Filma

The Princess Bride (1987) – Recensim

Gjyshërit janë zakonisht ata që na tregojnë përralla kur jemi të vegjël. Mirëpo dikush nuk ka pasur gjysh apo gjyshe si fëmijë dhe detyra e tregimit të përrallave u ka rënë prindërve. Sidomos kur kemi qenë të sëmurë, një tregim, një këngë e lehtë, apo veç edhe një ledhatim i butë i kokës kanë qenë ilaçi më i mirë. Por, dikush nuk ka pasur as prindër! Kush u ka treguar atyre përralla? Kush u ka pëshpëritur ninullë të me një zë të lehtë? Kush u ka ledhatuar kokën?

Si sot fëmijët, edhe dy dekada më parë Nipi i ftohur është hezitues kur Gjyshi vjen ta vizitoj me një libër përrallash nën sqetull. Për të preferuar një libër para çfarëdo pajisje teknologjike që ka në dorë, si sot si atëherë, do të duhej të ishte një tregim, një përrallë magjepsës. Ashtu edhe është kjo!

Batërkap është një vajzë e bukur e cila i jep zahmetin djalit fermer duke e shtyrë të bëj njëqind punë për të. Përgjigja e tij në çdo kërkesë është ‘si të duash’. Gjërat lëvizin shpejt dhe Uestlli duhet të niset për të gjet punë. Anija e tij kapet nga piratët e pafalshëm. Pas pesë viteve pritje, në qytetin e Batërkap vjen një mbret i cili vendos të martohet me Batërkap si dhuratë për popullin e tij. Pas kësaj, nja tre veta kidnapojnë princeshën me qëllim për të ringjall luftën ndërmjet mbretit dhe armiqve matanë detit.

Pasi kalojnë detin, gjiganti Fezik, lideri i pakos së kidnapuesve Vizini, dhe Inigo vërejnë që po ndiqen nga një njeri me maskë, njeri i cili del të jetë Uestlli. Dialogu magjepsës i kësaj përralle të realizuar për merak si film vetëm sa merr ngritjen në cilësi në këtë pikë, atëherë kur Inigo e Uestlli dyluftojnë.

Të dy këta kanë një qëllim – Uestlli të gjej Batërkapin, e Inigo…

Çfarë do ti thoni vdekjes që ju ka marr më të dashurit tuaj? Zotit?

Mllefi i Inigos nuk është me diçka mbinatyrore, porse me një njeri me gjashtë gishta në dorën e djathtë, i cili i kishte vrarë të atin. Për të, ai tashmë ka përgatitur frazën të cilën s’do ta harroni kurrë pas këtij filmi – I am Inigo Montoya. You killed my father. Prepare to die. Dhe Inigo Montoya është një aktori që luan një karakter shumë të dashur në një serial që posa ka kryer sezonin e gjashtë. Të tjerët, janë emra relativisht të njohur ndoshta për shumicën.

E panjohur është përralla, tregimi, njëri ndër filmat më të mirë familjar të bërë ndonjëherë. Është një abetare kinematografike për fëmijët që kanë hyrë në dekadën e dytë të jetës së tyre. Jo vetëm për ta. Për të rriturit edhe më i këndshëm. Është film përplot citate, skena anekdotike, edukim mbi jetën në njëfarë mënyre. Nota personale: 5/5