Filma

The Gambler (2014) – Recensim

Mark Wahlberg është një nga aktorët më interesant që arrin të përvetësoj një gamë të gjerë zhanresh dhe rolesh me sukses. Për këtë arsye, pa marrë parasysh temën e filmit, unë nuk refuzoj film të tij. Brie Larson është një nga yjet e reja të kinematografisë. Paraqitja e saj në ‘Short Term 12’ më së miri arsyeton këtë epitet, edhe pse ka pasur role të mira edhe në tituj tjerë.

Tregimi i filmit nuk është i lidhur kryekëput me karakteret e këtyre dy aktorëve. Në fakt titulli dhe fillimi i ngjarjes na kujton në një masë filmin ‘21’. Por, është vetëm një dyshim që venitet me zhvillimin, në të njëjtën kohë komplikimin e tregimit dhe ngjarjes sa shkon e zhvillohet filmi.

Jim Bennett (Wahlberg) është një profesor universiteti që rrjedh nga një familje e pasur i cili duket se e ka mani të futet në borxhe, në rrugë pa dalje. Jeta e tij tashmë e komplikuar duket se nuk është interesante për të, dhe për këtë arsye duket se dëshiron të futet thellë e më thellë në borxhe, në gropë. Dhe si zakonisht, për të dal nga kjo rrugë pa krye nevojitet një arsye, që në këtë rast vjen në Amy (Brie Larson). Nuk është një tregim dashurie e vonuar, por megjithatë është një pendim i Jim i cili duket se do ta ketë të pamundur të dal nga pozita në të cilën është ngujuar.

Aktrimi i të dyve është i shkëlqyeshëm. Por, përreth kanë edhe emra të mëdhenj, të zot si john Goodman – njëri nga emrat më të preferuar për mua në Hollywood. Pastaj kemi Jessica Lange, e Michael Kenneth Williams që vijnë në role tjera dytësore, por të mjaftueshme për të dëshmuar aftësitë e tyre.

Për Rupert Wyatt është një sprovë e mirë, më reale se projekti i tij i fundit. Një realizim i mirë, solid, pa kushedi sa batica apo zbatica. Në këtë ka ndihmuar edhe William Monahan në skenar ku trashëgon përvojën e tij nga tituj si ‘The Departed’, ‘Body of Lies’, e ‘Kingdom of Heaven’. Por, e vetmja trashëgohet është përvoja, jo edhe cilësia, fatkeqësisht.

‘The Gambler’ mbetet një film i mirë, solid, aktrim interesant. Nota personale 3/5.