Filma

Storks (2016) – Recensim

Lejlekët – këto shpezë vrastare shpresash! Më në fund, vonë pasi na kanë sjell mua, ty që po lexon këtë dhe të tjerëve në këtë hapësirë kodrinore-malore me vetëm dy fusha, kanë vendosur të pensionohen!!! Tashti janë njëfarë Amazoni, CornterStore.com më saktë, dhe në vend të foshnjave shpërndajnë gjithçka. Pra, Amazon me lejlekë në vend të dronëve.

Dhe gjithçka ecën në rregull, punët po shkojnë mirë, por disa fëmijë të mbetur për shkak të koordinatave të këqija të shpërndarjes, tani janë rritur dhe pasi që nuk fluturojnë, për ta nuk ka kurrfarë pune këtu. Derisa përgatitet largimi i tyre nga puna, vjen kërkesa për të shpërndarë një foshnje diku. Këtu nis aventura.

Lejleku Junior me zërin e Andy Samberg, dhe vajza Tulip me zërin e Katie Crown nisen në një udhëtim për të dërguar foshnjën e fundit në shtëpi. Gjatë rrugës ata hasin në probleme teknike, atmosferike, si dhe një turmë ujqish që janë ndër pjesët më komike të filmit. Pas tyre, në një mision sabotues, nga baza niset një pëllumb detektiv. Pra, tani Junior dhe Tulip duhet të luftojnë edhe me eprorët e tyre, edhe me armiqtë e jashtëm.

Për çudi kam parë të gjithë filmat e Nicholas Stroller deri tani. ‘Storks’ është filmi i parë i tij i animuar dhe nuk dëshpëron. I ka bërë ‘Storks’ në një film të këndshëm dhe të përshtatshëm për argëtim familjar. Skenari është sendërtuar pranë misionit kryesor me disa devijime komike në rrugë. Ndihmohet nga zërat e Ty Burrell, Jennifer Aniston, Ty Burrell, e emra tjera të kastit të cilët nuk zhgënjen asnjë pikë.

Pra, është një alternativë e mirë për film familjar, për dallim nga filmat paraardhës të Stroller. Nuk është diçka i veçantë as me hapësirë për të vazhduar si një franshizë. Shkurt, një film i mirë, aventurë që duhet të mos vazhdoj më. Nota personale: 3/5