Filma

Suicide Squad (2016) – Recensim

Ajo ideja – ‘ti mbledhim disa emra të stripave dhe të bëjmë një film super-heronjsh’ duket se nuk po funksionon më. Së paku jo me ‘Suicide Squad’ të DC Comics. S’mjafton angazhimi i Batman për disa skena, e s’do të mjaftonte as paraqitja e Wonder Woman.

Ajo çfarë ka mjaftuar për tu bërë çfarë ka arritur të jetë ‘Suicide Squad,’ ka qenë angazhimi i Margot Robbie, rreth karakterit të së cilës ishte përqendruar filmi që nga fillimi. Nuk është një ‘Guardians of the Galaxy’ që përkundër anonimitetit deri në një shkallë të heronjve, aktorëve, e ngjarjeve, arrijnë të del diçka e bukur në fund. ‘Suicide Squad’ në krahasim me ta është një dështim! Për shumë arsye!

Pikë së pari, ngjarja është e dobët. Niset me atë mendimin që çka nëse Supermeni do të çmendet, kush do të na mbroj. Pastaj rishtazi shfaqet një rrezik apokaliptik dhe koha është që këta pesë me aftësitë e tyre mbinjerëzore të futen në veprim. Filmi dështon në skenar duke provuar të ndaj hapësirën ndërmjet pesë karaktereve, ku secilin provon ta sjell në mënyrën e vet kinse janë diçka të veçantë. Sa lidhen me të kaluarën, sa me të tashmen, sa me asgjë. Dikur fusin ‘fërka’ ndërmjet skuadrës, kinse për tu bërë më interesant, e pastaj fundi siç duhet edhe të ishte, mbetet një pikënisje për vazhdime tjera të këtij filmi që është dëshpërim për shumicën!

Pos skenarit, gjëja më e keqe në film është Jared Leto dhe Xhokeri. Khuuu! Të bën për të vjellë, edhe asisoj e vjelle që vjen në bark të zbraztë e provon ti qet jashtë zorrët e krejt organet që ke! Provon të bëj diçka të veçantë, e dështon tmerrësisht! Pse nuk mund të ishte si Will Smith? I thjeshtë, në karakterin e tij, pa e komplikuar as veten as ngjarjen! Ndoshta sepse Jared Leto s’ka as karakter as talent! Ndërkohë Margot Robbie është ndoshta e nënvlerësuar për aftësitë e saja artistike në dallim me pamjen që ka! Viola Davis ka qenë e mirë, edhe pse ndoshta ka pasur një karakter të humbur në skenar. Nuk është faji aq shumë tek aktrimi (pos tek Jared Leto – bërllog) sa tek skenari.

E edhe David Ayer nuk do të ishte fajtor, sikur të mblidhte një grup skenaristësh. Por, i vetëm të bëj skenarin dhe regjinë e një projekti kaq të zgjeruar! Epo, për atë në fund mbetet kështu siç ka dal – kërkah!. Nota personale: 2/5