Kolumna televizive për Zëri

Recensim i sezonit televiziv 2012/2012

Nuk di për çfarë arsye, por sezoni televiziv në kanalet tona zakonisht fillon në fund të shtatorit për të përfunduar kah mesi i qershorit. Ky ngjan më shumë në një stil turk sesa amerikan në ndarjen e sezoneve televizive. Sidoqoftë, vetëm RTK çdoherë në dy vjet është e detyruar të përfundojë sezonin televiziv në fund të majit, kjo për shkak të kampionateve evropiane apo botërore në futboll.

Ajo çfarë shfaqet në televizion tani e tutje nuk besoj që mund të ndryshojë shumë ndjenjat e shikuesve për skemën programore, kështu që le ta bëjmë një rishikim të këtij sezoni televiziv në tri kanalet tona kombëtare.

RTV21 ka skemën më të kotë prej të gjithave deri tani. E hëna është e mbushur me Kabare ose film artistik, derisa katër netët tjera të javës së punës vjen seriali Sulltani. Tepër e kotë! E shtuna sjell film, derisa e diela Thirrja e Artë. Lajmet e orës 22:00 po e shndërrojnë RTV21 në një kanal spanjoll që sjell programe prime-time afër orës 23:00.

Pos nja dy-tri emisioneve debatuese që kanë mbijetuar dhe Unë jam top-model, një version inferior nga ato origjinalet, vetëm emisionin për sportin 2me1 që sjell program cilësor. Vjeshta duhet të sjellë një RTV21 krejt ndryshe dhe me një skemë më interesante. Përgjegjësitë e programit në këtë televizion duhet t’i përvishen punës dhe të ngjyrosin skemën me më shumë programe tjera edhe në qoftë se do të thoshte sjellje të serialeve turke.

KTV ka një skemë ndoshta pak më të mirë se RTV21. Ka një hapësirë prej më shumë se 3 orësh për të ofruar prime-time, 2 prej të cilave pjesën më të madhe të javës shfrytëzohen nga Rubikon dhe Lale. Ajo çfarë po shkon dëm te KTV është ora 22:00 gjatë javës. Asnjë ditë nuk ka program cilësor, pos me ndoshta me përjashtim të Cosmos të premten. Programet tjera që transmetohen në këtë kohë s’janë të dobëta por më shumë do të përshtateshin pasdite ose fundjavave.

E gjatë fundjavave liga spanjolle ka dëmtuar në masë të madhe skemën e KTV-së duke i pamundësuar program origjinal dhe të rregullt. Rrallë herë janë dy ndeshje interesante brenda javës që ia vlen të transmetohen. Gjithashtu edhe Sporti në KTV në orën 19:30 ka një orar të zgjeruar më shumë se që nevojitet. Seriale të huaja, komedi dhe për të rinj, dhe ndonjë reality-show (jo më America’s Next Top Model) janë ato që i nevojiten KTV-së në vjeshtë.

RTK është kanali me më së shumti vrima në skemën programore. Kreu i ri i këtij televizioni ka shumë punë për të bërë. Në fakt kanali përngjan më shumë në një televizion informativ sesa të përgjithshëm. Pa Ligën e Kampionëve, që nuk është e sigurt se kthehet sezonin e ardhshëm, e marta edhe e mërkura është e vdekur në këtë kanal. E hëna funksionon akoma me Kafeneja Jonë që po shfaq shenjat e para të plakjes dhe Milioneri konstant.

E enjtja është e rezervuar për Jeta në Kosovë, derisa është mëkat që Oxygen fillon vonë pas orës 22:00 Edhe në RTK fundjava është e dobët, derisa e diela na tregon më së miri se sa informativ është ky kanal me Target dhe Drejtësia në Kosovë. RTK duhet të jetë më e hareshme të sjellë programe më argëtuese, diçka të huazuar që kushton më pak dhe është më cilësore se ato që sollën në vjeshtën e kaluar.

Në përgjithësi një sezon solid kosovar që mund ta përkufizojmë me seriale turke, futboll, dhe debate, debate, debate, debate….

Ka ardhur koha që televizioni të jetë vërtet një katërkëndësh që do të na bëjë të qeshim dhe të ndjehemi mirë…

Luan Morina
Kritik për TV&Film

Botuar në gazetën Zëri