Televizioni

Top 50 programet kosovare 2014/15

Është koha, në fakt ka kaluar pak më herët këtë vit, për të zgjedhur më të mirët. Ti vendosësh 50 emisione dhe të gjitha të japësh një vlerësim, sado i shkurtër që është, nuk është lehtë. Por, më rëndë është të shikosh rreth 100 formate televizive dhe të zgjedhësh 50 më të mirat.

Këtë sezon ka pasur prurje të mira në televizion. Formate të reja, bukur të realizuara. Por, ka pasur edhe emisione që kanë nisur të plaken. Këtyre emisioneve sikur iu ka humbur vullneti për të vazhduar, për të inovuar.

Ka pasur edhe emisione ‘banale’ për kah kualiteti, emisione të cilat nuk kanë vend në Top50, por emisione që më kanë bërë të vjellja.

Shpresoj që televizionet tona do të bëjnë përzgjedhje më të mençura dhe të ofrojnë cilësi e jo sasi për shikuesit vitin e ardhshëm, sidomos RTV21 dhe RTK (që furnizohet nga taksat tona) të heqin disa emisione të pështira. KTV e Klan Kosova janë më cilësoret për kah ofrimi i përmbajtjes programore. Rrokum TV ka shfaqur ‘shenja jete’, por ka shumë gjëra për të bërë. Vetëm HD nuk mjafton.

Kanalet lokale mbesin në nivelin amator, disa prej tyre duke shfaqur edhe filma e programe ilegale. Mbetem me shpresë që sezonin e ardhshëm të gjej diçka të hajrit për të përmendur nga to.

Mbi 700 orë të kaluara përballë televizionit gjatë sezonit të kaluar, duke provuar formate të ndryshme, duke bërë krahasime jo vetëm të brendshme, por edhe me televizionet rajonale e më larg, më bëjnë të mbetem akoma pranë qëndrimit që jemi larg televizioneve cilësore. Kemi përdorur si mentor vendet e gabuara.

Nejse, kjo listë është e përbërë prej mendimit tim, qejfit tim si njeri që kqyr shumë televizor. Shpreh mendimin individual, për herë të pestë.

Luan Morina

50 – AS (RTK)

RTK kur vjen tek sporti është dëshpëruese. Krejt faji është tek Europa League që zhvendoset në kanalet kabllore të këtij televizioni, e jo krejt kanë kabllor.

Formati i AS është vjetruar, nuk ka sjell shumë risi, e gjithashtu me potenciali që ka ky televizion ka qenë zhgënjyes.

49 – Liga e Kampionëve (RTK)

Do e shfrytëzoja këtë pjesë vetëm për tu ankuar në komentim katastrofal të Skyfterit. Arbeni më duket më serioz, por si thonë ‘një mollë e prishur, e prish krejt gajben’. RTK është zhgënjyese kur jemi te sporit. Skyfteri është i padurueshëm për mua.

Mëkat që RTK nuk ka konkurrencë në blerjen e të drejtave të Ligës së Kampionëve.

48 – Çelësi (RTV21)

Është ide interesante. Eliza është e zonja në profesionin e saj dhe njohuritë e saja janë thesar edhe për shikuesit. Nevojitet një emision i tillë, por jo në atë orar. Të dielat në mbrëmje mund të shfrytëzohen për programe më argëtuese.

47 – Subvencion (RTK)

Emisionet ekonomike janë bërë me bollëk kohëve të fundit. Subvencion nuk gëzon më atë monopolin që kishte para disa viteve. Ndoshta edhe kjo ka bërë që personalisht të mos jetë përzgjedhja ime e parë. Akoma ka cilësi, por mungon inovacioni.

46 – Fort (Rrokum TV)

Po më pëlqejnë idetë për formatet e reja në Rrokum TV. Fort është program i mirë, debatues. Fidani bën punë të mirë, dhe duke marr parasysh jetëgjatësinë e emisionit, mund të presim ditë edhe më të mira për këtë emision.

