Filma

T2 Trainspotting (2017) – Recensim

Oh Danny, Danny Boyle!

Njëzet vite pritje, por ia ka vlejtur çdo vit! Djemtë janë kthyer dhe në formën siç ishin atëherë. Veç edhe më të mirë. Dhe jo për të vështruar trenat. Për të qëruar hesapet, për të larë gjynahet!

Renton kthehet në vendlindje, aty ku takon Simonin, Spudin, edhe Begbien. Simon është duke bërë shantazhe tek figura të ndryshme falë bashkëpunimit me një bullgare. Spud është i vjetri, tashti prind. Begbie më i çmenduri, akoma në burg. Dhe në një mënyrë apo tjetrën e gjejnë veten, dhe pastaj nisin të rregullojnë gjithçka që ka ndodhur njëzet vite më parë.

Ewan McGregor është duke pasur njërin nga vitet më të mira në karrierë. Jonny Lee Miller ka qenë këtej me ‘Elementary’, derisa ishte kënaqësi të shihnim Ewen Bremner e Robert Carlye (jo si Rumplestiltskin) përsëri. Që të katërtit vijnë me një aktrim të shkëlqyeshëm, në çdo aspekt. Harmonia e tyre skenike nuk ka humbur, vetëm sa është pjekur, ngjashëm si vet ata si aktor. Padyshim që këtu ndihmon edhe skenari e regjia.

Edhe tek këto dyja ndikim të madh ka përvoja, familjarizimi me tregimin në fjalë. John Hodge kthehet si skenarist, Danny Boyle si regjisor. Skenari është i shkëlqyeshëm, është i shtrirë për merak. Nuk lë në prapaskenë asnjë karakter, e asnjërin nuk e kthen në karakter qendror, përkundër faktit që në përshkrim përmendet vetëm Renton. Është një tregim skocez, i realizuar në ambient krejt skocez. Në mënyrë të përkryer.

E Danny Boyle e sjell të veten. Pamje të bukura, kënde të shkëlqyeshme, fotografi të mahnitshme. Drejtim i përkryer edhe nga vet ai për të bërë një krye-vepër të këtij viti. Jashtëzakonisht jam i kënaqur me këtë realizim të ‘Trainspotting’. Zakonisht ndërhyrje të këtilla rrezikojnë historinë që ka krijuar filmi paraprak. Por, në këtë rast vetëm sa e ka bërë më të përkryer. Ndoshta edhe më mirë se i pari ka dal ‘Trainspotting 2’. Nota personale: 5/5