Filma

I, Tonya (2017) – Recensim

Kjo botë nuk është për njerëzit normal! Tonya Harding nuk ishte normale.

E konsideruar si një talente e jashtëzakonshme në patinazh artistik, e shtyrë nga e ëma, ajo i dedikohet këtij sporti duke shkëlqyer qysh në fëmijërinë e saj të hershme. Në këtë periudhë Tonya Harding vjen në këtë film biografik bazuar në ngjarje të vërteta, nga aktorja McKenna Grace të cilën do e njihni mirë nëse keni parë filmin ‘Gifted’.

Një mbikëqyrje rigoroze zakonisht del të kthehet në anti-efektive, ngjashëm si tek ‘Arkangel’ i sezonit të fundit të ‘Black Mirror’! Ashtu ndodh edhe me Tonyan e cila gjen dashurinë e jetës me të cilin nuk kalojnë edhe aq momente të mira, dhe paqësore. Së paku kështu duken nga intervistat e Tonyas të cilat ndërhyjnë kohë pas kohe në rrëfimin për karrierën e saj të ndërprerë para kohe. Pse është ndërprerë do ta mësoni vet, dhe më mirë ju bie që të mos hallakatni nëpër Google për të mësuar përfundimin e filmit!

Nëse dëshironi të hallakatni për patinazh artistik, hallakatni paraqitjet e Evgenia Medvedevas dhe tani e tutje Alina Zagitovas. Mos harroni edhe olimpiadën në Eurosport!

Filmi vjen në formë të intervistave në një cilësi që përshtatet me kualitetin e videove të dekadës së 90tave. Tonya Harding, burri i saj Jeff Gillooly, dhe nëna e saj LaVona Golden vijnë si të intervistuarit kryesor. Do të përmendja edhe Bobby Cannavalen i cili vetëm sa dëshmon aftësitë e tija aktori pas një sezoni fantastik te ‘Mr. Robot’.

Sebastian Stan vjen në rolin e burrit të Harding, e Allison Janney në rolin e nënës. Nëse shihni serinë ‘Mom’ atëherë jeni të njohur me aftësitë e aktrimit të roleve të nënës nga Janney. Ajo bën punë ngjashëm të mirë edhe në këtë film, duke ardhur në rolin e nënës së Margot Robbie.

Kjo e fundit është edhe si producent në filmin që do ta definoja si tentim për të dëshmuar që nuk është vetëm një fytyrë e bukur, por njëmend një aktore e mirë. Këtë ia arrin ta dëshmoj, por nuk është asgjë e jashtëzakonshme paraqitja e saj. Mendoj se ka potencial edhe më të madh.

Regjia është i bukur, mirëpo tek skenat e patinazhit mund ta shihni një dështim të editimit. Shihet qartazi koka e ngjitur e Robbiet në trupin e cilësdo sportiste. Ngjashëm çalon edhe skenari. Është një temë goxha e kufizuar, por mirë e shtjelluar. Ngadalësohet pa nevojë në disa ngjarje, për të marr një hov me afrimin kah fundi. Mbetet i mangët.

Nuk është film i dobët, por ka pasur potencial më shumë mendoj. Aktrimi është fenomenal. Kinematografia e mirë. Nota personale: 4/5