45 – Standardi ynë (RTV21)

RTV21 News është projekt që shumë lehtë mund të jetësohet. Ka mjaft programe informative në RTV21 bazë, e njëri ndër ta është edhe ‘Standardi Ynë’. Është program i mirë ekonomik që arrin të mbijetoj përgjatë tërë këtyre viteve.

Realizohet për merak, nuk ka kufizime vetëm në studio siç ndodh me disa programe tjera. Tema mirë të përzgjedhura, mysafirë edhe më të mirë.

44 – Nëpër Film (KTV)

Ide e mirë. Ka mundur të jetë edhe më mirë. Shumë më mirë. Sidoqoftë, emisionet për film janë të domosdoshme, për secilin kanal. Fatkeqësisht KTV ka heq dorë nga filmat, ka zhgënjyer sidomos për një kanal që sjelltë ‘filmat më të mirë të shekullit’ para disa viteve.

43 – 2 me 1 (RTV 21)

Ka qenë programi më i mirë sportiv deri këtë vit. Tani, kam frikë se bie më poshtë. Agimi bën punë të mirë, ka mysafirë mirë të zgjedhur. Por, sikur të kishin më shumë gjëra për të diskutuar si rrjedhojë edhe më shumë ngjarje sportive do të kishte qenë edhe më mirë.

42 – Multimedia (RTK)

Emisioni i duhur. Ka gjëra të mira, por ka qenë më i mirë më parë. Ka potencial, por nganjëherë si çdo kund edhe këtu duhen inovacione, risi.

41 – Zyrja për gjithçka (RTK)

Nuk di çfarë ndjej për këtë serial. Provon të jetë një grumbull skeçesh, që do të na bënin të qeshnim. Por, jo shpeshherë qeshi. Në fakt rrallë e shikoj. Ka ndryshuar formatin, orarin e shfaqjesh shpeshherë.

Akoma qëndron pran idesë që zhvendosja e ‘Kafenesë…’ në ‘Çajtore…’ në katundin e Avniut do të ishte shumë më e mirë, dhe më e shikuar.

40 – O sa mirë (Klan Kosova)

Kurrë nuk kam arritur të joshem nga ky serial. E vetmja arsye është kolona e të qeshurave. Nuk jam fans i përgjithshëm i kësaj dukurie, ama kur teprohet, teprohet, dhe teprimi nuk është kërkund si këtu. Nëse duhet të qeshim në bazë të qeshurave të regjistruara, intelekti ynë do të duhej të ishte idiot. Ka të qeshura, ama shumë më pak se ato që lëshojnë në episode. Ndoshta pa të qeshurat e regjistruara do ta shikoja, edhe do të kënaqesha. Në këtë mënyrë s’jam i interesuar. Vendos në Top50 për shkak të popullaritetit që ka, ama jo për shijen time.

39 – N’Rrjet (KTV)

Pak a shumë më kujton ‘Riciklimin’. Por, është më ndryshe, më i zgjeruar, më i mirë. Ka potencial të kthehet në një hit emision sikur të elaborohej më shumë në idenë, dhe të thyente guacën aktuale.

38 – 35mm (RTV21)

Televizioneve tona iu nevojiten filma dhe programe për filma. ‘35mm’ është një risi e mirë që vjen këtë sezon. Ka një skuadër të mirë producentësh, derisa si format realizohet për merak.

Është një emision që mund të zhvillohet edhe më tej, dhe që duhet të ketë një vend të sigurt në skemën e RTV21.

37 – Automan (KTV)

Formati i ri po më pëlqen. Është pak i gjatë, i ekzagjeruar, por interesant. Kanë një ‘studio’ të mirë, mysafirë të këndshëm, duke u bërë një garë ngazëlluese, shpeshherë.

Automan-in shumë lehtë, pa rezerva, do ta quaja edhe Top Gear-i kosovar.

