Filma

The Grand Budapest Hotel (2014)  – Recensim

E kam cekur edhe më herët, njeriu ose i do, ose i urren filmat e Wes Anderson. Ai sjell një metodë krejt tjetër në realizimin e filmave, një metodë shumë dy-dimenzionale duke lëvizur në mënyrë të njëtrajtshme me lëvizjet e karaktereve. Është formë më ndryshe e përdorimit të kamerës nga realizimet e zakonshme, prandaj jo të gjithë e pëlqejnë. Njëjtë është edhe tek dialogët, që dinë të jenë të çuditshëm, kompleks, ngjashëm si tregimi që nuk jep një përgjigje të qartë, thjesht zhvillohet ashtu, përsëri, çuditshëm pa kahje të përcaktuar për perceptim të lehtë nga shikuesi. Kjo e bën të veçantë Wes Andersonin, dhe punën e tij e bën një mrekulli në vete në këtë botë të rëndomtë të kinematografisë.

Edhe tregimi për ‘The Grand Budapest Hotel’ është i vendosur në një lokacion fiktiv, në Republikën Zubrowka ndërmjet dy Luftërave Botërore. Ndjek aventurat e kryeshërbëtorit të hotelit ta quaj, Gustav H dhe çirakut të tij, Zero. Tregimi ndërthuret ndërmjet historive të këtyre dy karaktereve, duke ndërhyrë edhe histori të karaktereve tjera që në një apo më shumë mënyra ndërthuren me tregimin kryesor, por jo edhe medoemos kanë lidhje disa prej tyre. Si zakonisht në filmat e Wes Andersonit, tregimi kërcen nga ngjarja në ngjarje, nga skena në skenë, me apo nevojë të jetë i ndërlidhur me skenën, apo tregimin paraprak. Është një film përplot ngjyra që të kënaqin syrin, përputhur me një tregim që të kënaq mendjen nëse nuk e mundon atë për të provuar të futesh më thellë. Thjesht, si shumica e filmave të tij janë të vështirë për tu përshkruar me fjalë pasi kanë një përshkrim të mrekullueshëm artistik.

Në kast vijnë emrat e zakonshëm të botës së Wes-ti, Bill Murray, Adrien Brody, Jason Schwartzmann, Owen Wilson, me Ralph Fiennes në rolin kryesor të Gustav H, dhe Tory Revolori në rolin e Zero. Si zakonisht nuk mungojnë as yje tjera si Tilda Swindon, Tom Wilkinson, Jude Law, Harvey Keitel, Jeff Goldblum, Willem Dafoe, Jeff Goldblum, dhe Francis Abraham Murray që ka një rol më të madh në tregim. Të gjithë këta kanë pjesët e tyre, qofshin edhe minimale, duke qenë pjesë e një botë të mahnitshme të krijuar nga mendja e çuditshme e Wes Anderson.

Film i përkryer, i realizuar shkëlqyeshëm në çdo aspekt. Film që të kënaq, sa vizualisht aq edhe si tregim. Nota personale 5/5.