Filma

The Odd Couple (1968) – Recensim

Kombinimi i Walter Mathaut dhe Jack Lemmon, i pari që e kam parë dhe që më ka bërë të dashurohem në këta dy ka qenë ‘Grumpy Old Men’. Ky film ka qenë edhe porta për në kinematografinë e hershme të pjesës së dytë të shekullit të kaluar për mua. Një rrugëtim aq i gjatë dhe i gjerë që më ka vonuar deri sot për të parë ‘The Odd Couple’.

E përcjell serialin me të njëjtin emër dhe të njëjtën temë (të përshtatur për këtë kohë) me Matthew Perry dhe Thomas Lennon. Nuk do të bëj një krahasim ndërmjet këtyre dyjave, për shkaqe subjektive, por do të pranoj që seriali më ka shtyrë të shoh këtë film më herët.

Matthau është Oscari – një reporter sportiv i ndarë nga gruaja që jeton një jetë të shfrenuar në apartamentin e tij gjigant në Nju Jork. Lemmon është Felix – një redaktor lajmesh i posa ndarë nga gruaja, divorc që e godet aq keq sa që dëshiron të mbyt veten, por përfundon si mysafirë në apartamentin e Oscarit. Të dy, edhe pse miq shumë të ngushtë kanë karaktere dhe ide krejtësisht të ndryshme në lidhje me jetën e përditshme. Ky fakt e çmend veçanërisht Oscarin, jeta e të cilit tashmë ka një rregull që është një devijim nga ritualet e tij tradicionale.

Filmi sjell disa momente komike, që në pjesën e parë nuk kufizohen ekskluzivisht vetëm tek këto dy karaktere. Kemi trupa përkrahës që shfaqen nëpër skena për të bërë më komike lidhjen e tensionuar të këtyre dyve.

Pjesa e fundit kalon në një lidhje ekskluzivisht vetëm me këta dy duke kufizuar edhe përdorimin e skenarit. Kjo është edhe pjesa më komike e filmit, para një fundi të bukur.

Është një film i mirë, me dy nga ikonat e kinemasë së pjesës së dytë të shekullit të kaluar, Jack Lemmon dhe Walter Matthau që vijnë me atë harmoninë skenike të përkryer në një tregim goxha interesant ‘vëllazërie’. Nota personale: 4/5