36 – Familja ime (Klan Kosova)

Emision shumë i duhur me orar të përkryer. Debate të mira, për tema të nevojshme për tu trajtuar. Ka mysafirë të përzier që e bën edhe më interesant emisionin.

35 – Bujku (RTK)

Programi për fshatin dhe bujqësinë e blegtorinë për vite të tëra sundon shikueshmërinë të dielave në Britani të Madhe. Bujku nuk është afër, por është një emision që i nevojitet televizioneve tona. Ndoshta emisione në studio, debate e të ngjashme do të ndihmonin edhe më shumë këtë emision.

34 – Me Agim Kasapollin (Rrokum TV)

Agim Kasapolli është dojeni i gazetarisë sportive në territorin tonë. Është kënaqësi ta shohësh akoma në zejen e tij të preferuar. Rrokum TV bën mirë që e mban në gjirin e tij, derisa cilësia e programit nuk vihet në mëdyshje. Kasapolli ka aftësi të mëdha në realizimin e bisedave, derisa njohuritë e tija mbi pedagogjinë sportive nuk mbesin kurrë në plan të dytë.

33 – Oggy and the Cockroaches & Let’s Go Pocoyo (KTV)

Dy nga ‘crtanat’ e preferuar të mi janë shfaq këtë sezon n’KTV. Vetëm ‘Sandokani’ që ka qenë më i mirë. Më pëlqen fakti që KTV i ka kushtuar më shumë rëndësi më të vegjëlve. Ka edhe më shumë hapësirë për ta, por me rëndësi është që përzgjedhja po bëhet me mend. Vetëm sikur edhe të rikthehenin Sandokanin.

32 – Click (RTV21)

Leart Hoxha më kujton ‘Ukshinin’ e ‘3 Gjermanëve të trashë’. Duket se nuk ka punë që nuk mund të bëj. Pa keqkuptime, më pëlqen ‘universaliteti’ që ka, dhe për befasi më ka impresionuar me udhëheqjen e debateve politike në RTV21. Kjo e hedh në pah faktin që politika është më e rëndësishme se sporti derisa njerëz si Learti lënë sportin për politikë.

‘Click’ mbetet një format interesant, realizohet debat i mirë.

31 – Express KTV (KTV)

Emisioni simbol i KTV-së. Ka një ekip të shkëlqyeshme, bëjnë punë shumë të mirë, por për shkak të arsyeve të shumta, kryesisht teknike nuk më bie ta përcjell vazhdimisht. Por, ka potencial, ofron informata të rëndësishme, cilësore.

30 – Karadayi (RTV21)

‘Tashti Mahiri do të pushoj më. S’do të shpërndaj boksa e shqelme’ ishte komenti i një miku tek Maniakët e Filmave. Edhe pse në mënyrë ndoshta pak ironike, popullariteti i ‘Karadayi’ është e pamundshëm të përsëritet për një kohë të gjatë duke pasur parasysh cilësinë e serialeve dhe formateve aktuale turke në televizionet e tyre.

Edhe pse personalisht nuk e kam përcjell rregullisht, mendoj që ka qenë seriali më i mirë turk në televizionet tona pas ‘Ezel’. Por, akoma mendoj që pesë net në javë seriale turke janë tepër.

29 – Pa skenar (RTK)

Më pëlqen tejmase puna e zonjës Antigona. Ka një mision të madh, bujar me emisionin e saj, e ai është konservimi i historisë më të mirë kulturore që ka populli ynë. Në ‘Pa Skenar’ shpeshherë sjell disa nga emrat më të njohur, të parët në sferat kulturore, revolucionarët e gjysmëshekullit të kaluar.

Edhe realizimi i emisionit është i shkëlqyeshëm. Bisedat shpesh prekin tema që zgjojnë krahas interesit edhe nostalgji, duke pajisur shikuesin edhe me njohuri që i japin një konotacion shumë më pozitiv periudhës së kaluar.

