Filma

The Greatest Showman (2017) – Recensim

Në pjesën e parë të viteve ‘90ta, në vitet e para të okupimit serb pas autonomisë (jo be, s’osht orë historie), pak opsione argëtuese ka pasur në televizionet e asokohe, të cilat program kanë shfaq me orar të kufizuar (op, si kto kanalet tona mas luftës). Në mesin e këtyre pak opsioneve argëtuese në TV, para Kasandrës, kanë qenë ‘Fort Boyard’ e TV5, Ushuaia si seri dokumentare, edhe cirku, kryesisht Cirque du Soleil.

Një film tjetër që i dedikohet shfaqjeve argëtuese, është njëri ndër fituesit e parë të Oskarit për filmin më të mirë të vitit, ‘The Great Ziegfeld’. Për dallim prej këtij filmi, ‘The Greatest Showman’ është më i orientuar në cirk, dhe jo vetëm spektakël me këngë, vallëzim e të ngjashme. Tek ky film, Hugh Jackman mbledh një trup aktorësh dhe ekzibicionistësh, për të krijuar cirkun bazuar në historinë e njëmendtë të PT Barnum.

Është një kast që përfshin njerëz të ‘leqitur’ nga shoqëria e asokohe, të cilët përkundër këtij refuzimi ia dalin të gjejnë anët më të fuqishme duke sjell shfaqje argëtuese për mu ata që i kishin refuzuar. Filmi ndjek jetën e PT Barnum, karakterit të Hugh Jackman, që nga fëmijëria. Thellohet, ndonëse në sasi të kufizuar, edhe tek karakteret tjera dytësore, të cilat jetësohen nga një kastë mirë e zgjedhur. Michelle Williams vjen në rolin e gruas së PT Barnum, Zac Efron, Zendaya, Rebecca Ferguson, dhe emra më pak të njohur, por jashtëzakonisht të përshtatshëm me karakteret e tyre plotësojnë këtë kastë aktoresh që sjellin një mjuzikëll, më të mirin të vitit 2017, sa për të mbajtur gjallë këtë zhanër të rrallë, dhe pak të adaptuar dekadave të fundit.

Nga kasta mund të vëreni që të gjithë kanë përvojë në këndim, prandaj ashiqare nuk është një mjuzikëll që do t’u prish nervat. Përkundrazi, është një argëtim, që shndërrohet në dramë emocionale në bajagi shumë momente. Është ndër filmat më argëtues të vitit, mirë i shtrirë, tamam me kohë, skenar jo shumë të zgjeruar, dhe regji të mirë. Nota personale: 5/5