Filma

Spectre (2015) – Recensim

Të mendosh serinë e James Bond pa Dame Judie Dench nuk është diçka e lehtë për një fans të serisë së agjentit 007. Pos saj, ‘Spectre’ ka të gjitha elementet e ‘Skyfall’ në vete – Sam Mendes si regjisor, Daniel Craig, këngë të shkëlqyeshme, të njëjtit skenaristë, etj. Por, pos dame Judi Dench, mungon edhe diçka që thjesht nuk e bën këtë film aq të bukur sa ‘Skyfall’.

E di që në çdo film nuk mund të ndodh diçka gjigante si ajo çfarë ndodhi me një nga karakteret kryesore në Skyfall, por megjithatë gjithnjë ka hapësirë për kreativitet në tregim. E ndoshta këtu qëndron problemi tek ‘Spectre’. Është një film që përcjell misionin e Bond për edhe një hakmarrje tjetër, është më shumë një mision personal se sa organizacional. Është një mision që vjen për dy orë e gjysmë duke lënë skena të gjata e të thata, skena të cilat as nuk kanë ndonjë bukuri të veçantë vizuale e as dialogë apo monolog të mirë. Mendoj që këtu qëndron mangësia e filmit krahas paraardhësit të tij që ishte një kryevepër për shijen time.

Më ka pëlqyer vendosja e Lea Seydoux si ‘Bond vajzë’. Me Daniel Craig kanë pasur një harmoni të bukur skenike, harmoni që është transformuar në situata dhe forma të ndryshme me zhvillimin e ngjarjeve në film. Klishe e radhës, pos faktit të hakmarrjeve të Bondit, ishte edhe paraqitja e Christoph Waltz në rolin negativ. Ky më është dukur tepër i kufizuar në rolin e tij të kriminelit. Kur bazohen në disa nga paraqitjet e tij më të mira si zuzar, që janë goxha kreative, këtu hasim në një kufizim dhe thjeshtësim të karakterit të një krimineli. Nuk është aq superior, i lirë, dominues sikur në filmat e tjerë. Nuk është faji tek Waltz sa tek skenari që paraqet karakterin e tij.

Nuk fajësoj aktrimin tek këta që përmenda më lart. Përkundrazi janë duke më pëlqyer së tepërmi angazhimi i Ben Whishaw, Naomi Harris, e sidomos Ralph Fiennes në këtë franshizë. Që të tre kanë sjell atë freskinë e nevojshme për një franshizë simbol të kinematografisë britanike. Ndërkohë paraqitjet e Monica Belluccit, Andrew Scott, e Dave Bautista i konsideroj si asgjë të rëndësishme për këtë film.

‘Spectre’ mbetet një film i mirë, por asgjë më tepër. Është nën nivelin e franshizës së 007 duke rrezikuar të jetë filmi më i dobët i Daniel Craig si Bond. Por, kur të kujtohet që aty është Quantum of Solace, atëherë ‘Spectre’ nuk duket edhe aq i dobët. Nota personale: 3/5