësi që kemi tek ‘Phantom Thread’, si tek disa prej filmave të tij të fundit, ne nuk shohim aktorin Daniel Day-Lewis. Ne shohim karakterin të cilin ai portretizon. Shohim Linkolnin, shohim një prind që ka zbuluar pasurinë e naftës, shohim një rrobaqepës. Edhe pse portretizohen nga i njëjti aktor, të tre janë karaktere të ndryshëm.

Dhe kjo e bën Daniel Day-Lewis atë që është – një aktor i mahnitshëm, i cili me mëritë po shkon në pension.

Edhe tek ‘Phantom Thread’ kemi aktrimin e tij sublim. Megjithatë, të aktrosh karshi tij nuk është punë aq e lehtë ndoshta. Sally Field e ka bërë për mrekulli tek ‘Lincoln’ duke arritur të marr edhe dritën kryesore në disa skena. Tek ‘Phantom Thread’ kemi aktoren Vicky Krieps. Edhe pse nuk e kam parë më herët, pos tek ‘Colonia’ nga e cila nuk më kujtohet aq shumë, Krieps duket të ketë përvojë të madhe nga filmat evropian kryesisht.

Aktrimi i saj karshi Daniel Day-Lewis, ku luan rolin e muzës së tij, ka qenë guximtar do të thosha. Nuk vërehet moment ligështie, nënshtrimi karshi karakterit përballë. Përkundrazi, në disa momente në pjesën e dytë të filmit ajo edhe merr timonin mbi ngjarjen duke e bërë filmin të përkryer.

Filmi bëhet i përkryer me një skenar dhe regji të shkëlqyeshme të Paul Thomas Anderson. Regjia ndihmohet nga ngjyrat që e bëjnë ‘Phantom Thread’-in njërin nga filmat më të arrirë të vitit në këtë aspekt. Shto edhe kostumet, dhe mbi të gjitha kolonën zanore, dhe kemi një vepër artistike të përkryer.

Për këtë arsye, ‘Phantom Thread’ është një film i mbushur me art, në çdo aspekt të mundshëm. Është i qetë, i fuqishëm njëkohësisht. Nota personale: 5/5