Filma

Shkrim me gjak të kaltër – Oskarët 2017 (6)

Kërmijtë janë kafshë me gjak të kaltër. Por, emri i një kafshe tjetër me këtë lloj gjaku, do të përmendet në ceremoninë e sivjetme të Oskarëve. Vetëm si i nominuar megjithatë. ‘The Lobster’ ka merituar të nominohet vetëm për shkak të idesë utopike që sjell në vete. Megjithatë zhvillimi i kësaj ideje personalisht nuk më ka pëlqyer aspak, sidomos në fazën finale të filmit.

Për të njëjtën arsye edhe ‘20th Century Women,’ për shkak të freskisë dhe ndryshueshmërisë në ide meriton nominimin. Megjithatë edhe ky sikur edhe ‘Hell or High Water’ janë larg triumfit eventual. ‘Hell or High Water’ sjell një tregim interesant, një shije uesterni me një tregim bukur të ndërtuar. Por, lufta për skenarin më të mirë origjinal do të mbetet tek ‘Manchester by the Sea’ dhe ‘La La Land.’ Ndoshta është një ndër kategoritë e pakta ku fitorja e ‘La La Land’ do të vihet në dyshim.

Derisa ‘Manchesteri’ sjell një tregim jashtëzakonisht të ndjenjë keqardhjeje që na lidhen me realitetin e hidhur, ‘La La Land’ na dërgon në një botë ëndërrimtare. Dy filmat më të mirë të vitit e kam të vështirë ti ndaj edhe për kah skenari. S’do të duhej të ishte çudi sikur të fitonin të dytë, ama kjo nuk ndodh.

Tek skenarët e adaptuar fitues do të jetë ‘Moonlight.’ Fitorja e këtij filmi do të duhej të kishte një mesazh politik më shumë se artistik. Artistik në kuptimin e shkrimit, pasi për fotografi goxha ka arritje më të mira, dhe lë mbrapa që të katër konkurrentët. Edhe ‘Arrival’ sjell njëfarë inovacioni, origjinaliteti në vete. Derisa ky kap një botë fiktive, pjesa tjetër mbeten në tokë. ‘Lion’ është një tregim prekës i bazuar në ngjarje të vërtetë, një ngjarje tejet inspiruese. ‘Fences’ është i mbushur me dialog të mrekullueshëm, derisa ‘Hidden Figures’ është filmi më i mirë me temë racizmin që është bërë dekadave të fundit. Personalisht do të zgjidhja këtë të fundit për Oskar edhe pse realizimi lë pak gjëra anash.