Milan

Sinisa Mihajlovic – Torino vs AC MIlan

Shkau

Nuk aq është shqetësuese urrejtja etnike ndaj serbëve, sa është shqetësuese që programi drejtshkrimor nuk e vlerëson si gabim titullin e këtij paragrafi.

Urrejtja për Sinisa Mihajlovicin tek fansat shqiptarë të Milanit është e dukur nga aeroplani. E pritshme. Akoma pa u vendosur si trajner, shumica kanë qenë kundër, duke pritur emra si Sarri, Montella, e edhe Klopp. Kundërshtimi ndaj tij ka qenë i thjeshtë – nacionaliteti i tij. Është gërmuar çdo kënd i internetit për të gjetur diçka negative, ofenduese të tij ndaj shqiptarëve. Pastaj është gjurmuar të gjendet diçka që ka folur si interist ndaj Milanit. Nejse, por(dh)talet tona nuk kanë punë tjera. Edhe ashtu shumicën e lajmeve i kopjojnë nga njëra tjetra.

Tashti, dy muaj pas nisjes së kampionatit, skeptikët kanë arsye për të ‘festuar’ mos-suksesin e Milanit. Ata të cilët në korrik dëshmonin se Sinisha nuk është i duhuri vetëm duke u arsyetuar në kombësinë e tij, pa dhënë asnjë arsye profesioniste si për zejen e trajnerit ashtu edhe të një lojtari, tani na japin dëshmi për arsyet e dështimit, hedhin trajektore me një amator prej trajneri që udhëhiqte Milanin një sezon më parë, dhe mbi të gjitha kapen në paratë e harxhuara.

Milani nuk është ashtu siç kemi pritur. Por, nuk më së paku fajtor është ‘shkau’!

 

Vera

Janë vetëm shtatë skuadra që kanë shpenzuar më shumë se Milani këtë verë. Milani nuk ka investuar kështu që nga sezoni 2001-2002 kur kishte sjell yje të shumta në skuadër, përfshirë edhe Cristian Zenonin!

90 milionë të shpenzuara për tre sulmues, një mbrojtës, dhe dy mesfushorë. Të gjithë të mbipaguar, sidomos për verat e Milanit. 30 milionë janë siguruar nga shitja e lojtarëve, me një minus prej rreth 60 milionë eurove.

Herën e fundit që Milani kishte shpenzuar më shumë se inkasuar ka qenë vera e vitit 2011 kur kishin shpenzuar 19 milionë më shumë se që kishin shitur. Verat pas saj i kanë sjell klubit 31+39+8 milionë euro të hyra. Në vitin 2010, +58 milionë ka qenë bilanci nga shitjet. 135 milionë ka qenë bilanci në katër nga gjashtë verat e kaluara. Nëse i shtojmë edhe këto dy vera ku kemi shpenzuar, atëherë përsëri skuadra mbetet në bilanc pozitiv me 56 milionë euro më shumë të inkasuara se të shpenzuara në tregjet e verës.

Në futbollin modern, ky nuk është bilanc i një skuadre që fiton tituj.

Juventus ka shpenzuar 130 milionë euro këtë verë. Është në minus 54 milionë euro, dhe gjendet një pikë mbrapa Milanit në renditje.

Chelsea ka shpenzuar 82 milionë euro, me një bilanc negativ prej 59 milionë eurove. Renditjet e 11ta me 10 pikë larg kreut në PL.

Valencia ka shpenzuar 141 milionë euro me një bilanc negativ prej 91 milionë eurove. Gjendet gjashtë pikë larg kreut në La Liga.

Allegri, Mourinho, e Nuno Espiritu Sanchez, nuk janë të rrezikuar të dëbohen nga skuadra.

 

Një verë në kohë…

Në verën e vitit 2012, Milani kishte vendosur të përforconte mesfushën pas largimit të Seedorfit. Për këtë kishin angazhuar Riccardo Montolivon me një kontratë 4 vjeçare me 4 milionë euro neto në vit, si dhe premtimin për shiritin e kapitenit. Pos tij kishte ardhur edhe Ali Sulley Muntari si transferim i lirë nga Inter, në metodën alla-Amantino Mancini.

