Milan

Silvio Berlusconi – Atalanta vs Milan

Kosova

Nëse shikoni politikanët në pushtet, llogaritë e tyre në rrjetet shoqërore, e shihni si promovojnë tregime nënçmuese për opozitën. Derisa nuk japin përgjigje për problemet aktuale, ministra e zëvendësministra bllokojnë kosovarë, vetëm pse flasin të vërtetën, ose kërkojnë përgjigje në këto pyetje. Nuk besoj se Berlusconi ka mësuar nga këta, përkundrazi, mendoj që shumica e këtyre kanë ndjekur politika të Berlusconit e njerëzve të tjerë që kanë shkatërruar publiken. Berlusconi nuk ka kursyer as privaten.

Skenari rinor – pjesa 2

Di Marzio konfirmon që Berlusconi do Brocchin për trajner. Qëllimi është që të ketë një Milan sa më italian dhe të angazhohet të rinjtë. I njëjti mision ka qenë me Inzaghin. Në periudhën e tij kishim kapiten legjenda si Muntari, dhe lojtarë standard si Essien. Asnjë i ri nga akademia nuk kishte nisur ndeshje atë sezon. Tashmë kemi provuar këtë skenar dhe ka dështuar. Tmerrësisht!

Galliani kërkon Lippin, por do të provoj të shtyjë një bashkëpunim ndërmjet Lippit dhe Brocchit. I dyti ka një taktikë tipike italiane, defensive pa shumë kreativitet, edhe pse është më i mirë se gjithkush që ka pasur Italia para e pas tij. Por, dikush që nuk arrin të ruaj punën as në ligën kineze, si mund të jetë i denjë për Milanin?!

Sinisha

Mihajlovic nuk është trajneri më i mirë në botë. Por, së paku ka guxim, e kjo është shprehur më së miri me angazhimin e Donnarumës. As Ancelotti nuk do të kishte ndërmarr një hap të këtillë, sot e një mijë vjet. Ai ka pasur frikë të angazhoj të rinjtë, dhe për atë Kalaci hante gola nga 40 metra në Ligën e Kampionëve. I është frikësuar ndryshimeve.

Sinisha nisi me Calabrinë e Elyn, nisi me Milanin e të ardhmes. Vazhdoi deri nisën kritikat publike të Berlusconit dhe presioni medial. Ai është një njeri pa punë. Nuk ka shanse të vazhdoj pas qershorit. Është punë e kryer.

Tragjedia më e madhe është nuk është faji vetëm tek ai. Është i shkëlqyeshëm në menaxhimin e lojtarëve. Por, kur s’ke çka të menaxhosh, nuk mund të hysh vet të luash. Jam i sigurt se Sakic me këtë moshë që ka do të angazhohej në mbrojtje më shumë se tre qendërmbrojtësat e dytë që i kemi, e edhe Mihajlovic do të vraponte më shumë se Menez e Balotelli së bashku.

Problemi

Lojtarët janë problemi. Strategjia e blerjeve është problemi. Janë probleme më të mëdha se trajneri i cili ka bërë maksimumin nga ky ekip që ashiqare është duke u kontrolluar nga Raiola. Ekip i mbushur me lojtarë që bash në fjalët e Albertinit nuk janë të denjë për këtë Milan, e Sacchi s’do të kishte lënë as të mblidhnin topat. Thënie e të vërtetës edhe 11 fitore nga 22 ndeshje i kishin kushtuar me punë Seedorfit.

As Sacchi, as Ferguson, as Guardiola, as Emery, askush s’do të mund të bënte më shumë se kaq me këtë Milan. Pos Fiorentinës, të katër ekipet që renditen para neve në tabelë janë më të mira se ne. Kanë lojtarë më të mirë, kanë menaxhim më të mirë, nuk blejnë vetëm lojtarë me kontratë të skaduar, apo sulmuesin e tretë të Juventusit për 12 milionë, ose një lojtarë që nuk zë vend në Romë për 20 milionë.

Politika

Berlusconi po bë të njëjtën politikë si kosovarët në pushtet. E dimë që ekipi është i keq, e dimë që duhet të investohen paratë, e dimë që duhen njerëz më të rinj në menaxhimin e transferimeve dhe politikave teknike të klubit (jo vetëm ato financiare), ama ja po e largojmë trajnerin edhe këtë vit se krejt fajet i ka ai.

Largimi i Mihajlovicit nuk është fundi i botës. Por, largimi i trajnerëve është bërë si përgjigje ndaj krejt këtyre problemeve tjera, të cilat shukaten me largimin e trajnerit. Largohet Allegri, largohet Seedorf, largohet Inzaghi, largohet Mihajlovic,, dhe pos emrave të trajnerit asgjë nuk ndryshon. Asgjë!

Është politikë e plakur, politikë ballkanike, politikë e dështuar!