Filma

The Wolf of Wall Street (2013) – Recensim

the-wolf-of-wall-street-official-extended-trailer-0Do të thosha se ‘sikur në asnjë film tjetër karakteri i Leonardo DiCaprios dominon filmin fund e krye’, por, megjithatë kjo më ndal qysh tek ‘The Great Gatsby’ pa u kthyer në kohë.

Nuk është roli më i mirë në karrierë i DiCaprios. Nominimin për Oskar nuk e meriton para Tom Hanks e Robert Redford këtë vit. Tema e filmit nuk ka kurrfarë morali. Pjesa e parë e filmit lirisht mund të quhet ‘pornografi e butë’. Kohëzgjatja është e tepërt. Tema është shtjelluar pa nevojë në 180 minuta duke u futur në detaje që nuk kanë pasur nevojë të ishin pjesë e filmit. Dhe kur kujtojmë që filmi rrezikonte mos të shfaqej në kinema këtë vit për shkak të problemeve me editim pasi nuk besohej se do të arrinin të shkurtonin kaq shumë. Sa orë i janë dashur Scorsese të sjell në ekran këtë film të pamoralshëm në të gjitha aspektet e jetës?

Respekti për Scorsesen pas këtij filmi shumë vetave i është dobësuar, jo vetëm mua. Tani i kuptoj më mirë revoltimin e disa kritikëve të cilët edhe i janë drejtuar me fjalë si ‘Turp të kesh’, derisa të tjerët, sigurisht ata më konservatorët nuk kanë kursyer kritikat. Dëgjoj që ‘Director’s Cut’ do të ketë katër orë, pra, edhe një orë amoralitet. Kush ka nevojë për këtë? Jo unë, sigurisht.

Çka ka në film? 100 minutat e parë përfshijnë ahengje të papërmbajtjshme, orgji, përfshirë edhe orgji homoseksualësh, masturbim të Jonah Hill, mashtrime, vjedhje, dhe nënçmime të këtyre viktimave. Edhe shfrenimi i popullit të Moses tek filmi ‘Twelves Amandement’ ka qenë më i kufizuar se ky tek ‘The Wolf of Wall Street’. Shfrenimi nuk ka kufi tek ‘Wolfi’ e ma ha mendja që mund të gjejmë edhe filma pornografikë më të moralshëm se ky!

Edhe më tmerruese është përdorimi i ‘citimeve’ nga ky film. Ngjashëm si për Scorsesen, edhe respekti për këta ‘miq’ bie, jo që dikujt i duhet respekti im, apo i dikujt tjetër. Megjithatë si një kritik filmi radhit njerëzit, gjykon ata sipas shijes që kanë në filma. Nejse, ‘The Wolfi…’

Aktrimi i Jonah Hill është i shkëlqyeshëm. Ngjashëm edhe i Leonardo DiCaprios. Për këta dy jemi mësuar, sidomos për DiCaprion, e Hill sikur tek ‘Moneyball’ është vështirë ta gjesh diku tjetër. Jo deri më tani. ‘Superbad’ është i mirë, por, jo të përmendet në javën e Oskarëve. Ajo që lë përshtypje më të madhe tek ky film është Margot Robbie. Mahnit të gjithë për harmoninë që ka në skenë me Leonardon, përkundër përvojës kundërshtuese që kanë në kinematografi të dytë.

Tema e filmit është për Xhordan Belfortin, një ‘biznesmen’ nga Wall Street që nis të funksionoj në bazë të skemave të ndryshme kriminele ekonomike për të përfituar miliona dollarë në një ambient pune të shfrenuar. Pra, filmi idolizon një kriminel i cili përkundër milionave të vjedhur ka kaluar vetëm 36 muaj në burg.

Skena kur ‘ndez’ droga e karakterit të Jonah dhe mpin karakterin e Leos është ndër më të vlerësueshmet për mua në film. DiCaprio bën punë të mirë përgjatë gjithë filmit, por këtu ka një performancë që ndryshon prej atyre amorale, e pikërisht tek ato shkëlqen Jonah. Puna e Scorseses është e mirë. Filmi është i mirë në aspektin kinematografik. Por, është i gjatë, e tema është e pamoralshme. Këto dyja nuk e bëjnë këtë film të vlefshëm as për Top20 të vitit 2013 e lëre më të nominohet për Oskar.

E di që ka fansa, që nuk do të pajtohen me këtë opinion, por, për mua ‘The Wolf of the Wall Street’ është filmi i vetëm që nuk e meriton të jetë në mesin e të nominuarve për Oskar.

Nota personale: 4/10