lomsh

Shijaaaaa…

Mbrojtja ma e mirë ndaj çdo debati është një fjali e thjeshtë – është shije e imja personale!

Dhe si rrjedhojë këtë shije duhet ta respektosh për shkak të lirisë së shprehjes dhe individualitetit të gjithsecilit.

Mirëpo, bajagi është problem të respektosh diçka që në sytë e shumicës apo ndoshta edhe një pakice nuk meriton respekt? Mund të futemi në një zinxhir filozofik të respektimit të ndërsjellë të palëve kontestuese dhe të lëvizim kufirin e lirisë së shprehjes sikur demarkacionin me Malin e Zi!

Është problem të përcaktohet ky kufi – ku mbaron e drejta e dikujt për të shpreh mendimin dhe rrjedhimisht shijen e tij/saj.

Një vendim, shije, mendim, duhet të ketë një bazë mbrojtëse për të gjetur respektin. Është lehtë të thuash është shije e imja, por të arsyetosh atë ‘shije’ kërkon kohë dhe punë. Dhe shumica përtojnë ta bëjnë këtë. Të mbrojnë ‘shijen’ e tyre!

Të qartësojmë diçka – mendimet e shija nuk kanë nevojë të mbrohen!

Në fakt nuk ju duhet ta mbroni para askujt sepse tekefundit nuk duhet të ju brengos mendimi i tjerëve për mendimet e shijet tuaja.

Por, nëse dëshirojmë të diskutojmë për një film, atëherë duhet të japim të dyja anët e argumentit. ‘Arsyetimi i shijes’ – ta quaj kështu këtë dukuri, mohon qysh në start një debat të hapur. Në fakt vet përdorimin e kësaj shprehje ‘shija e jeme’ do e konsideroja si një injorancë totale karshi të gjithë të tjerëve.

Do të kenë gjithmonë dy anë të mendimit – ata që përkrahin ‘shijen’ dhe ata që do të kundërshtojnë. Shumica nga këta nuk do të jenë të gatshëm të arsyetojnë pozicionin e tyre. Kjo nuk është vetëm tek filmat, serialet, muzika, librat, e as vetëm tek preferencat politike.

Kultura e debatit ka fituar këtë ‘shija jeme’, ‘mendimi jem’, si mburojë ndaj kundërshtuesve të paarsyeshëm dhe kryesisht banal. Kjo kulturë është e zgjeruar në çdo sferë të jetës dhe nis që nga bankat shkollore kur mendimi ndryshe nuk respektohet.

Në rregull, 2+2 gjithmonë janë katër, mirëpo linçimi për mendimin ndryshe nis që atëherë. Poshtërimi për një mendim më ndryshe, një shije më ndryshe mbillet herët dhe për të shmangur ndjenjën e keqe të klasës së parë, zakonisht përqendrohemi tek mendimi i shumicës. Kjo na kursen nga situatat e palakmueshme dhe mbi të gjitha na kursen kohën për të mbrojtur mendimin tonë ndryshe. Shijen tonë ndryshe.

Shija, mendimi individual nuk është gjë e keqe. Përkundrazi, është gjëja më begatshme që mund ta ketë një njeri. Por, shija bazohet në një arsyetim i cili medoemos ekziston tek personi. Mospërdorimi i këtij arsyetimi për shijen krijon një injorancë debati, dhe mbi të gjitha ngufat debatin qysh në fillim. E vetmja mënyrë se si mund të vazhdoj ky debat mbetet banaliteti.

‘Kallzom çka kqyr, t’kallxoj çfarë njeri je’. Është diçka e adaptuar prej ‘më trego me kë rri, të tregoj çfarë njeri je.’

Vendimet, mendimet, shija e juaj përbën një kompleks elementesh që na krijojnë gjithsecilin si individ. Të gjitha këto në një mënyrë a tjetër përbëjnë personalitetin, karakterin tonë. Dhe nuk është poshtërim të ju definoj dikush në bazë të një filmi, fjalëve tuaja për atë film, apo këngë, apo edhe vendime tjera që merrni në jetë.

Tekefundit edhe janë zgjedhjet tuaja, dhe nëse dëshirojnë të dinë më shumë, ju shpjegojmë. Nëse jo, atëherë më shumë kohë për të bërë diçka me shijen tonë.

Një problem tjetër tek shija, është që për shkak të kryeneçësisë refuzojmë ta ndërrojmë. Është krejt normale të pëlqej një lloj filmash e këngësh kur je 12 vjeç, një lloj tjetër kur je 17 vjeç, tjetër në 25 vjeç, e tjetër në 42 vjeç.

Shija ndryshon edhe nuk është marre të pranohet ky ndryshim. Si gjithmonë, arsyetimet janë ato që mbrojnë më së miri shijen, preferencat tona, e jo ajo fjalia që përmenda në fillim.