Galliani kishte vendosur të investonte edhe në talente të reja. Kishte sjell yllin e skuadrës franceze Nancy, Bakaye Traoren. Për të mbuluar krahun e majtë pas Maldinit, Serginhos, e Jankulovskit, kishte vendosur të huazonte yllin e Guinës (jo-ekuatoriale), dhjetëshen e sotme të Trabzonsporit, legjendarin Kevin Constant(-one siç e quante Mauro Suma në komentimet e tij). Kishte huazuar edhe talentin e Barcelonës pas një viti të dështuar në Romë, Bojan Krkic.

Atë verë, Juventus kishte nënshkruar me një lojtarë të lirë francez, Paul Pogba!

Verën e radhës, një verë pasi kishin blerë Pazzinin për 7.5 milionë + Cassanon, Milani kishte shpenzuar 12 milionë euro në sulmuesin e tretë të Juventusit, Alessandro Matri. Kishte ardhur edhe Valter Birsa dhe MIkael Silvestre.

Juventus kishte marr falas Llorenten, si dhe gjysmën e kartonit të Domenico Berardit për një të tretën e çmimit të Matrit. Që nga atëherë Berardi në dy sezonet e radhës kishte shënuar 31 gola për Sassuolon (gati çerekun kundër Milanit). Matri ka shënuar 14 gola (vetëm 1 për Milanin).

Po atë verë Christian Eriksen kishte kaluar për 12 milionë në Tottenahm, Lazio për 1.8 milionë kishte marr gjysmën tjetër të Antonio Candrevas, Juventus kishte marr Tevezin për 9 milionë, dhe Zazan për 3.5 milionë. Pra, me paratë e Matrit, Juventus kishte siguruar 3 sulmues. Ndërkohë Milani kishte blerë gjysmën e mbetur të Kevin Constant!

Një verë më vonë… lëre krejt.

 

Para shkaut

Unai Emery, Carlo Ancelotti, Jurgen Klopp, kanë qenë emra ëndrrash të lidhur me Milanin gjatë verës së kaluar. Të tre kanë refuzuar, sidomos Carletto. Të tre kanë pasur arsye të tyre, për të refuzuar. Tani Emery stërvit skuadrën që ka fituar dy Europa League të fundit me një fond lojtarësh pak më të mirë se Milani. Klopp mori Liverpoolin, derisa Carlo vendosi të pushojë.

Sarri, Montella, Mazzari, e Mihajlovic ishin ndër emrat më të lidhur me pankinën e Milanit, emrat më real. Që të gjithë të lidhur me pankinën e Napolit. Mihajlovic, përkundër historisë kishte zgjedhur Milanin duke besuar në projektin e ekipit dhe paratë e Mr. Bee. Kishte kërkuar Romagnolin për në mbrojtje. E mori, kishte kërkuar edhe një mesfushorë, deri në ditën 29 gushtit. Nuk e mori. Erdhi Kucka.

 

Shkau (edhe një herë)

Iu desh të provonte De Jongun, e Montolivon në pozitën e mesfushorit qendror. Vendosi të bënte revolucion në mbrojtje me Ely dhe Romagnoli duke heq nga planet Alexin dhe Mexesin. Vendosi Calabrian dhe De Sciglion në krahë. Stabilizoi sulmin me Luiz Adrianon e Baccan të cilët në dy lojërat e para treguan bashkëpunim të shkëlqyeshëm përkundër kohës.

Si çdo skuadër e re që i duhet kohë, sidomos pas ndryshimeve të stafit dhe lojtarëve, edhe Milani kishte nevojë për kohë. Dhe gjithçka ishte në rregull para se të shfaqeshin kritikët, sidomos këta në trojet tona etnike.

