lomsh

Qika jeme (1991) – Recensim

“M’fal qika jeme që gjithmonë ke qenë e rrethume me vdekjen. Më fal që s’kom mujt me t’msu ma shumë për vdekjen, me t’cilën prej që e mban n’mend ke qenë e rrethume. Më fal që s’kom ditë ma shumë për vdekjen, por që për paraqitjen tonë të fundit publike në këtë jetë duhet mu duk sa më mirë që mundemi. M’fal…”

Këtë punë bën Harry Sultenfuss, makijazhin për të vdekurit para ceremonisë së largimit nga kjo botë. Punë të ngjashme bën edhe motra e Mollyt tek seria komedi Mike&Molly, një seri që mundet të ju pëlqej goxha shumë nëse jeni në komeditë familjare, romantike. Për dallim nga Mike, Harry është i vetëm, ka një bijë dhe të ëmën. Bija e tij ka një emër të çuditshëm – Vada. Ngjashëm si krejt tregimi, krejt filmi, ashtu është edhe emri. Ajo ka një shok të ngushtë me të cilin eksploron jetën, botën e cila është e mbështjelltë me vdekjen në çdo derë që hap. Për këtë ka të ndaluar të hap disa dera në shtëpinë e saj, aty ku rritet me të vdekurit.

Si e keni perceptuar vdekjen kur keni qenë fëmijë parashkollor? Çfarë keni menduar për vdekjen si fëmijë tabularasë, pa prekur mendimi dhe drejtimi shpirtëror i prindërve apo të rriturve tjerë rreth jush? Për shumicën ndoshta ka qenë një temë tabu, diçka që mësojmë kur të rritemi edhe pak. Dhe pastaj nisemi të ëndërrojmë për rritjen dhe vetëm kur bëhet shumë vonë e kuptojmë që rritja, mosha madhore është kurthi më i keq në këtë univers.

Për regjisorin dhe skenaristin, ‘My Girl’ mbetet kulmi i karrierës së tyre. Kasti ka kaluar nëpër projekte tjera edhe më të mira, duke nisur nga shoku i Vadas, Tomasi. Ai vihet në jetë nga Macaulay Culkin, çuni të cilin të gjithë e njohim nga ‘Home Alone’. E Vadën tani e shohim në Veep, si Amy, rol të cilin për merak e jetëson Anna Chlumsky. Këta dy kanë një harmoni të lezetshme në skenë duke përqafuar me zell një shoqëri fëmijësh kureshtar, kureshtje e cila në masë të madhe merr një ngjyrë të hareshme.

Një rrugëtim, mësim për vdekjen që përshkruan kureshtjen tonë fëmijërore, takimin e parë me nocionin e vdekjes, vjen i realizuar me një skenar dhe aktrim të shkëlqyeshëm. Nota personale: 4/5