Televizioni

Top 40 programet kosovare

Top 40 programet në kanalet kosovare për sezonin televiziv 2012-2013

Edhe këtë vit, tashmë për herë të katërt bëj renditjen e programeve më të mira në televizionet tona. Vitin e kaluar ishte Top 50 pas një Top 10 dhe Top 20. Këtë vit kam vendosur të reduktoj numrin në Top si shenjë revolte për degradimin në cilësi të programeve televizive që shfaqen në kanalet tona.

Renditja është mendim personal i imi, nuk paraqet qëndrimet e redaksisë së Telekomndës apo çfarëdo mediumi tjetër ku mund të publikohet eventualisht. Është thjesht mendimi im i thjeshtë, i konstruktuar mbi shumë orë të kaluara duke shikuar televizion gjatë këtyre viteve, sidomos këtë sezon që për mua tashmë ka përfunduar. /Luan Morina/

40 Express (KTV)

Express bie për disa pozita në krahasim me vitin e ardhshëm. Mbetet programi kulturor kryesor dhe më i sofistikuar në kanalet kombëtare edhe këtë vit, por… Por, reprizimi tre herë në ditë, ndoshta edhe katër natën nuk e kam shikuar, e tepron dhe e bën bajat këtë program. Gjithashtu kohëzgjatja prej më shumë se një orë për një program informativ ditor kulturor është e tepërt. Lajmet politike mbesin më të shkurtra se sa Express. Të dyjat duhet të shkurtohen edhe më shumë.

39 Sporti Total (KTV)

Evolucioni i redaksisë të sportit është kryer me sukses, do të thosha. Programi qendror i javës është zhvendosur, mungon Asist, derisa përmbledhjet ditore janë të tejzgjatura dhe shpesh me informata ‘të vjetra’. Sidomos rubrika e sportit në Interaktiv është tepër e gjatë, tepër! Gjithashtu mungesa e ndonjë gare sportive është ‘debakël’ për KTV-në këtë vit, njëherë kanalin më alternativ në Kosovë.

38 Kombinati (Digi Plus)

Edhe një shou që dezerton në Digitalb. Ka filluar vonë transmetimin e sezonit të dytë, të cilin nuk kam shikuar. Thjesht jam dorëzuar qysh në sezonin e parë, dhe atë kur kam parë dy karaktere të Armond Morinës. Çfarë e bën speciale këtë aktor që të ketë nga dy karaktere nëpër serialet vendore?! Sidoqoftë, me qëllim që të ‘inkurajoj’ zhvillimin e serialeve komike vendore, e vendos aty ku ishte vitin e kaluar, në pozitën e 50të.

37 Kapital & Subvencion (RTK)

Debat ekonomik të shtunave? Jo, faleminderit. Megjithatë nëse do të krahasonim ’Kapital’-in me emisionet tjera që transmetohen të shtunave në prime-time në kanalet tjera kombëtare, është alternativa më e mirë. Ka pasur disa debate interesante, mysafirë adekuate, dhe tema aktuale. Emision i mirë, por do të përshtatej dikur më vonë edhe gjatë ditëve të javës, ngjashëm si Subvencion të hënave.

egjeli36 Egjeli (Digi Plus)

Dezertimi në Digi Plus besoj që u ka ndihmuar Stupcave. Transmetimi i serialit kundrejt Kafeneja Jonë nuk ka qenë vendim i mirë. Nuk mund ta sfidojnë një program aq viral që transmetohet në kanal kombëtar duke transmetuar në operator satelitor dhe kabllor gjë që ofron mbulim të limituar. Nuk ka munguar kreativiteti. Ndoshta nuk jemi mësuar ti shohim kaq shpesh, mirëpo banalizimi i herë pas hershëm i disa skenave na ka mohuar mundësinë të shohim në ambient familjar serialin. Jo që na ka mbetur shumë merak!

35 Zona B (Klan Kosova)

Baton Haxhiu nuk është ndër moderatorët e mi të preferuar, sidomos në debate. Megjithatë në intervistë një-me-një është treguar mjaft i suksesshëm. Ka afinitetin për të zgjedhur mysafirë të njohur, emra të rëndësishëm të cilët siç duket në përtojnë të vijnë në debate. Ka pasur debate interesante, javë pas jave. Meriton të jetë ndër 50 emisionet më të mira në Kosovë.

