Filma

Split (2017) – Recensim

Filmat horror janë humbje kohe! Kjo vlen për shumicën e filmave horror që frikën e shohin në mbinatyroren dhe gjakun. Ky nuk është një film i tillë.

Pas shumë tentimeve (lexo: dështimeve), M. Night Shyamalan më në fund sjell diçka të mirë. Bajagi të mirë. Meritat për këtë i merr James McAvoy i cili ndoshta vjen me rolin e karrierës deri tani. Së paku njërin ndër tri rolet më të mira që ka pasur deri tash. Shfaq një talent të mahnitshëm!

Tri vajza kidnapohen nga një njeri. Derisa janë të kyçura dhe në tentim të arratisjes, për vrimën e derës ku janë të kyçura shohin një trup me rroba grash. E thirrin për ndihmë, thirrje e cila merr përgjigje. Vjen personi në fjalë dhe hap derën. Por, personi është i njëjti i cili ka kidnapuar vajzat. Vetëm se tashti është i veshur me rroba gruaja. Ky është një ndër 23 personalitetet me të cilat ishte diagnostifikuar kidanpuesi. Falë udhëtimeve në kohë vërejmë që kidnapuesi paralajmëron psikiatren e tij për personalitetin e njëzetekatër i cili thuhet se është një i çmendur mbinjerëzor. Vajzat duhet të ikin para se të shfaqet ky personalitet.

James McAvoy i mahnitshëm. S’ka fjalë. Pa koment.

Haley Lu Richardson keni mundur ta shihni së fundmi tek ‘The Edge of Seventeen’ si e dashura e vëllait të karakterit të Hailee Steinfeld. Anya Taylor Cook e Jessica Sula duket se kanë pasur një karrierë televizive më shumë se filmike. Asnjëra nuk dëshpëron, as aktrimi i Betty Buckley si psikiatria e Denisit dhe karaktereve tjera të tij. Aktrimi është po aq fenomenal sa edhe tregimi.

Më në fund, e përmenda edhe më lartë, më në fund M. Night Shyamalan bën diçka që i ka hije emrit të tij. Dëshmon se ndoshta nuk ka qenë një regjisor i një periudhe të caktuar. Që mund të bëj filma jo sikur ‘Ndjenja e gjashtë,’ ndoshta, por në atë drejtim diku. E kur jemi tek ‘Ndjenja e gjashtë’…

Nota personale: 4/5