28 – 038 (KTV)

Mbetet kualitative që kur është vendosur një herë në javë. Ka më pak tema për të diskutuar, tema që kanë më shumë hapësirë për tu diskutuar që edhe e bën emisionin më cilësor. Si një jo-banor i Prishtinës nuk është diçka që duhet ta shikoja, por më pëlqen mënyra e realizimit.

27 – Pro X (KTV)

Ana Rrustemi ka bërë një punë të mirë. Të mençur. Duket se e urren të zakonshmen dhe dëshiron të shkoj më thellë, tek prapaskenat e jetës së të njohurve. Pro X sjell rrëfime interesante, intriguese. Shpeshherë të kënaqin. Ide e mirë, meriton çdo lëvdatë, ngjashëm si realizimi.

26 – Arkivi (RTK)

“Nostalgjia është një ndjenjë e fortë; mund të shfaqet fuqishëm nga gjithçka” – thotë njëri nga regjisorët e mi të preferuar, Terrence Malick.

Edhe ‘Arkivi’ sjell të kaluarën për ta gjykuar nga pikëpamjet dhe situata aktuale. Më pëlqejnë temat që diskutohen, kanë një studio të bukur, dhe formati realizohet me biseda interesante, të cilat mund edhe të menaxhohen më mirë. Por, është një emision tepër i mirë.

25 – Çka ka me hongër (RTV21)

Më pëlqen karizma e moderatorit. Është shumë i qetë, i hapët, dhe përgatit gjëra të thjeshta. Thjeshtësia e bën të mirë, por jo edhe më të mirin emision kulinar. Megjithatë është ndër projektet më të mira të RTV21.

24 – Pun pun (KTV)

Visar Arifaj është karizmatik. Ngjashëm si krejt ‘Trembelat’. Kjo është dëshmuar edhe me PF-në. Zotësia e tyre kreative është vërejtur edhe tek përgatitja grafike e emisionit. Ka qenë një ndër prurjet më të mira këtë sezon në TV. Ka qenë interesante, inovative, e kënaqshme për tu shikuar.

Ndoshta do ta rendisja më lart sikur në mesin e finalistëve të ishin emra tjerë, e jo njerëz që kopjojnë idetë e tjerëve. Sidoqoftë shpresoj të ketë sezon të dytë, pasi botës televizive i nevojiten emisione të këtilla.

23 – Cosmo (KTV)

Shumë mundime ka pasur ‘Cosmo’ nëpër vite. Shpeshherë ka qenë në pushim, i është ndryshuar vendi i transmetimit, por akoma mbijeton. Trajton disa tema të veçanta, me një ton pak pikëllues, por janë tema që na nevojiten. Ka orar të mirë tani, realizimi kurrë nuk ka qenë në mëdyshje për kah cilësia. Më pëlqen puna që bëjnë skuadra e këtij emisioni.

22 – Info Magazine (Klan Kosova)

Magazinë informative ndryshe nga formati i lajmeve. Çdo pasdite. Po, faleminderit. Është një program i realizuar për merak. Kushtrimi bën punë të shkëlqyeshme si moderator, e shpesh edhe si një ndarës drejtësie ndërmjet dy mysafirëve. Aftësitë e tija në menaxhim bisedash nuk duan koment. Përvoja e bën të veten, tani duke e vendosur këtë emision në një nivel shumë të lartë se para disa viteve.

21 – Ngjyra Ngjyra (KTV)

Një ndër gjërat më të mira që ka bërë këtë sezon televiziv KTV ka qenë shtimi i programit të fëmijëve. Shumica e titujve më kanë pëlqyer shumë, por asgjë nuk e tejkalon ‘Ngjyra, Ngjyra’. Vet qëllimi i emisionit përshtatet me mendimin tim, dhe të shumicës besoj, se na nevojiten programe edukative për fëmijë.

Edon Bërveniku ofron një thesar njohurish për temat që trajtohen në çdo episod. Me një oratori të mrekullueshme, ai arrin për pak minuta të rrumbullakoj temën që flitet duke mos lënë anash asgjë prej detajeve thelbësore. Formati i emisionit është i lezetshëm, sidomos pyetjet dhe punëdoret e fëmijëve.

