Filma

Snowden (2016) – Recensim

Nëse dini se kush është Edward Snowden dhe si ka përfunduar ngjarja e tij, atëherë vërtetë meritoni të ju ndodh gjithçka që ky film konsiston se po ju ndodh juve. Sidoqoftë, nuk do ta prish fundin e filmit (e meritoni nëse jeni nga ata të fjalisë së parë), edhe pse ky nis me kohën aktuale ku Snowden po takohet me gazetarët e The Guardian në një hotel në Hong Kong.

Edward Snowden, që në këtë film vihet në jetë nga aktori Joseph-Gordon Levitt, të cilin uroj që ta njihni nga ‘3rd Rock from the Sun,’ e jo nga ‘Don Jon’; është në ikje në qytet-shtetin kinez pasi ka vjedhur një sasi të madhe të dokumenteve sekrete nga agjencia për siguri kombëtare amerikane, NSA. Dhe derisa kjo ngjarje mbetet tmerrësisht në plan të dytë, duke anashkaluar shumë detaje të rëndësishme, filmi përqendrohet në historinë e Snowdenit dhe ngjarjet paraprake që shpien deri tek momenti aktual.

Karakteri i tij dështon në provat për ushtrinë amerikane, pastaj zbuloj gjenialitetin e tij, inkuadrohet në projekte të sigurisë kompjuterike, dhe bëhet i kujdesshëm derisa në të njëjtën kohë e dashura e tij e merr si paranoik. Tregimi vazhdon të shtjellohet me stilin e zakonshëm të Oliver Stone, konvertim i një anti-heroi në hero kombëtar.

Aktrimi i Joseph Gordon-Levitt është mbresëlënës. Ne që e njohim edhe nga rolet e mëhershme (përfshirë bërllokun Don Jon), mund të vërejmë që Snowden provon të ndryshoj edhe zërin për tu mishëruar në karakterin e Snowden. Megjithatë, nga ato pak intervista që kam parë të Snowdenit të vërtetë, mund të them që Snowden është pak më i butë se Levitt. I gjithë ai transformim nuk më ka pëlqyer në masë, pasi duket se Levitt nuk është i rehatshëm në punën që bënë. Duket sikur pret gabimin eventual, i ndrojtur, derisa provon të mbaj zërin dhe qëndrimin më të përmbajtur. Flitet që mund të nominohet për Oskar, por nuk besoj që nuk ka performanca më të mira në kinematografi këtë vit.

Më pëlqyen Rhys Ifans, edhe Zachary Quinto e Melissa Leo, e Tom Wilkinson me aktrimin e tyre. Për skenarin e përmenda më lart – ka mundur të jetë më racional në tema dhe shpërndarjen kohore të tyre. Edhe regjia është në nivel, por asnjëra nuk sjellin diçka të veçantë që do të mbetet në mendjen tuaj për shumë kohë.

Në përgjithësi, për mua ‘Snowden’ mbetet një film mirë i realizuar në aspektin kinematografik, dhe njëkohësisht një film që duhet të shikohet medoemos nga të gjithë. Nota personale: 4/5

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *