Filma

Philomena (2013) – Recensim

_D3S8512.NEF

Steve Coogan më ka befasuar për të mirë në këtë film. Nuk besoj se e kam parë atë në një rol kaq serioz më parë, edhe pse numri i filmave që kam shikuar me atë në rolin kryesor është jo shumë i madh.

Tek ‘Philomena’ ai bën një punë të shkëlqyeshme në rolin e një ish-zyrtari të lartë, tani gazetar hulumtues/shkrimtar. Ka një karakter të ngritur, të vendosur, të urtë, një karakter që të bën ta simpatizosh për gjatë gjithë filmit. Arrin të gjesh një afrim me këtë karakter, sidomos kur është në biseda me karakterin e Philomenës, e cila shpesh është e gatshme të heq dorë nga misioni për të gjetur të birin e saj të humbur.

Pra, tema e filmit ka të bëj me një grua në moshë, Philomena, e cila pas gati gjysmë shekulli nis misionin për të kërkuar të birin e saj që e kishte dhënë për adaptim në Kishën lokale e cila i kishte hapur derën pas një shtatzënie të hershme që kishte rezultuar me dëbim nga shtëpia nga ana e babait të saj. Në anën tjetër Martin Sixsmith është shkarkuar nga pozita e këshilltarit qeveritar për shkak të një skandali. Ai përgatitet të shkruaj për historinë ruse, megjithatë bindet për të marrë rastin e Philomenës, për të cilin rast ka hezitim në fillim.

Të dy nisen një udhëtim që pas Britanisë i shpie në SHBA. Harmonia e dy karaktereve është e këndshme, e më së shumti më ka pëlqyer biseda që bëjnë gjatë udhëtimit në aeroport ku Philomena shpjegon temën e një libri mbi kuaj. Këtu shohim karakterin e Martinit në luftë të butë me vetveten pasi duhet të duroj gjëra që nuk janë për qejfin e tij, por megjithatë nuk shfaq ndonjë pakënaqësi duke vazhduar urtësisht me temën. Një situatë e këtillë vazhdon për pjesën më të madhe të filmit.

E shkak për këtë mirëkuptim të Martinit është karakteri i Philomenës e cila edhe pa marrë parasysh të kaluarën e dhimbshme është një grua në moshë, e urtë, e qetë, e sjellshme, dhe jo shumë shtytëse në misionin që ka nisur. Mu për këtë arsye aktrimi i Dench është i shkëlqyeshëm. Karakter të kundërt, pra, ka Martin, i cili është më rigoroz në qëllimin që kanë. Përkundër kësaj harmonia e tyre i jep filmit shije.

Filmi, kah mesi, kur zbulohet pak a shumë e vërtetat për të birin e Philomenës, duket se do të jetë i kotë në pjesën e dytë. Por, kjo nuk ndodh, pak për faktin që filmi është tamam i gjatë, si dhe për zotësinë e skenaristit për të gjetur mënyra të zhvilloj temën, e cila duket se sillet rreth e rrotull një gjëje, duke dhënë një përshtypje frikësuese ndaj kësaj, frika nga përballja me të vërtetën e fundit. Si shikues të mban në hall se çfarë do të jetë reagimi ndaj kësaj ‘përballje’ në fund të filmit.

‘Philomena’ është filmi i mirë, kinematografi e bukur, me harmoninë e shkëlqyeshme të Steve Coogan e Judi Dench.

Nota personale: 8/10