Filma

Sausage Party (2016) – Recensim

Që nga posteri, traileri, e vet titulli mund ta vëreni që ky është një film banal vizatimor. Dhe për shkak se është vizatimor, drejtorët e Junior TV mund ta vendosin në prime-time ashtu siç bënin me The Simpsons, e Family Guy, e Lord of the Rings në Bang Bang. Mirë që nuk shohin Miyazakin, apo edhe më keq – ndonjë hentai.

Larg Lindjes, në Perëndim matanë Atlantikut, aty ku James Franco, Seth Rogen, Jonah Hill, e bendi i njerëzve ‘të lartë’ është skicuar tregimi i jetës sipas filozofisë së virshlles dhe kulaçit. Qëllimi i tyre në jetë është që nga raftet e dyqaneve të kalojnë në duart e blerësve që për ta janë zota të cilët do ti bashkojnë dhe ti lënë të jetojnë përgjithmonë të lumtur. Në një film të mbushur me skena dhe dialog banal, as nuk ka tentim për ta bërë filmin serioz. Më thjesht, nuk ka ‘marre’ në asnjë çast! Dhe kjo është gjëra më e mirë në këtë film. Nëse dëshiron të bësh një film të këtillë, mos provo ta fshehësh fare.

Dykuptimësia e ngjarjes, shumica e skenave e dialogëve janë me kuptim të thellë filozofik, dhe ashiqare shihet pasqyrohet në ngjarjen e tymosjes tek pishina në ‘Knocked Up,’ dhe krejt filmi ‘Pineapple Express’ e ‘This Is the End.’ Edhe pse me pikëpamje konservative, më ka pëlqyer kjo ndërlidhje e ngjarjeve në botën e ushqimeve dhe atyre në botën tonë. Ka një trajektore mirë të zbërthyer, një skenar që qartazi ka pasur nevojë për shtatë veta të cilët janë të përmendur në film si skenaristë.

E zërimi është në nivel. Me të tre ata që përmenda më lartë, tek ‘Sausage Party’ vijnë edhe zërat e Kristen Wiig, Bill Hader, Michael Cera, Edward Norton, Paul Rudd, Danny McBride, e Salma Hayerk. Pra, vetëm në këta emra mund të definoni se çfarë filmi është. Por, një shkallë më tutje nga ajo që mund ta paramendoni. Edhe atë i vizatuar.

‘Sausage Party’ mbetet një film i animuar për ‘adoleshentët me letërnjoftim’ dhe fansat e serive si ‘South Park’. Është i tepruar në shumë aspekte, varësisht nga shija e juaj. Nota personale: 3/5