34 Superliga e Basketbollit (RV21)

E shtuna është nga mbrëmjet më të kota në televizionet tona kombëtare. Këtë monotoni e ka prishur RTV21 me disa ndeshje basketbolli, të cilat pos lojës interesante kanë arritur të joshin shikuesit edhe me anë të tifozëve të tyre të zjarrtë. Shikoj basketboll, por jo rregullisht. Sidoqoftë, RTV21 ka mbushur në mënyrë të përkryer të shtunat herë me basketboll e herë me filma duke shtyrë për më vonë programe bajate si Odeoni.

33 Puls (KTV)

Kalimi në primetime i ka ndihmuar shumë këtij programi. Nuk ka pasur shumë intervista 1n1, apo reportazhe për një temë të caktuar. Ka pasur më shumë debate, dhe atë debate mjaft interesante, e për mendimin tim edhe produktive. KTV ka bërë një punë të mençur që ka kthyer këtë program në primetime, duke siguruar një alternativë të mirë të hënën, edhe pse është një orar i zorshëm për shkak të ‘Kafeneja Jonë.

32 Sulltani (RTV21)

Jo veq tek ne, ‘Sulltani’ ka bërë bujë kudo që është transmetuar. RTV21 ka bërë mirë që ka siguruar të drejtat edhe për një sezon. Është vonuar paksa, por fajin e kanë televizionet tona. Po të transmetonin një ose dy episode në javë, mund të ja nisni shumë më herët të shfaqnin episodet e reja, kështu janë të detyruara të presin pranverën. Serial i mirë, jo diçka që e përcjell vazhdimisht, por e shoh që ka shikueshmëri, e edhe cilësia nuk mungon.

mustafa_nadarevic31 Lud, Zbunjen, Normalan (RTK)

RTK ka gabuar që ka sjell sezonet e vonshme të këtij seriali. Nuk kam arritur akoma deri aty ku kishte ‘kërcyer’ RTK, por sezoni i parë dhe i dytë janë komedi fantastike. Ka pasur shumë akuza në publik pse transmetohen kësisoj seriale në gjuhë të ‘huaja armike’, por le të kthehemi kah vera kur kishim një serial që propagandonte bashkim-vëllaznimin ‘modern’. Nuk dua të jem diskriminues për shkak të gjuhës, por ‘I trenti, i humburi, dhe normali’ është shumë serial më i mirë dhe më i suksesshëm se serialet e verës së kaluar në RTK.

30 Gossip Girl etj. (Klan Kosova)

Klan Kosova është i vetmi kanal që ofron alternativë të gjerë të serialeve më të mira amerikane. Në fakt serialet që po transmetohen janë paksa të dala mode, por megjithatë janë cilësore. ‘24’ është i vetmi serial i ri që ka ardhur këtë vit, derisa të tjerat vazhdojnë të jenë ato të zakonshmet. ‘House’ përfundon derisa serialet si ‘CSI: NY’ e ‘Law & Order: SVU’ kanë audiencën e tyre, ndoshta. ‘Gossip Girl’ është seriali më i mirë për mendimin tim në këtë kanal nga këto seriale, në fakt i vetmi që përcjell.

29 PFF (KTV)

I vetmi program i dobishëm për fëmijët. RTK ka shkatërruar gjeneratën më të re dhe turp për një televizion publik ti kushtoj fëmijëve vetëm 100 minuta program në javë. Qyshdoqoftë KTV pos që ka ruajtur formatin e PFF, ka shtuar edhe nja dy-tri filma vizatimor, jo prej më të mirëve, megjithatë janë aty. Fëmijët janë më të nënçmuarit në mesin e shikuesve, dhe pas disa viteve kur nuk shohin hiq televizor pasi nuk kanë krijuar dashuri ndaj këtij ‘objekti’, humbësit më të madh do të jenë vet televizionet.