 

Torino (si nëntitull)

Gjithashtu edhe rezultatet e tmerrshme me Napolin e Genoan ndikuan në ndryshimet në formacion. Erdhën Cerci dhe Alex. Duke provuar të bëj diçka më ndryshe, Mihajlovic angazhoi Cercin dhe Alexin. Të dy ishin dështim total. Angazhimi i Alexit ishte për shkak të vonesës në rikuperim të Mexes, dhe ardhjes së vonshme nga Amerika Jugore e Zapatas (njeriut përgjegjës për disfatën ndaj Napolit). Për të njëjtën arsye Bacca u angazhua më vonë.

Gabimi i vetëm i Mihajlovicit, ndoshta edhe në të gjitha ndeshjet e gjertanishme është mos nxjerrja e Cercit me kohë pas shënimit të golit, dhe mbajtja e të vdekurit MoRtolivos deri në fund. Gjuajtja e lirë e Alexit kishte inatosur edhe serbin.

Skuadra ashiqare po ka problem me përgatitje psikike. Gabime fillestare, lojë panike, dhe një Diego Lopez larg nga viti i kaluar. Fajet nuk janë të Mihajlovici. Jo për mendimin tim. Nuk është krejt i pafajshëm, ama çka fituam me ndërrim trajnerësh.

 

Allegria – 3

Shkrimi i tretë ‘Allegria’. I pari kishte qenë lavdërim për Allegrin, i dyti kritikë negative. Tani radha për shfajësim.

Allegri luan lojë defanzive. Nuk më pëlqen kjo lojë. Ama më pëlqejnë titujt. Allegri pos kësaj, i ka vetëm edhe tri gjëra negative për mua – humbja nga Tottenhami, mospërsëritja e titullit me një ekip të denjë për titull, dhe marrja e Matrit.

Kam qenë për largimin e tij. Dhe me ardhjen e Seedorfit gjërat u përmirësuan.

Por, është e pamundur të bindem që nuk ka pasur komplot kundër Seedorfit që u shkarkua për katër muaj duke fituar gjysmën e ndeshjeve – 11 fitore me një mesatare prej 1.59 pikëve për ndeshje. Një seri e tillë vitin e kaluar do të siguronte vendin e gjashtë dhe Europa League. Inzaghi fitoi 8 pikë më pak. Mbi të gjitha loja e Inzaghit ishte edhe më e tmerrshme se statistikat e tij.

Për momentin jemi duke paguar tre trajnerë. Me largimin e Mihajlovicit dhe ardhjen e tjerëve do të jenë katër trajnerë.

 

Pas shkaut

Kush është në treg që do të mund të vinte në vend të Mihajlovicit?

Përmendet Montella, Mazzari. Brochi me Lippin është alternativa më e mirë. Por, mbi të gjitha është ardhja e Tassotit, muzës së Gallianit. Ancelotti nuk beson në projektin e Gallianit.

Si mund të besohet në një projekt të bazuar mbi lojtarë të lirë, dhe riciklim mbeturinash si Boateng e Emanuelson. S’do të ishte ide e keqe të kthenim edhe Vikash Dhorasoo. 42 vjeçari do të linte punën e drejtorit sportiv në skuadrën L’Entelle për Milanin. Së paku goditjet e lira do të gjuante më mirë se Alex.

 

Cagliari

Milani është një skuadër mesatare, mos të them nën-mesatare. Këtë e kanë bërë gjithë ato vera me strategjinë e Gallianit për të mos paguar në transferim, por për të premtuar pagë të madhe dhe përkushtim disa vjeçar. Mesbahun, Constantin, Traoren, Birsan (i cili po luan për mësysh), Antoninin, nuk i kemi sjell ne. Ata i ka marr vet Galliani.

Ai vet ka shitur talente si Cristante, Matsour, Aubameyang etj ndër vite. Më mirë të themi ka falur. Ka angazhuar njerëz që kanë luajtur me Boneran, Muntarin, Essienin, duke shtypur talentet e primaverës.

