Filma

Tag (2018) – Recensim

Një tjetër film loje, por kësaj radhe i bazuar në një ngjare të vërtetë, me një ansambël aktorësh mirë të zgjedhur, të cilët kanë harmoni skenike ndërmjet vete, nga skena e parë, deri tek fundi. Filmi merr një kthesë pak të pritur në pjesën e fundit, por më e mira e krejt filmit është që me të përfunduar kemi video-sekuenca nga loja e njëmendtë e pesë miqve.

Filmi, bazuar në një artikull të WSJ, gazetarja e së cilës në film implikohet papritmas në lojë, ndjek lojën e pesë miqve të cilët nga fëmijëria, tashmë për tridhjetë vite luajnë ‘kile’ (në rajonin e Anamoravës), e cila në vende të ndryshme mund të ketë tjera emërtime.

Në fillim, kemi Ed Helms (në rolin e Hoganit) i cili vjen tek karakteri i Jon Hamm, Bob, i cili është në vigjilje të një interviste biznesore, me lajmin që shoku i tyre, Xherri (Jeremy Renner) do të pensionohet pas këtij maji. E veçanta e Xherrit është që kurrë nuk ka qenë i etiketuar, nuk e ka bartur kilen. Dy shokët e tjerë janë Regji – Lil Rel Howery, dhe Rendi – Jake Johnson. Gruaja e Hoganit, Isla Fisher në rolin e Anës është karakteri ndihmës më i mirë në tregim, i cili nis me hyrjen në veturë të Hoganit, Bobit, dhe gazetares, Annabelle Wallis në rolin e Rebekas.

Thjesht – pesë shokë, bashkëshortja e njërit, një ish-simpati, një gazetare, një e fejuar, dhe një mori karakteresh të cilat janë pjesë e njërës nga komeditë më të këndshme të gjysmës së parë të këtij viti.

Skenari e bën filmin sikur të jetë një dokumentar në kohë reale, me një regji mirë të ndërtuar. Nuk ka kohë për pushim, ngjashëm si nuk ka pasur kur keni qenë vet pjesë të kësaj loje. Më ka pëlqyer goxha shumë ky film që sjell një dimension tjetër të shoqërisë fëmijërore të konservuar në trupa të rriturish. Nota personale: 4/5