28 AS (RTK)

Departamenti i sportit në RTK ka pasur një sezon të suksesshëm. Kanë siguruar Ligën e Kampionëve, kanë shtuar Ligën e Evropës, kanë transmetuar kampionatin kombëtar në basketboll e volejboll, si dhe ngjarje tjera. Ju ka marrë malli për kampionatin në futboll? Mua, jo. Ngjashëm edhe AS ka pasur një sezon të mirë. Asgjë speciale, por i njëjti format, por me studio të re. Personeli ka mbetur ai i vjetri, që nuk ka pasur nevojë për ndryshime, por nuk është i përkryeri. Ndonjë ligë kombëtare për vitin e ardhshëm do të përbënte një ofertë fantastike.

27 Ask ve Ceza (KTV)

Nuk di ku i gjen KTV këto seriale, por më duhet të pranoj që po mbetet me serialet dytësore. Edhe pse po kanë sukses tek publiku jonë jo shumë zgjedhës, gjithnjë mendoj që KTV mund të bëj më mirë. Ask ve Ceza u jep një ‘rrugëdalje’ të gjerë për serialet e ardhshme falë popullaritetit të Murat Yildirimit. Aktori ka edhe dy-tri seriale që do të kishin sukses të garantuara tek shikuesit tanë. Gjithashtu do të kishin edhe temë më të mirë e më të kapshme. Për mendimin tim ka qenë sukses ‘Savashi’, por e di që KTV mund të bëj edhe më mirë.

26 Sot (KTV)

Kallaballëk femra, shumë kallaballëk. Ndoshta ndonjë talk-show pasdite mund të dominohej nga femrat, por emision mëngjesi. Edhe meshkujt shohin televizion në mëngjes, dhe ka disa punë që thjeshtë nuk janë të zonja ti bëjnë femrat në program mëngjesi, së paku jo këto tek KTV tani. KTV ka injoruar në masë të madhe gjininë mashkullore në emisionin Sot, dhe derisa kam qenë fans i madh dhe shikues i rregullt i ‘Matinee’-s, këtë vit thjeshtë nuk kam pasur kohë për të humbur me ‘Sot’.

Sidoqoftë të shtunat me Leze Qena kanë qenë interesante, deri në një kohë të caktuar.

beren-saat25 Fatmagulun Sucu Ne?! (RTV21)

E vetmja gjë pozitive për këtë serial ishte aktorja Beren Saat. Nëse dëshironi të sillni në ekranet tona këtë aktore ekzistojnë alternativa shumë më të mira. Edhe më i suksesshëm se ‘Fatmagyl’ do të ishte ‘Ask-i Memnu’ që pos Saat do të sillte edhe Kivanç Tatlitug. Ka pasur storie të kotë, pa shumë zhvillim, duke u sjell e u mbështjell në të njëjtat gjëra për tërë serialin. E kanë shikuar, thonë, pasi nuk kemi matës zyrtar në Kosovë, por, nuk është njëri nga serialet turke më të mira në kanalet tona.

24 Dokumentari n’5e30 (RTV21)

I vetmi program dokumentar në RTV21. Vazhdojnë të mbesin minutat më të kënaqshëm që mund ti kalosh gjatë ditës në këtë kanal. Sigurisht që nuk mund të jem një shikues i rregullt, por shpeshherë më mahnitin disa nga dokumentarët që shfaqen, sidomos ata që kanë të bëjnë më shumë me historinë. Është diçka që të çlodh trurin pas një pasditeje të lodhshme në punë, diçka krejt ndryshe nga programet që i paraprijnë dhe ndjekin ‘Dokumentarët n’5e30’.

23 NewsShow (Klan Kosova)

Më pëlqen kur televizionet sjellin formate të reja, origjinale. Nuk kam hasur në diçka krejt të ngjashme me NewsShow akoma. Formati është interesant, i ri, kreativ. Keka bën punë të mirë në udhëheqjen e emisionit. Shpesh ka episode interesante e edhe është çlodhës për pasdite, sidomos në orën kur të gjitha kanalet japin lajme. Sigurisht që nëse e shohim çdo ditë në javë mund të teprohet, dhe jo krejt episodet janë të shkëlqyeshme, por kohë pas kohe dalin disa të tilla.

njerzit22 Njerëzit dhe kujtimet flasin (KTV)