I uroj jetë të gjatë këtij emisioni dhe një falënderim KTV-së dhe Riversal Studios që kanë sjell një projekt të këtillë për më të vegjlit. Patjetër se e meritojnë Top20shin.

20 – Urban Pop-Box (Klan Kosova)

Më pëlqen ideja. Më pëlqen formati. Më pëlqen orari. Më pëlqen DJ. Por, mbi të gjitha më pëlqen muzika. Është emisioni perfekt për të ndjek Ora 7. Me këtë dyshe, Klan Kosova duhet të mbizotëroj shikueshmërinë e paradites.

Është një bashkëpunim i përkryer.

19 – Rendez Vous (RTV21)

Korab Lecaj është ndër autorët më të mirë në RTV21. Aftësitë e tija vërehen më së miri tek ‘Rendez Vous’ që është një emision debatues kulturor për lakmi. Debatet që realizohen aty janë të një niveli, kalibri të lartë maturie, duke mos rrëshqitur asnjëherë nën normalen, kjo kryesisht falë moderimit të përsosur të Korabit.

Ka një orar të mirë transmetimi, tani me studio edhe më të mirë, dhe mysafirë të zgjedhur me vëmendje. Ndër emisionet më të mira të RTV21. Në fakt më i miri sipas kësaj liste.

18 – Telekino (RTK)

Emisioni i pari i filmit vazhdon të mbetet më i miri. Telekino mbetet ai i vjetri me format të kalitur, me tema të përzgjedhura për qejf, dhe mysafirë të duhur.

Neve si shikues na ofron informatat e duhura për botën e filmit, gjithçka që na nevojitet. Sikur edhe RTK të ishte në të njëjtin nivel me filma sikur është cilësia e Telekinos.

17 – Ora e pasdites (Klan Kosova)

Sjell tema të zgjedhura mirë. Nuk është program i destinuar kryekëput për gjininë time, kryesisht, por, megjithatë kohë pas kohe trajtojnë tema interesante. Së bashku me Info-Magazine shkojnë për merak, si një makinë e lubrifikuar mirë për pasditen në Klan Kosova.

16 – Drejtësia në Kosovë (RTK)

Programi sekondar i JnK-së që seriozisht rrezikon primarin. Që nga fillimi më ka pëlqyer ideja dhe formati. I vetmi program investigativ guximtar në televizionet tona që fatkeqësisht nuk e ka jehonën që do të duhej ta kishte.

Respekt për skuadrën që realizon këtë program. Meritoj çdo lëvdatë.

15 – Me Shukin (KTV)

Shuki gjithë ka qenë kontrovers. Kthimi i tij në televizion nuk ka mundur të sjell një karakter të ri. Vetëm sa ka përshkallëzuar vulgaritetin e tij në krahasim me përditshmërinë televizive. Por, më pëlqen stili i tij, edhe pse jo rrallëherë e tepron me banalitet. Futet në ring pa dorëza, dhe të njëjtën duhet ta presin mysafirët e tij.

Pos bisedës që mund të merr kahun më të papritur, ‘Shuki n’terren’ është edhe më interesant. Studioja për qejf. Shpresoj të mbetet për një kohë të gjatë, por sa më pak emisione aq më i freskët do të mbetet.

14 – Ekonomia me Erëzën (Klan Kosova)

Erëza Vela Berisha ka qenë prurja më e mirë sezonin e kaluar në TV. Sezoni i parë më ka magjepsur për formatin dhe cilësinë në të cilën ka ardhur. Mund të them lirshëm, pa pikë dyshimi që ‘Ekonomia me Erëzën’ është programi më i mirë për ekonominë në televizionet kosovare të pasluftës. Biroli e ka pasur një program të mirë, por jo shumë jetëgjatë.

Programi pos temave shumë mirë të zgjedhura sjell edhe një mysafirë shumë profesionistë dhe të përshtatshëm me temat që diskutohet. Kjo mundëson një muhabet shumë të frytshëm për shikuesin.

