Filma

Star Wars The Last Jedi (2017) – Recensim

Për të treguar zhgënjimin tim të vetëm, pikën time të vetme të zhgënjimit me këtë film do të duhej të bëja spoiler. Nuk dua ta bëj këtë, kështu që arsyetimi për notën personale s’do të jetë i plotë. Ngjashëm si filmi.

‘The Last Jedi’ nuk është prej filmave më të këqij të serisë së Star Wars. Janë nja tre që mund ta sfidojnë për këtë pozitë. Përkundrazi është mirë i sendërtuar, një tregim largpamës që mund të shërben si para-gjellë për atë që na pret viteve të ardhshme nga ky univers.

Mark Hamill ka pasur kohë më të madhe në këtë film. Karakteri i Luke ka qenë epiqendra e filmit duke sprovuar besnikërinë e shikuesve ndaj këtij karakteri dhe më gjerë. Nejse, është pak problem i madh të ruhem nga spoilerat në këtë recensim, por do të provoj të mbetem në anën e sigurt, ndonëse ka kaluar kohë që nga shfaqja e këtij filmi dhe besoj që shumica nga ata që e lexojnë këtë tashmë i dinë ngjarjet.

Ky film në këtë seri duket se ka pasur një qëllim të vetëm, sidomos pas vdekjes së Carrie Fisher, të lë të kaluarën dhe të shtroj sofrën për të ardhmen e kësaj serie. Ka qenë një flirt me krejt këtë muhabet në film, sidomos në lidhje me antagonistin dhe heroinën kryesore. Kylo Ren edhe Rey, do të jenë dy karakteret kryesore të franshizës në të ardhmen, por skenaristët kanë mundur të lëndojnë pak, paqëllim, këtë luftë të së ardhmes. E them këtë pasi skenari duket të jetë ndërtuar me qëllim për të përforcuar këtë luftë, ideja e të cilës është vitale për serinë, por ngjarjet ndërmjet Kylo e Rey nuk më kanë pëlqyer.

Oscar Isaac, John Boyega, Domhnall Gleeson, e Andy Serkis, pa harruar edhe Gwendoline Christie e Laura Dern, kanë pjesë e mirë zgjedhur e ansamblit. Por, besoj që gjithçka ka mbetur në hije ndaj karakterit të Benicio Del Toros. Ka qenë një aktrim i shkëlqyeshëm që më ka pëlqyer tepër, dhe një karakter i nevojshëm për shpërqendrimin nga tema kryesore.

Nuk është ndër Star Wars-at më të mirë. Më shumë ngjan në një ‘pilot-episod’ e cila duke tentuar të jetë edhe një finale, e humb identitetin. Nota personale: 4/5