Filma

Silence (2016) – Recensim

Bazuar në romanin e Shusaku Endo, Martin Scorsese bashkë me Jay Crocks sjell tregimin për priftërinjtë e fundit katolik në Japoni.

Gjatë shekullit të XVII-të. Dy priftërinj jezuit udhëtojnë në Japoni në tentim për të gjetur mentorin e tyre i cili dyshohet se ka bërë apostazi. Derisa kërkojnë për mentorin e tyre i cili ka ndërruar fenë tashmë, të dy priftërinjtë nisin të shërbejnë edhe profesionet e tyre për banorët lokal. Krejt në rregull është deri këtu, por pushteti i atëhershëm ka ndaluar dhe dënuar katolikët japonez. Gjatë këtij rrugëtimi, të dy priftërinjtë, bashkë me neve si shikues do të përballen me torturat ndër më bizare që mund të mendohen. Por, është një udhëtim iluminues, si për karakteret në film, ashtu edhe për neve si shikues.

Është udhëtim i gjatë, si Scorsese zakonisht i cili ‘nuk e di se kur osht boll’. Megjithatë bën një punë të shkëlqyeshme, aspak të rezervuar gjatë realizimit të këtij filmi. Regjia e skenari si gjithmonë janë të shkëlqyeshme. I tërë filmi është një luftë e ftohtë ndërmjet dy priftërinjve dhe vendasve, por edhe më shumë. Është edhe një luftë e temperaturave të ndryshme të vet priftërinjve me vetveten dhe besimin.

E besimi është diçka e veçantë, apo jo? Nejse, ju që besoni e dini që misteri është ndër ato pjesët më të bukura të besimit në diçka hyjnore. Të tjerët që kërkojnë fakte, ata thjeshtë lexojnë fakte, dhe asgjë tjetër. Besimi është ajo ndjenja që kemi në diçka, dikë, për të cilën nuk kërkojmë dëshmi apo fakte. Ngjashëm është edhe me popullsinë lokale e cila torturohet deri në vdekje, për diçka në të cilën besojnë dhe nuk heqin dorë përkundër gjithçka që ju bëhet. Ngjashëm ndodh edhe me këta priftërinj të cilët nuk ofrojnë atë që ju kërkojnë vendasit – heqjen dorë nga besimi i tyre, ashtu që mos të mbeten më priftërinj në këtë vend.

Andrew Garfield është njëri nga dy priftërinjtë që kalon më shumë kohë para kamerës. Aktrimi i tij është gati po aq i mrekullueshëm sa tek ‘Hacksaw Ridge’. Kuptohet që është temë tjetër, film tjetër, botë tjetër në një fjalë, por talenti dhe aftësitë e tij mbeten të njëjtat. Adam Driver sikur mbetet në hije, por është një bashkudhëtues i përshtatshëm me Garfield. Liam Neeson është në rolin e priftit Ferreira që kërkohet gjatë tërë filmit, derisa kasti tjetër është i përbërë kryesisht prej aktorëve japonez jo aq të njohur për neve fansave të kinematografisë perëndimore.

Një udhëtim i ngadaltë, por goxha reflektues del të jetë ‘Silence’. Është pak i gjatë, por është i kënaqshëm për tu parë, nga të gjithë. Nota personale: 4/5