Filma

The Commuter (2018) – Recensim

Me ujq, në aeroplan, me terroristë shqiptar (edhe atë tre herë), kundër nazistëve në mënyrën më paqësore, dhe sa e sa misione tjera a pasur Liam Neeson në shpëtim të njerëzimit. Ndonëse mund të duket në një film që ngjan në serinë Taken, apo në kidnapimin e aeroplanit, veçse në tren, ‘The Commuter’ ofron një alternativë më të mirë se të dy këta tituj.

Kohëzgjatja e shkurtër e ngjarjes, e bën shikuesin më të lidhur me filmin, pasi në njëfarë mënyrë e ndjen që fundi nuk pritet të vonojë. Filmi zgjat në kohën e përkryer – 105 minuta; nuk ka hapësirë për kotësi, dhe ofron atë ndjenjën drithëruese për pjesën më të madhe të tij.

Liam Neeson vjen në rolin e një shitësi dhe ish-polici i cili merr shkarkimin nga puna, dhe rrugës për në shtëpi përsëri mbetet në trenin e njëjtë periferik. Sot, për dallim prej ditëve tjera, ai merr një detyrë nga një bashkudhëtare për të gjetur një pasagjer tjetër ose të ndeshet me pasoja fatale për familjen e tij. Gjersa Neeson është në luftë me kohën për të gjetur udhëtarin e kërkuar para arritjes në stacion, njëkohësisht edhe shikuesit nis të lidhet me këtë orë që ecën drejt alarmit fatal, falë një skenari mirë të përpunuar nga një ekip goxha papërvojë.

Vera Farmiga vjen në rolin e Xhoanës, bashkudhëtares së tij, me një ansambël që bëjnë punën e tij si krejt pjesa tjetër e ekipit teknik – më mirë se që do e prisja. Nuk është film kushedi sa i veçantë, por nëse dëshironi diçka aksion me tematikë kriminale, drithëruese, atëherë do të ishte përzgjedhje e mirë kjo. Më e mirë se të tre ‘Taken’-at. Nota personale: 3/5