Filma

Rain Man (1988) – Recensim

Para Hodorit ka qenë Raymondi. Njëjtë si Hodori, edhe Raymondi ka mbrojtur diçka. Dikë. Charlien.

Charlie Babbit ka një jetë me aspirata luksoze. Së fundmi është duke pritur tri vetura Lamborghini për t’i rishitur në Los Anxheles. Ndërkohë mëson që babai me të cilin ishin prishur kohë më parë kishte vdekur. Pos, funeralit, ai duhet të dëgjoj edhe testamentin, nga i cili tre milion i shkojnë dikujt që jeton në një institucion mental. Për Charlien ka vetëm një veturë klasike. Pak i dëshpëruar, pak kurioz, Charlie provon të gjej përfituesin më të madh të trashëgimisë që duhej t’i takonte atij.

Kalimi prej viteve ‘80ta në të ‘90tat simbolizohej nga rënia e bllokut lindor, tashmë të lëkundur për gati një dekadë, pa ndonjë lider të dobishëm, dhe bukurinë e Tom Cruise e cila ishte pjesë e çdo filmi të madh hollivudian. Tom Cruise vjen në rolin e Charliet. Krahas tij është Dustin Hoffman me rolin e karrierës (po, shumë më i mirë se tek ‘The Graduate’ e sigurisht edhe ‘Midnight Cowboy’), vjen në rolin e Raymondit.

Raymondi është vëllai i Charliet, ai i cili do të marr 3 milion dollarët e trashëgimisë. I vendosur që një kohë të gjatë në institucion mendor, Raymondi është një autist savant. Është një lloj i autizmit i cili personat që kanë këtë u jep një aftësi të jashtëzakonshme për të bërë procese të cilat për njeriun mesatar do të ishin të pabesueshme. Numërimi e shpejtë, aftësitë e ndryshme artistike, bërjen e hartave e vizatimeve, apo edhe aftësi muzikore. Zakonisht vetëm njëra është prezente.

Por, kur jemi tek ky lloj i autizmit, atëherë duhet të përmendim që ka pasur kritika të ndryshme në lidhje me interpretimin jo të duhur të kësaj vetie. Sidoqoftë, efekti ka qenë prezent në përmendjen e autizmit dhe dhënien e një pasqyre më se të nevojshme tek masa e gjerë.

Charlie niset me qëllimin e marrjes së mbikëqyrjes së Raymondit me qëllim që të marrë pjesën e tij të pasurisë. Të dy nisen në një udhëtim të jetës, një udhëtim me fotografi të mrekullueshme, një udhëtim i cili ngjan në një familjarizim të dy vëllezërve që thuajse nuk kanë ditur që ekzistojnë. Është një udhëtim me dialog mirë të përpunuar, rrëfim të ndjeshëm, dhe mbi të gjitha, një histori unike.

Barry Levinson bën një regji tjetër të hatashme, menjëherë pas super-filmit ‘Good Morning, Vietnam’ me Robin Williams. Tom Cruise është një krahë i shkëlqyeshëm në njërën nga aktrimet më të mira në histori të kinematografisë. Dustin Hoffman është i mahnitshëm. Nota personale: 5/5