Një emision që meriton notat më të lartat. Projekt i shkëlqyeshëm i KTV-së. Program emocional, prekës, jo për zemërbutët, por diçka që duhet patjetër të vijë para kamerave. Është numër minimal episodesh që kam shikuar personalisht, për shkak të natyrës së lartpërmendur, por megjithatë mjaftojnë për ti dhënën notën më pozitive këtij formati. Kohavision ka bërë një punë të shkëlqyeshme që ka vendosur këtë program në një orar goxha të përshtatshëm. Punë edhe më të mrekullueshme ka bërë ekipi që ka përgatitur këtë projekt.

21 2me1 (RTV21)

Agim Binaku ka arritur të ruaj formatin e emisionit për tërë këto vite dhe gjithnjë duke u bërë më i mirë se në të kaluarën. Më mungojnë vlerësimet e Shinasi Berishës, por edhe paneli aktual, përfshirë Azem Brovinën është një nivel i lartë ekspertësh të futbollit. Kam respekt dhe i vlerësoj lartë mendimet e tyre, për këtë arsye është programi i preferuar sportiv i të dielave për mua.

20 Ora e pasdites (Klan Kosova)

Alternativa perfektë për Express. Lajme më të shkurtra, më të qarta, më ‘joshëse’. Nuk kufizohet vetëm tek kultura, por ka një gamë të gjerë temash dhe fushash. Është një bashkëdyzim ndërmjet emisionit të pasdites dhe atij kulturor. Kjo e bën të përkryer, duke shtuar edhe moderatorët dhe studion e re. Kur ta shtosh edhe Info-Magazine dhe më pas edhe NewsShow, atëherë e dini që Klan Kosova është destinacioni juaj për pasditen.

19 Jeta në Kosovë (RTK)

A transmetohet ky program akoma?! Nuk është marre të bëni këtë pyetje. Europa League ka dëmtuar në masë të madhe njërin prej programeve më të mira në kanalet tona. Kjo ka detyruar të ketë edicione të shkurtra, e nganjëherë edhe të mungoj tërësisht. Të ndash orarin me futboll nuk është ide e mirë. Ide më e mirë do të ishte zhvendosja të martave ose në ndonjë kanal tjetër. Edhe ritransmetimi të premten në mesdite, seriozisht në një popull 90% mysliman?! Duke u fundosur në sezonin e rregullt, verës pak më shpresëdhënës.

Europa-League18 Europa League (RTK)

Nëse keni vetëm antenë analoge dhe dëshironi të shihni futboll, i vetmi destinacion është RTK-ja. Duke nisur nga vera e kaluar me Euro 2012, pastaj me Lojërat Olimpike, RTK ka vazhduar me dy garat më të mira ekipore në futboll. Me Europa League ka kompletuar ofertën e saj dhe ka nokautuar KTV-në duke e detyruar që për herë të parë pas disa viteve të mos transmetoj sport rregullisht. Ka pasur disa ndeshje interesante gjatë këtij sezoni, përfshirë finalen, por megjithatë starti ka qenë ‘i parregullt’ me shumë probleme.

17 Ora 7 (Klan Kosova)

Nëse dëshironi të zgjoheni këndshëm prej gjumit me televizor atëherë nga kanalet kosovare, alternativa më e mirë është Klan Kosova. Studioja, moderatorët, rubrikat, të gjitha kanë një ngjyrë shumë më të hareshme se kanalet tjera. KTV-ja ka bërë disa ndryshime jo shumë pozitive për mendimin tim. Gjithashtu nisja e ditës me ‘riciklimin’ e lajmeve të Interaktiv është bërllok. RTV21 s’dinë çfarë bëjnë as vet, derisa vet studioja e RTK-së është aq bajate sa i vetmi emision që ka mbetur pa u realizuar aty është Bujku.

Ora 7 dominon këtë kategori, dhe mjerë ata që nuk kanë kabllorë apo Digitalb për të shikuar këtë emision, kuptohet nëse dëshirojnë ‘të zgjohen me televizor’.