Calabria këtë vit është i fundit pas De Sciglios që dalin nga akademia. Me huazime në Lega Pro C2 nuk fitohet përvojë. Ngjashëm si nuk fitohet përvojë për startuesin e Carpit të ngroh karrigen e Reinas këtë sezon.

Milanin Galliani e ka vendosur në këtë pozitë si të Cagliarit.

Një Seedorf ka shkuar mirë, e ka larguar me komplot të pistë.

Dy talente i kemi pasur, i ka dhënë falas.

Ka angazhuar dhe vazhdon të angazhoj bërllog të skuadrave tjera duke pritur në mrekullia.

Dhe mbi të gjitha e ka humbur magjinë që e ka pasur dikur. Qysh me ardhjen e Emersonit dhe Amorosos është ditur kahja e Milanit.

Ndërrimi i trajnerëve nuk po bën punë.

Mihajlovic nuk është një Klopp, Pep, apo Unai. Por, është ndër alternativat më të mira që mund të kemi për momentin. Këta tre nuk janë të interesuar të stërvitin një Cagliari, Palermo, apo Frosinone. Nuk janë të interesuar të vijnë në një ambient që të kujton racizmin e fillim-viteve 90ta në Milanello.

Tani është një shovinizëm se na duhen sa më shumë italianë që të mos jemi si Interi. Si ata që janë 6 pikë para nesh, dhe që kanë arritur të bindin synimet tona të shkojnë për shuma edhe më të vogla se që kemi ofruar ne.

Mihajlovic nuk është i pafajshëm krejtësisht, sidomos për formacionin ndaj Torinos. Edhe kjo arsyetohet sepse po provon të gjej mënyra si të funksionoj kjo skuadër. (btw. Cerci aka. Martin Luther King Jr – sipas fjalëve të tij, është bërllog që ka ardhur për një bërllog të cilin na duhej ta paguanim më shumë, dhe kërkush nuk na e kishte sjell).

Por, fajin po e dinë të gjithë, edhe Curva Sud. Është njeriu që beson se kravata e verdhë i sjell fat, diçka që nuk ika sjell asnjë trajner i huaj nisur nga Tabarez, Terim, Seedorf (ka sjell ma shumë se shumica e tjerëve), e as Mihajlovic. Për këtë arsye, Mihajlovic sado të arrij sukses, do të shkarkohet, mos në fund të sezonit.

Do të angazhojmë Brocchin i cili as si lojtar e as si trajner nuk ka qenë i dëshmuar. Ose do të marrim Tassotin dhe të kthejmë idhullin e tij, yllin e Villarrealit në tribuna, lartmadhërinë e tij, Daniele Bonera!

E ju fansa që po urreni Mihajlovicin veç për shkak të nacionalitetit të tij, jeni sikur ata anti-milanista të prekur nga ekstremizmi fetar që thonë se Milani duhet urryer për shkak të stemës. Ka edhe të ashtuquajtur fansa që ju pengon kjo. Por, dashuria për ekip është e çiltër dhe e paprekshme. Ju sugjeroj të provoni të bëheni me Anderlechtin pasi kanë trajner shqiptar. Gjithashtu kanë edhe një talent në Praet, i cili nuk do të kishte mbijetuar në Milan për 2 sezone, ngjashëm si Sapponara.

 

Para kombëtareve

Kombëtaret kthehen fundjavën e dytë të nëntorit. Deri atëherë Milani pret Sassuolon, Chievon, i udhëton Lazios, dhe pret Atalantën. 10 pikë do të ishin të mrekullueshme. Edhe me 8 pikë do të duhej të kënaqeshim.

Ndeshja për Berlusconi me Interin mund të jetë si provë e mirë.  8 pikë larg kreut, 5 pikë larg pozitës së tretë me 30 ndeshje në dorë nuk është keq.

As loja me Torinon nuk ka qenë e keqe, sa ka qenë rezultati. Shihni edhe njëherë përmbledhjen.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *