Journal

Sporti i dashurisë

“Derisa Matteo po hynte në sallën e operimit, ai ulëriu si një luan. Sikur donte të na bënte të ndiheshim më të fortë ne, jo ai.”

Trembëdhjetë ditë më vonë, Matteo ishte kthyer në shtëpi – një kohë rekorde për shërimin e një fëmije dy vjeç e gjysmë, operimi i të cilit kishte zgjatur tetë orë. Gjatë kohës së shërimit, i ati i Matteos kishte marr kohë nga profesioni i tij që të ishte pranë të birit.

I ati i këtij fëmije quhet Leonardo Bonucci.

Ai është njëri ndër mbrojtësit më të mirë jo vetëm në Evropë. Dhe për shtatë vite ka arritur të korr pothuajse të gjitha sukseset e mundshme me skuadrën e tij. Por, viti i fundit që kishte trazuar goxha shumë shpirtërisht Bonuccin, i kishte futur idenë që të ndërronte ambientin për shumë arsye.

Ishte një ambient i përkryer, me treshen më të mirë mbrojtëse në Evropë. Ishte në zenit të karrierës së tij, por diçka nuk po shkonte. Ishte shter mundësia të jepej maksimumi dhe nuk kishte rehati. Ndër faktet kryesore ishte edhe që i vëllai i Matteos ishte tifoz i skuadrës rivale të Bonuccit. Derisa të gjithë festonin, Lorenzo edhe qante.

Por, pa kaluar dy muaj nga ky moment, dhe asnjë vit nga operimi i Matteos, Leonardo kishte vendosur të ndërronte skuadrën. Arsyetimet, si ato lartë, si këto në vijim nuk janë definitive, por ashiqare diçka nuk shkonte! Probleme me trajnerin, lodhje familjare, kotësi nga situata e pandryshuar që nuk sillte tituj ndërkombëtar! Gjithçka mund të supozohej, por këto janë vetëm supozime, fjalë të hallkut!

Leonardo kishte vendosur të bënte një hap të guximshëm. Të kalonte tek një skuadër tjetër, rivale, larg nivelit ku aty ishte. Ishte një lëvizje e çuditshme, e pabesueshme për të gjithë. Megjithatë ajo ndodhi.

Leonardo kishte pasur oferta edhe nga jashtë vendit, më të frytshme financiarisht, por kishte zgjedhur të mos linte vendin për shkak se dëshironte të ruante ambientin e përshtatshëm për fëmijët e tij, dhe të ishte pranë tyre.

Ish-skuadra e Leonardos është më e titulluar në Itali, e Leonardo është padyshim mbrojtësi më i mirë. Për shumë kohë ka funksionuar ky kombinim i tyre, i miri tek më e mira e viteve të fundit, por nganjëherë, përkundër që mund të jenë dy individ të përkryer, kombinimi i tyre thjesht nuk sjell rezultatet e këndshme, dhe ndarja ka rezultuar të jetë zgjedhje e përkryer.

Ky kalim kishte rreziqet e veta. E para, Bonucci ishte mësuar të jetë pjesë e një treshe të përsosur. Nuk kishte qenë lider. Shkonte në një skuadër të panjohur mes vete, pa kohezion. Merrte barrën e kapitenit, një barrë e mbajtur nga paraardhësit e tij italian. Një barrë të cilën e kishin bartur dy veta të cilat nuk kishin lëshuar kurrë ekipin e tyre. Dy dekada që në futboll janë të stërzgjatura.

Për Bonnucin thikat kishin mprehur të gjithë. ish-ekipi dhe përkrahësit, dhe pa kaluar shumë kohë, për shkak të formës jo të mirë, thikat nisin ti mprehin edhe tifozët e ekipit të ri. Por, adaptimi në ambient të ri kërkon kohë dhe durim. Dhe Leonardo duket se e ka. Gatishmëria e tij për të provuar diçka më të rëndë, larg suksesit që kërkonte tek skuadra e kaluar e bëjnë atë një guximtar. Mbi të gjitha, kur nuk dihej se si do të pranohej një armik i deridjeshëm në vatrën e re.

Guximtar për të provuar diçka të re duke u larguar nga një e kaluar që me gjasë nuk i jepte rehati shpirtërore. Katër muaj pas këtij vendimi, Bonucci është larg formës dhe suksesit që kishte me skuadrën paraprake. Por, kthimi tek ata nuk është opsion. Është bërë zgjedhje, dhe do të punohet deri në arritjen e suksesit.

Nuk do të thotë që do të jetë skuadra e fundit në jetën e tij. Nëse nuk ecën gjithçka mirë, ka opsione që do të gjente edhe jashtë vendit. Ndoshta në sakrificë të fëmijëve, por megjithatë mendoj që do të sakrifikonte veten për ta. Siç ka bërë deri tani.

Leonardo nga një pozitë e rehatshme ka kaluar në një pozitë sfiduese që kërkon punë më të madhe. Është një veprim që pak do e bënin edhe në sferat e tjera të jetës. Në dashuri për shembull.

Në momentin që mendojnë se janë rehatuar, disa dëshira e qejfe treten e zhduken si të parealizuara në këmbim me rehatinë aktuale që megjithatë nuk është ajo kënaqësia që kërkon shpirti.

Baresi e Maldini, dy paraardhësit e Bonuccit në rolin e kapitenit në skuadrën ku janë, kanë nisur dhe mbaruar karrierën aty. Të dy kanë fituar gjithçka që mund të fitohet në futbollin ekipor. Kanë mundur të fitonin edhe më shumë, por kanë qenë të kënaqur me atë që kanë fituar.

Edhe Bonucci ndoshta mund të ishte i kënaqur njëjtë si ata. Megjithatë, është treguar më guximtar në sfidimin e vetës.

Një sfidë që shumë veta nuk guxojnë ta marrin. Të prekin të panjohurën. Edhe pse çdo ditë lëvizin drejt të panjohurës, drejt të ardhmes për të cilën sado që përgatitemi, kurrë nuk ndalon së befasuari. Për të mirë, apo për të keq.

Dy mënyra janë të lëvizen drejt të ardhmes – të guxosh të provosh diçka më të kënaqshme e të rehatshme si Bonucci, pa marr parasysh sa vite ke kontribuar në atë që je sot; të vazhdosh të njëjtën me vite, e edhe pse nuk të ofron kënaqësi me rezultate, të vazhdosh ta duash, ashtu siç ka bërë Totti. E kush është Totti?! Një simbol i besnikërisë!