Filma

Three Billboards Outside Ebbing, Missouri (2017) – Recensim

Në menaxhim projekte ju mësojnë të gjitha ato proceset që të arrish deri tek produkti fillestar. Ngjashëm edhe me filmat si projekte, e skenarit si projekte në më vete, kanë një vijë, trajektore, të cilën duhet ta ndjekësh. Është një rregull. Por, për tu bërë më interesant, një pjesë e konsiderueshme provojnë të shmangin rregullin e zakonshëm duke kaluar në trajektore tjera që përsëri vazhdojnë ta ndjekin një rrugë.

Martin McDonagh është disi sikur ai plani i autostradës tek Pimpsonët e Fisnik Ismailit!

Filmi i tij i tretë vetëm sa hedh dritë mbi aftësitë e tij jonormale të filmbërësit.

Është një film aq çuditshëm i ndërthurur që më shtyn të hezitoj të shkruaj e flas për të. Vetëm shikojeni edhe nëse gjeni fjalë, ejani e diskutojmë. Kështu do ta shkruaja, por në të njëjtën kohë disi ndjehesh keq pse nuk shkruan për këtë film. Po, do të shkruaj, ama duheni ta shihni patjetër!

Një nënë e dëshpëruar në mos-zbardhjen e rastit të bijës së saj të vrarë dhe dhunuar, vendos të marr një hap radikal. Ajo huazon tri billborde jashtë vendbanimit Ebbing në shtetin e Missouri. Njëri nga ta thumbon drejtpërdrejtë shefin e stacionit rajonal të policisë.

Kjo pos që e vë në kundërshtim jo vetëm me policinë, por edhe me banorët lokal të cilët disi mbajnë krahun policisë dhe tabusë që janë një vendbanim i përkryer. Derisa vet shefi i policisë, i portretizuar nga Woody Harrelson i cili nuk ka rol që nuk mund ta zotëroj, është më i sjellshëm ndaj karakterit të Francis McDormand, Mildred, është një polic tjetër, Dixoni, i cili e merr më hidhët këtë veprim të Mildredit.

Tema e filmit nuk sillet vetëm tek kjo vrasje. Edhe pse duhet të jetë një temë vrasëse, ajo sjell një komedi të zezë. Tregimi zhytet thellë në jetën private të që të tri karaktereve. Kjo zbulon disa karaktere tjera ndihmëse që përshtatet mrekullueshëm me këto karakteret kryesore dhe krejt ngjarja. Ngjarja nuk ka rregull, dhe këtë nuk e them që kërcen nëpër periudha, por thjeshtë është e parregullt. Gjëra të papritura, të paparamenduara ndodhin.

Aktrimi është çmendurisht i përkryer. Frances McDormand ka dëshmuar vetën në Fargo së pari. Sam Rockwell vjen me rolin e karrierës ndoshta. Woody është Woody! John Hawkes, Abby Cornish, Peter Dinklage, vijnë në role dytësore me një aktrim të jashtëzakonshëm. Si zakonisht McDonagh bashkëpunon me Carter Burwell kur jemi tek kolona zanore, ngjashëm si tek ‘In Bruges’ e ‘Seven Psychopaths’. Veçse në çdo aspekt ky film lë larg të tjerët.

Do të ju lë gojëhapur, njëri ndër filmat më të mirë të vitit. Ndoshta edhe ndër më të mirët e dekadës. Nota personale: 5/5