Filma

The Imitation Game (2014) – Recensim

Gjatë gjithë historisë, njerëzimi ka pasur heronj vepra e të cilëve është mohuar dhe nënçmuar për arsye të ndryshme. Gjithnjë do të ekzistojnë dy anët e medaljes, njëra që glorifikon dhe tjetra që mohon kontributin e këtyre heronjve për njerëzimin. I tillë del të jetë edhe Alan Turing.

‘The Imitation Game’ sjell historinë e Turing, i cili ishte një matematicient që kishte arritur të interceptonte mesazhet e nazistëve, duke shërbyer si një lloj ‘spiuni’ për forcat aleate. Termi spiun përdoret në kontekst tjetër edhe gjatë filmit, si Turingun për bashkëpunëtor gjerman, por në fjalinë e mësipërme e përdora si një njeri që ndërhyn në mesazhet që ishin të dedikuara vetëm për gjermanët.

Graham Moore arrin të përpunoj për mrekulli tregimin për Alan Turing, që përfshin të dyja sferat e jetës, nëpër të gjitha periudhat kryesore. Tregimi është i bazuar në librin e Andrew Hodges. Pa marrë parasysh çfarë fakte sjell libri, mendoj që Moore ka përzgjedhur kryesoret dhe më të rëndësishmet për të sjell para ekranit. Kemi jetën e Turing nëpër disa periudha, vështirësitë e tij për tu adaptuar në shoqëri, preferencat e tija seksuale, gjenialitetin e tij prej matematikani, dhe fatin që e ndjek në thyerjen e Enigmas. (‘Spoiler’ – Enigma është thyer, dhe nazistët kanë humbur luftën!!!)

Morten Tyldum bën një punë të bukur me regji. Filmi ka një shtrirje të mirë të ngjarjeve, me kërcimet e tyre nëpër dy periudha të ndryshme. Nis në vendin e duhur, përfundon po ashtu në vendin e duhur.

Ndërkohë sa i përket aktrimit, kemi Benedict Cumberbatch në rolin e karrierës. Si në çdo rol të tij, edhe këtu vjen në shprehje aftësia e tij sipërore e aktrimit. Keira Knightley shërben si shtesë e përkryer. Në fakt, po më pëlqen angazhimi i saj në filma të vlerësuar artistikisht kohëve të fundit. Vërtetë po arrin të shpreh talentin e saj prej një aktoreje të mirë. Matthew Good, Rory Kinnear e Allen Leech (Downton Abbey) kanë role më dytësore. Derisa për fansat e ‘Game of Thrones’ është interesante shfaqja e Charles Dance që çdo ditë e më tepër po bie në sy në filma, mu për këtë arsye. E si gjithnjë, filmat britanik nuk duken të jenë të kompletuar pa antagonistin Mark Strong, i cili kësaj radhe ka një rol më të ‘butë’.

Në përgjithësi, ‘The Imitation Game’ është një tregim i realizuar mirë. Sjell një histori që duhet ta dimë të gjithë, një histori që është përpunuar me mjeshtri nga Morten Tyldum. Nota personale: 5/5