Filma

Pitch Perfect 2 (2015) – Recensim

Filmat mjuzikëll, apo që kanë të bëjnë me muzikën përgjithësi kanë një vend të veçantë në dashurinë time ndaj kinematografisë. Çdo prurje e këtillë e re në industrinë e kinematografisë zgjon një kërshëri, dhe jo rrallëherë arrin të më pëlqej. Kështu ndodhi edhe me ‘Pitch Perfect’. Ka qenë një film i mirë, i këndshëm, i hareshëm.

Jo krejt këto përsëriten me vazhdimin e dytë. Seksizëm, racizëm, eufemizëm, e shumëçka tjetër zë një vend të madh përgjatë këtij filmi që është së paku për nja 20 minuta ma i gjatë se që do të duhej të ishte.

Elizabeth Banks pos që kthehet në rolin e prezantuesen, angazhohet edhe me punën pas kamerave si regjisore. Në debutimin e saj të parë si regjisore e filmit të plotë, Banks nuk ka shumë punë të madhe për të bërë. E njëjta gjë vlen edhe për skenaristen Kay Cannon e cila debuton gjithashtu në film të gjatë. Shyqyr që nuk u është dashur punë më e ngarkuar në këtë drejtim për të nis karrierën me një film mesatar.

Aktrimi është i njëjti me filmin e parë. I kemi të njëjtat personazhe kryesisht, të njëjtit aktorë e aktore. Tema shtjellohet përafërsisht njëjtë, vetëm se tani në një nivel më të lartë. Prurje e mirë, e këndshme, interesante ka qenë Hailee Steinfeld të cilën nuk e kam parë në një rol kaq të gjerë që nga ‘True Grit’. Besoj që është ide e mirë nëse pjesa e tretë përqendrohet rreth saj. Paraqitja e Snoop Dog, Keegan-Michael Key, si dhe performanca e Green Bay Packers ka qenë shpërqendrim i mirë nga kotësia e temës.

Përfundimisht mendoj që është film i hareshëm, por jo kushedi sa i mirë. Ka mundur të jetë më i shkurtër dhe më pak klishe, i parashikueshëm. Është aq thjesht i përpunuar sa që dihet çdo veprim i radhës pa pikë dyshimi. Jo që duhet të presim ndonjë mister, megjithatë ka mundur të kontribuohet pak më shumë në skenar. Nëse jo për kah cilësia, për kah kohëzgjatja. Nuk jam i sigurt që na nevojitet një ‘Pitch Perfect 3’, por do ta shikoja edhe atë. Nota personale: 3/5