Kolumna televizive për Zëri

Televizionet tona interaktive!

Facebook, Twitter, së fundmi edhe Google+ edhe pse nuk ka arritur në nivelin e dy të parave janë bërë pjesë e pandashme e jetës tonë, sidomos asaj që quhet “gjeneratë e internetit”. Kjo demografi e popullsisë më së shumti gjendet në grupin më komercial të shikuesve, 18-49 vjeç. Televizionet tona për tu bërë më joshëse, për të siguruar më shumë shikues duhet patjetër të lidhen me këta shikues potencial. Fatkeqësisht, as në Kosovë e as në Shqipëri nuk ka kurrfarë mjeti që mat shikueshmërinë e kanaleve rregullisht. Nganjëherë realizohen sondazhe që ose paguhen nga ndokush për një qëllim të caktuar, ose nuk arrijnë të bëjnë një shpërndarje të barabartë të respodentëve për të pasqyruar rezultate sa më të përafërta. Kjo është arsyeja pse secili kanal dhe program del me deklarata bombastike se është “kanali numër”, “emisioni më i shikuar” e të ngjashme.

Një mënyrë e re e matjes së audiencës janë bërë “Pëlqimet” në Facebook. Disa programe kanë me mijëra persona që i pëlqejnë ato, e disa të tjera nuk kanë as faqe në Facebook, apo llogari në Twitter. Për më tepër më shumë se gjysma nuk kanë as llogari kontaktuese të postës elektronike, e disa përgjigjen vetëm nëse ka ndonjë të interesuar për reklamim.

Ka llogari në rrjetet shoqërore të televizioneve apo programeve, e edhe të platformave kabllore që janë hapur sa për sy e faqe dhe nuk ofrojnë kurrfarë informate të dobishme për vizitorët. Së fundmi është bërë zakon që të hapen edhe uebfaqet, edhe pse shumica e televizioneve lokale, dhe programeve të veçanta preferojnë një faqe në Facebook për shkak të kostos më të ultë dhe mundësisë më të madhe për të kontaktuar me shikuesit e tyre.

Sa po funksionojnë këto?! Të them aspak s’do të gabohesha. Të nisemi nga kanalet tona kombëtare. RTK, RTV21, dhe KTV kanë uebfaqe të tyre të cilat më shumë ngjajnë në portale informative duke ofruar lajme për një ngjarje politike se sa për një program të tyre. RTV21 ofron informata për skemë programore për një javë, edhe pse shpesh ndryshon vetëm data pasi skema mbetet e njëjtë pa u rifreskuar. RTK nuk ka skemë në dispozicion tashmë disa muaj, derisa KTV shfaq skemën programore për vetëm një ditë. E nëse kalojmë tek informatat për programet e veçanta apo episodet e radhës të emisioneve, ato i kemi në minimum apo nuk ekzistojnë fare. Të nisemi nga RTK e cila siç duket kurrë nuk ka ndryshuar këto informata pasi akoma ekzistojnë të dhënat për serialet që janë shfaqur para 5-6 viteve. RTV21 kohë pas kohe ofron video promo të programeve në kanalin e tyre në YouTube, derisa Kohavision ofron vetëm informata themelore. Megjithatë nëse shohim video-bibliotekën në internet, KTV qëndron shumë para kanaleve tjera. Ka arkivin më të pasur që mundëson të shihni emisione për disa muaj. Kanalet tjera ofrojnë vetëm episodet e fundit siç është rasti i RTK-së. Problemi tjetër është që shumica e programeve ofrohen në cilësinë minimale, që edhe mua personalisht do të më përshtatej, por ekzistojnë alternativat, e para me YouTube që ofron mundësinë për shikuesin të zgjedh formatin. Për më tepër është edhe një mënyrë e mirë për të siguruar të hyra, edhe pse mund të jenë në sasi të ultë.

Nuk di pse frikësohen nga publikimi i emisioneve të tyre në YouTube, Dailymotion, apo edhe Vimeo. Përkundrazi duhet të zgjedhin secilën mënyrë që do të bënte të shihej emisioni i tyre edhe më shumë. Kopjimi nuk mund të ndalet, ata që dëshirojnë ta shohin do ta bëjnë këtë. Por, një gjë e kanë më të vështirë ta bëjnë. Të largojnë reklamat që shfaqen brenda programit…

(vazhdon të dielën e ardhshme)

Luan Morina

Kritik për TV&Film

Botuar me 6 maj 2012 në gazetën Zëri