Filma

Rear Window (1954) – Recensim

Prej katër stinëve, një është e mirë, një shumë e mirë, një e mrekullueshme. Dhe tani është vera!

Edhe kur të bie zhegu në kokë, njeriu nis edhe të sheh halucinacione të ndryshme. Këto keni mundur t’i shihni nëpër filmat në shkretëtirë, Jackie Chan në atë filmi që i bën stilet karshi erës së stuhishme?! Ose Shabani tek ‘Tosun Pasa’! Shembuj tjerë, mos hezitoni t’i shkruani në komente.

LB Jefferies është një fotograf i zellshëm, i cili në vrapim për kapjen e imazheve sa më të mira, ka thyer këmbën dhe është në periudhën e rikuperimit në një karrocë. Në një verë të nxehtë, ai mbetet me një zgjidhje të vetme – të përcjell se çfarë po ndodh në lagjen e tij, e cila ka nga karakteret më të ndryshme, dhe secili provon në mënyrën e vet të mbijetojë vapën përvëluese.

Vapa përvëluese po i lihet si faj ngrohjes globale! Për Trumpin, ngrohja globale është mit. Ngjashëm si për krejt ithtarët e kapitalizmit! Gjersa ngritja e temperaturave ka qenë graduale, ashtu siç pretendojnë të jetë ekonomia këta të fundit, ekziston një ide që ciklet e motit alternojnë duke sjellë për 35 vite vera të nxehta, dhe 35 vite tjera vera të freskëta. Fatkeqësisht, unë si shumica prej juve kemi lindur në këtë periudhë ku s’kemi shijuar verë të freskët, aq më pak gjatë Kupave të Botës. Një e këtillë do të duhej të na priste javëve në vijim me temperatura edhe deri 29 gradë gjatë mbrëmjeve, të disave prej 35 deri 55 ditëve tropikale! Para se të shndërrohemi në program meteorologjik, ky cikël i verave të ngrohta duhej të mbarojë në vitin 2021! Pra, ja një arsye për të pritur 2022, edhe Katarin!

Një verë e këtillë e gjen edhe LB Jefferies i cili është në dyshime nëse duhet të vazhdojë lidhjen me Lisën, Grace Kellyn që tash është mbretëreshë e Monakos! (Më mirë një paragraf për motin se sa për Meghan Markle?). Me kufizime në lëvizje, karakteri i James Stewart, vizitohet vetëm nga Lisa, dhe ndihmësja e tij, Stella. Dhe gjatë vëzhgimit të lagjes, LBJ nis të dyshoj që njëri nga fqinjët ka vrarë gruan e tij, e cila papritmas del të ketë shkuar në pushime. Dyshimet e tija vetëm sa shkojnë e shtohen, diçka për të cilën mund të fajësonim edhe vapën. Edhe ashtu nuk i beson askush, dhe mundësitë e tija për të dëshmuar këtë janë goxha të vogla.

Por, diçka që drejtohet nga Alfred Hitchock, mjeshtri i filmave që ju mbajnë pezull, ka pak shanse të jetë krye-vepër. I tillë është Rear Window, që në mesin e filmave të tij, mund të mos shfaqet në faqen e parë të IMDB-së, apo në muhabetet e shkurtra për të. Kjo nuk e bën më të nënvlerësuar sa zgjeron listën e mjeshtërive të Hitchcockut. E këto mjeshtri, mund t’i shihni në një verë të gjatë e të nxehtë ‘me hesap’. Nota personale: 5/5