16 Cosmo (KTV)

Program investigativ i vetëm në KTV. Në fakt ka pasur reportazhe mjaft të mira këtë vit, disa prej tyre të shkëlqyeshme. Shpesh më bën përshtypje se është njëri ndër programet më të nënçmuara në KTV. Meriton orar më të mirë transmetimi, dhe vëmendje më të lartë. Shpesh bën punë hulumtuese më të mirë se sa programet tjera simotra në kanalet tjera, e edhe vet lajmet e KTV-së.

15 Drejtësia në Kosovë (RTK)

Së paku ky program po funksionon. Derisa Jeta në Kosovë ka pësuar debakël këtë vit për mendimin tim, për shkak të Europa League, Drejtësia në Kosovë nuk po ka atë problem. Përkundrazi vetëm sa po përmirësohet javë pas jave. Nuk janë të shumtë episodet që kam ndjekur (e diela nuk përshtatet për një zhanër të tillë programi për mua), por ato që kam parë më kanë pëlqyer. Bëjnë punë të mirë në hulumtime, nuk janë të butë në çështjet që prekin, e edhe rubrika Policia nuk mbetet mbrapa për kah cilësia. Vetëm nevojitet një orar më i mirë, si për shembull të martat kur mbrëmja e RTK-së është e ‘humbur’. Në fakt kombinimi me Jeta në Kosovë për një mbrëmje do të ishte i shkëlqyeshëm.

14 Bujku (RTK)

Programet bujqësore në televizionet tona duhet të jenë më të shumta. Bujku po mbijeton tashmë 13 vite, por nuk ka shumë prioritet, duket, në skemën e RTK-së. Ofrojnë reportazhe interesante, këshilla të mira, storie suksesi për të inkuruajuar bujqësinë dhe blegtorinë. Por, mund të bëjnë edhe më shumë, sidomos në arsimimin e bujqve, këshilla, e të ngjashme. Uh, edhe më pak Blerand Stavilevci dhe njerëz me kostume. Seriozisht, kush shkon në arë me ‘katllëk’?!

info-magazine13 Info-Magazine (Klan Kosova)

Ka shumë arsye pse nuk do të shikoja këtë program. Ka shumë arsye pse më pëlqen ky program. Kush do të shikonte një program politik pasdite, pas kthimit nga puna, të lodhur, të rraskapitur. Edhe ata që nuk punojnë s’do të donin të nisnin mbrëmjen me programe të tilla. Por, formati i emisionit është interesante, sidomos debatet. Gjithnjë diskutohet aktualja dhe interesantja për publikun. E mbi të gjitha moderimi është i përkryer, plotësisht i pavarur, diçka që emisionet dhe kanalet tjera duhet t’i kishin lakmi. Kam këtë bindje mbi një numër solid të episodeve që kam parë, e të cilat nuk më kanë dëshpëruar akoma. Me këtë tempo vitin e ardhshëm do të ketë vend të sigurt në Top 10.

12 Oxygen (KTV)

Kalimi në KTV ka qenë hapi më i mençur që ka bërë Besim Dina viteve të fundit. Megjithatë, më ka bërë pishman për këtë kërkesë. Tri e më tepër orë në një emision të vetëm, të premten, është tepër për mendimin tim. Është tejzgjatur, tepër, për mendimin tim. Gjithashtu intervistimi i njerëzve të politikës ishte thumbues, por më tepër ‘ledhatues’. Diçka që personalisht jo që s’më pëlqen, por më duket shumë irrituese.

11 Liga e Kampionëve (RTK)

Nuk po e kuptoj ‘aftësinë’ e RTK-së për të transmetuar të dyja gjysmëfinalet. E vetmja mënyrë për të bërë në mënyrë legale këtë është nëse të drejtat televizive për kanalet me parapagim nuk janë të shpërndara për Kosovë. Nëse kjo ndodh atëherë SuperSport ka transmetuar në mënyrë ilegale. Qyshdoqoftë punë e KPM-së (thonë që punon, njeri nuk ka parë ‘bëmat’ e tyre). Komentimi është i mirë, megjithatë shpesh kalohet në analizë që ta shpif. Berisha është i vetmi me komentim më të baraspeshuar. Shpresoj edhe të tjerët të arrijnë të njëjtin nivel. Megjithatë kanë ofruar disa ndeshje jashtëzakonisht interesante, dhe atë pa pagesë.

