Filma

The Shape of Water (2017) – Recensim

Gjatë Luftës së Ftohtë, në një ndërtesë sekrete, punojnë dy ndihmëse higjienike, një e zezë dhe një shurdhmemece. Kjo e fundit, nis të hetoj më shumë se çfarë fshihet pas prurjes së re në ndërtesë, për të zbuluar një krijesë ujore, të prangosur, e cila më vonë do të mësohet se i ka merak vezët. Miqësia formohet në sekret nga mbikëqyrësit e saj, pos njërit që del të ketë planet e tija sekrete në kundërshtim me ato të udhëheqësit të atij laboratori ta quajmë.

Si prodhimet më të mira të Guillermo del Toro, edhe ky film nis me një narracion përrallor. Gjatë këtij narracioni, në përrallore shfaqen edhe muzika, edhe fotografia, edhe vet tregimi. Dhe kjo përrallë nuk ndalet deri në fund. Deri në fund, filmi nuk humb artin shumë-dimensional i cili e bën këtë film një kryevepër artistike. Është magjepsëse!

Edhe pjesa teknike e filmit është e lustruar me art, dhe çdo nominim e ka të merituar. Më se të merituar. E njëjta vlen edhe për ansamblin e aktorëve.

Sally Hawkins, si një ndihmëse higjienike memece, pa thënë fjalë e vetëm duke përdorur mimikën arrin të bëj një punë të shkëlqyeshme në portretizimin e karakterit të saj, e mbi të gjitha krijimin e lidhjeve me karakteret tjera – krijesa ujore, kolegia e saj, bashkëbanori i saj. Është një film ku lidhjet ndërmjet karaktereve janë goxha mirë të ndërtuara, ndonëse mund të mbesin në plan të dytë ndaj realizimit teknik të filmit.

Octavia Spencer është një shembull i këtillë. Të ngjan në një nënë, që të rri afër derisa ti vazhdon me jetën, dhe në rast se ndodh diçka e papritur, ajo është aty për të kapur. Richard Jenkins si bashkëbanor i Elisës, karakterit të Sally Hawkins është sikur një botë e ndarë në vete, nga krejt ajo që ndodh në laboratorin sekret. Dhe kjo botë, ndërlidhja që ka në periudha të ndryshme me botën e laboratorit, e bëjnë karakterin e Jenkins ndoshta më të dashurin në film.

Aktrim të shkëlqyeshëm në këtë film ka edhe Michael Shannon si udhëheqës i laboratorit i cili në një mënyrë është antagonist në këtë film. Është i mahnitshëm.

Qysh në skenën e parë shohim Elisën duke notuar në ujë, për të dal në apartamentin e saj, i cili për tu përshtatur me artin e mbushur në film, gjendet mbi një kinema klasike ku është duke u shfaqur ‘Cleopatra’.

Është një përrallë artistike, ashtu siç të vjetrit do të mund ti përshkruanin filmat duke na nxitur që të shijojmë realitetin kinse më i mirë. Përrallat si kjo e del Toros janë ndër arsyet pse e bëjnë filmin pjesë vitale të jetës tonë. Nota personale: 5/5