Kolumna televizive për Zëri

Shhhh… Abeja

Big Brother, Vëllai i madh, Abeja, si të doni quajeni, ky emision po rikthehet dhe përsëri është koha për persona të panjohur të bëhen të pasur , të famshëm, dhe të njohur për publikun duke mos bërë asgjë pozitive. Për ata që më shumë ju interesojnë punët e huaja të kota, ky duket të jetë shou i përkryer. Seriozisht, një grumbull njerëzish, nga shtresa të ndryshme, disa muaj në një shtëpi të mbyllur, mund të jetë një tezë magjistrature apo doktorature për psikolog. Është e vërtetë që ky format ka bërë bujë në fillimin e viteve të këtij mileniumi në mbarë botën, e edhe pse ka ardhur paksa me vonesë tek ne, përsëri ka arritur ti “çmend” shqiptarët. Mendoj që vet premisa e shout është e thjeshtë, e cekët dhe jocilësore. Megjithatë nuk do të jetë emisioni i vetëm me këto veti, por më i shikuari prej tyre? Sigurisht! Kuptohet që shijet janë të ndryshme, dhe nëse populli e dëshiron atëherë shërbeju! Tekefundit janë ata që abonohen me mijëra për të realizuar çerekun financiar më të suksesshëm të Digitalb.

E kur jemi tek formatet e adaptuara, javën e kaluar përfundoi The Voice of Albania me shumë kritika për shpalljen e fitueses. Arsyeja pse nuk kam shikuar këtë program ka qenë kohëzgjatja maratonike që ka ndodhur vetëm me formatin shqiptar. Por, si zakonisht menjëherë fillojnë kontradiktat për shpalljen e fituesit, si pas çdo gare. Ndoshta në finale Rina nuk ishte më e mira, por sinqerisht ishte një performancë e barabartë nga të katërtit. Janë vet shikuesit që kanë vendosur me votat e tyre si në çdo program tjetër. Pajtimet do të lindin gjithnjë e zgjidhja e vetme do të ishte organizimi veç i versionit kosovar e shqiptar, por, përsëri do të dalin kontradikta në bazë të rajoneve më pas! Në përgjithësi The Voice mendoj që ka qenë një ndër formatet më së miri të realizuara.

Në mungesë të formateve të njohura, kanalet kombëtare kosovare janë përqendruar në futboll. Që nga paslufta kanë krijuar një kulturë kosovare televizive ku futbolli dominon. E nisur nga KTV dhe e vazhduar nga RTK, Liga e Kampionëve ka qenë gara futbollistike më e shikuar. Tashti për herë të parë kemi edhe garën e dytë ekipore evropiane, Europa League në KTV. Pak me fat për shkak të eliminimit të skuadrave të mëdha dhe shortit interesant, Europa League do të ketë ndeshje joshëse këtë sezon. E KTV ka edhe armën tjetër me Primera Divisionin spanjoll që ka filluar ta përdor në mënyrë racionale, tri lojë në javë, Reali, Barca dhe derbi i skuadrave tjera. Sigurisht që na mungon Premier Liga angleze dhe Serie A italiane, por ku do të vendoseshin këto gara në kanalet kombëtare. Rrallë ndonjë vend tjetër ka kaq shumë kampionate cilësore në kanalet kombëtare. Le të zbresim te miqtë tanë në Shqipëri. SuperSport, një ortakëri e Top Channel/Digitalb, Klan TV dhe kreut të FSHF-së dominon tregun e shfaqjeve sportive. Për të parë të gjitha ato që ne kosovarët shohim falas, shqiptarët duhet të paguajnë mbi 200 euro në muaj. Një mënyrë e mirë për të gëlltitur para shtesë ka qenë edhe SuperSport Kosova. SSK ka filluar operimin me shkelje të të drejtave autoriale në fillim, para se të mblidhte ajkën e garave sportive. Por, RTK dhe sidomos KTV me kapital privat kanë arritur të mbajnë garat e tyre. Sa do të zgjas kjo mbetet të shihet, por gjithçka është tek marketingu. Në fakt varet nga sa do ti rezistojnë lakmisë dhe presionit nga Ipko/Digitalb. Mos harroni që shqiptarët në Klan TV shohin vetëm përzgjedhjen e gjashtë nga tetë ndeshje të Ligës së Kampionëve, kosovarët të parën.

Luan Morina
Botuar në gazetën Zëri me 18 shkurt 2012, e shtunë

One Comment

Comments are closed.