10 Oskar Dokumentarët në KTV (KTV)

Programi i ri më i mirë në KTV këtë sezon. Padyshim. Ndoshta më shumë do të përshtatej si pjesë e skemës verore, por edhe të dielat nuk kanë prish punë. Kanë qenë disa nga dokumentarët më interesant që kam parë në televizionet tona. Do të veçoja dokumentarin për kinematografinë në ish-Jugosllavinë. Nuk di sa do të vazhdoj, por shpresoj të vazhdoj sa më gjatë. E çfarë do të bënte më perfektë këtë nismë? Dokumentarët sportiv 30/30. Do të kënaqshin edhe atë fansa të sportit që kanë mbetur të etur këtë sezon me programet sportive të KTV-së.

9 N’Darkë (KTV)

Diçka që ja vlen të kalojë nga kabllori në tokësorë, dhe atë suksesshëm. Shumica e temave, sidomos në maj të këtij viti kanë qenë mjaft të qëlluara. Janë realizuar debate të frytshme, të kënaqshme, të qeta, urta, dhe konstruktive, diçka që nuk mundemi të gjejmë në asnjë debat tjetër në televizion. Kushtrim Sheremeti, pos një aktori, dita ditës po bëhet edhe një moderator debatesh shumë i mirë. Vetëm debatet politike mund ta prishin!

8 Imazh (RTK)

Akoma nuk ka mbushur një vit, por ka arritur të vë një bazament të fortë si destinacion i përsosur për një program pasditeje. Personalisht më ka joshur shumë herë të shoh sidomos bisedat në studio. Ka disa rubrika që mund edhe të mos jenë pjesë, zakonisht ato reportazhet në lidhje me shoubiz, dhe temën që trajtohet në bisedë. Bisedat në studio e bëjnë më të mirë këtë emision. Gjithashtu moderimi ka ndikim, sidomos kur Resul Sinani udhëheq bisedën, një faktor kyç në suksesin e këtij programi.

te linda7 Te Linda (KTV)

Njëri ndër tri programet e reja më të mira në këtë sezon televiziv. Ndoshta i vetmi hap i mençur i KTV-së këtë sezon. Më ka pëlqyer jashtëzakonisht tepër. Thjeshtësia e gjithçkaje e afron programin me shikuesit tanë. Nuk ka zarzavate që mund ti gjejmë vetëm nëpër tregjet evropiane, nuk ka komplikime të panevojshme, nuk ka verë në fund! Te Linda meriton vlerësim më të lartë nga shikuesit, dhe sidomos reklamë më të madhe nga KTV. Program i shkëlqyeshëm.

fehis show6 Fehi’s Show (RTV21)

Kanë ndodhur ndryshimet prefekte këtë vit në këtë shou. Së pari është larguar rok-bendi që mi prishte nervat, e dyta është një studio me ngjyra joshëse, ndriçim shumë më të mirë dhe një prapaskenë të shkëlqyeshme. Vet emisioni ka marr stabilizuar formatin, janë shtuar rubrika interesante, komike, zakonisht kemi një bend shumë të mirë – Black Shoes dhe Famina; si dhe ka një kohëzgjatje perfekte për të premten mbrëma – gjysmë ore argëtim para se të flini pa alarmin e të nesërmes.

5 Rubikon (KTV)

Për kampionin e vitit të kaluar, këtë vit mjafton vetëm pozita e pestë. Jo që nuk ka qenë në nivelin e vitit të kaluar, por programet tjera kanë bërë pak më shumë këtë vit. Rubikon akoma mbetet programi debatues politik i preferuar për mua në kanalet kosovare. Por, çfarë nuk po funksionon. Le të nis nga studioja e re, që është më e madhe dhe ka një ngjyrë të mirë vetëm në edicionet ‘Pa kravatë’. Ka pasur më pak intervista 1n1, e gjithashtu më duket se kam parë Adriatikun më të rreptë kundër mysafirëve gjatë viteve të kaluara se sa këtë vit. Uroj të jetë vetëm një lemzë.

vikendi4 Vikendi (RTK)

Rubrika ‘Udhëtimi në kohë’ është njëra ndër pjesët më të mira që mund të shohim në televizionet tona. Më në fund Blerim Peci është kthyer duke bërë atë që dinë më së miri. Është kënaqësi të shoh edhe Blerimin edhe Fehmiun në mesin e gjashtë programeve më të mira në kanalet kosovare, gjithnjë sipas opinionit tim. Veprat e tyre me ‘Meselation’ mbeten të pashlyera në kujtimet tona. Tani nuk janë në atë nivel, por edhe hiq s’janë larg.

