Filma

Prince Avalanche

Prince_Avalance

Fansa të ‘Into the Wild’ është koha juaj! Filmi me Emile Hirsch është shndërruar në një kult, sidomos tek ‘maniakët e filmave’ me shumë fansa që janë të intriguar nga tregimi dhe etja për ti ikur realitetit të brishtë të invadimit teknologjik të jetëve tona.

Tregim i përafërt, përsëri me Emile Hirsch vjen në filmin ‘Prince Avalanche’. Llens (Emile Hirsch) është duke punuar së bashku me të dashurin e motrës së tij, e cila ka një fëmijë me burrin e saj të mëparshëm. Alvini (Paul Rudd) është i dashuri i motrës së Llensit, dhe punonjës në kompani për mirëmbajtje rrugësh. Shumicën e kohës e kalon në rrugë dytësore, të frekuentuara vetëm nga ‘kamionxhinjë’, të cilët shërbejnë si i vetmi mjet komunikimi me botën e jashtme.

Filmi të qon mallin sikur është në qoshe të botës, thellë në pyje, larg nga njerëzimi. E gjithë kjo e vendosur në vitin 1988, ngjall një nostalgji për kohën kur radioja ishte mjet i vetëm komunikimi për çiftin e Alvinit dhe Llensit. Krejt skenat janë të realizuara në natyrë, një ambient magjepsës, plotë ngjyra, me një fotografi të shkëlqyeshme. Është pothuajse e pabesueshme që një film i këtillë të vijë nga bëmat e regjisorit të ‘Pineapple Express’.

David Gordon Green ka bërë një punë tepër të mirë në adaptimin e tregimit të islandezit Hafsteinn Gunnar Sigurdsson. Në fakt, ekziston edhe filmi origjinal islandez. Edhe tregimi përshtatet me reliefin islandez. Green bën edhe regjinë edhe skenarin, dhe për mendimin tim ia del mbanë në të dyjat. Në fund del një film i shkëlqyeshëm, me një tregim interesant duke ofruar një dramë të këndshme me komedi të lehtë kohë pas kohe.

Harmonia në ekran e Rudd dhe Hirsch është për çdo lëvdatë. Janë të vetmit aktor në film nëse nuk numërojmë shoferin e kamionit, dhe gruan misterioze që shihet në ato anë. Kjo e fundit nuk është asgjë paranormale, thjeshtë një pensioniste që bën autostop. Të dy, edhe Rudd edhe Hirsch nuk e gjejnë të vështirë të përshtaten me temën e këtij filmi periodik. Aktrimi i tyre është i shkëlqyeshëm, që edhe një herë dëshmon për aftësitë e tyre, sidomos të Hirsch në realizimin e filmave të këtillë.

Në përgjithësi është një film i shkëlqyeshëm me shumë tipare të nivelit më të lartë. David Gordon Green bën punë të mahnitshme prapa kamerave, derisa para tyre kemi një Paul Rudd dhe Emile Hirsch në nivelin më të lartë të aktrimit.

Luan Morina
Kritik për TV&Film