Vikendi është programi i ri më i mirë këtë sezon në televizionet tona. Shpresoj që të mbetet për një kohë të gjatë në etrin televiziv.

3 Interaktiv (KTV)

Sa herë kam mbetur vonë dhe kam gjetur edhe reprizën e ‘Savashit’ është vështirë ti numëroj. Është mënyra më e mirë e dytë për të përfunduar ditën. Në fakt është mënyra e tretë më e mirë për të përfunduar ditën pas një shou muhabeti të vonshëm (LateShow), dhe komedive si (3rd Rock from the Sun; That’s 70s Show; Allo Allo, etj).

Është programi informativ më i mirë dhe i vetmi që ja vlen të shikohet gjatë ditës. Ke përmbledhjen e të gjitha ngjarjeve, një mysafirë adekuat për temën, 30 minuta sport – më pengon që zgjat kaq shumë; interaktivitet me rrjetet shoqërore; kuriozitete (diçka të cilën Blic i RTK-së e konsideron si kategori lajmesh!), etj.

Interaktiv është diçka që më pëlqen dhe e urrej në të njëjtën kohë. E urrej se zgjat shumë, e teprojnë me sport, edhe të detyrojnë të vonohesh të nesërmen në mëngjes. Më pëlqen sepse është përmbledhja më e mirë e lajmeve gjatë ditës, Xhema nuk ka kurrfarë respekti për mysafirët në intervistë, rubrika ndërkombëtare, etj.

mad-men-22 Mad Men (RTV21)

Më në fund një serial cilësor në kanalet tona kombëtare. Mad Men është njëra ndër dramat më të preferuara për mua. Ndoshta e keni pasur të vështirë të kapeni qysh në sezonin e parë, ndoshta karakteri i Donit ju ka shkuar tepër nerva, por nëse keni mbijetuar së paku deri në sezonin e dytë atëherë nuk ka gjë që ju ndal. Është serial me tematik të thellë, kërkon të përqëndroheni, të analizoni, e mbi të gjitha zhvillimi i ngjarjes në një periudhë krejt ndryshe nga sot e bën edhe më joshës. E di që nuk ka ndoshta shumë fansa, mirëpo është njëri ndër programet më të mira në televizionet tona. Nuk e kam pasur problem të rishikoj për herë të dytë disa nga episodet më të mira. E vetmja gjë negative është vonesa për të ardhur në televizion kombëtar në Kosovë.

kafeneja1 Kafeneja Jonë (RTK)

Pas një viti në pozitën e programit më të mirë televiziv rikthehet seriali Kafeneja Jonë. Është ndër programet e pakta që i bëjnë kosovarët të qeshin dhe për ato 20-30 minuta të harrojnë telashet dhe brengat ditore dhe të kënaqen së qeshuri. Është i vetmi program kosovar që më bën të qesh sinqerisht. Ishte edhe i vetmi program që bënte të qeshte njërin nga personat më të rëndësishëm në jetën time, me të cilin kemi kaluar shumë duke shikuar televizion, e sidomos edhe Kafeneja Jonë, personin i cili tanimë nuk është në mesin tonë.

Megjithatë Kafeneja Jonë, do të vazhdoj të bëj të qesh edhe shumë njerëz tjerë në të ardhmen, sidomos këtë vit kur kanë angazhuar më shumë karakterin e Fekës, si dhe është vërejtur një skenar me skeçe më interesante edhe pse storia nuk po lëvizën kushedi sa. Episodi më interesant pa dyshim është imitimi i bisedimeve kosovare-serbe.

Luan Morina
Kritik për TV&Film