Ky program edhe dëshmon që realizimi i emisioneve me kompani të treta producente, jashtë vet televizioneve është një veprim shumë i duhur për botën televizive.

13 – NBA n’Kujtesa (Kujtesa)

Gara më e mirë që transmetohet në Kujtesa. Padyshim. Për një popull që e do basketbollin kaq shumë, mungesa e NBA-së në televizionet tona ka qenë ‘krim’. Tani Kujtesa ka ofertën më të mirë të basketbollit me NBA e Euroligën. Sjellin ndeshjet kryesore të javës, komentimi në të shumtën e rasteve është i shkëlqyeshëm. Në përgjithësi oferta sportive është e kënaqshme krahasuar me çmimin.

12 – Komiteti (RTK)

Thjeshtësia e bën këtë emision ai çfarë është e për mendimin tim është një ndër emisionet debatuese politike më të mira. Duket sikur po diskutohet brenda një qelie dhe afërsia e intervistuesve me mysafirin është fizikisht shumë intime. Kjo e bën edhe më të afërt bisedën për neve si shikues.

11 – Rrokum Rroll (Rrokum TV)

Emisioni i dytë më i mirë debutues këtë sezon në televizionet tona. Më i miri në Rrokum TV. Në rast se ky televizion dëshiron të fitoj licencë tokësore, i nevojiten emisione të këtilla, emisione që e fusin në televizionet serioze duke e bërë më shumë se televizion lokal.

Rrokum Rroll ka një format të mirë, me moderator të shkëlqyeshëm që arrin të gjej balancën brenda 30 minutave si në interaksion me shikuesit ngjashëm edhe me mysafirët. Fidan Jupolli ka një karizmë të veçantë si autor i emisionit, që e bën këtë emision të denjë për Top12.

10 – Jeta në Kosovë (RTK)

Ka vite që JnK nuk arrin të rehatohet me orarin që i ofrojnë në RTK. E marta do të ishte e përkryer pasi nuk ka futboll e gjësende tjera për ta devijuar orarin.

Jeta Xharra pos që ka talentin e saj në menaxhimin e debateve, ka arritur të mbledh edhe një skuadër të fuqishme përreth vetes. Hulumtimet, raportet nga terreni, të gjitha shërbejnë si ‘paralojë’ për debatin. Programi më i mirë debatues në RTK. I vetmi që i duhet këtij televizioni.

9 – Vikendi (RTK)

Blerim Peci dhe puna e tij më ka pëlqyer qysh nga ‘Show Meselation’. Ka arritur të mbaj nivelin e aftësive të tija në skenar dhe tek Vikendi më pëlqejnë disa pjesë të emisionit, mbi të gjitha ‘udhëtimi në kohë’.

Fakti që kjo pjesë mbetet akoma gjëja më e fuqishme është pak frikësuese për të ardhmen e emisionit. Është programi më i mirë në RTK pa dyshim, dhe ka edhe 2 sezone të mira në vete me këtë tempo, ama pak risi nuk do ti bënin zarar askujt.

8 – Sports Show (Klan Kosova&Kujtesa)

Arbër Loxha nuk është vetëm në mesin e komentatorëve më të mirë, mos të them edhe më i miri në Kosovë. Por, thjesht mund të them që është më i miri kur vjen në pyetje analiza sportive. Njohuritë e tija janë oksigjen për sportdashësit kosovar. Më vjen mirë që ka kaluar edhe në këtë fushë pos komentimit.

Afër ka një skuadër djemsh nga Kujtesa që kanë aftësi të mira si në komentim, ashtu edhe në analizë. Mënyra e moderimit nga Klan Kosova mund të jetë më e mirë, por nuk është që po lëndon cilësinë e emisionit. Por, mund të jetë edhe më i mirë.

Televizioneve kosovare i është nevojitur një program si ‘Sports Show’ për të shqelmuar formatin e vjetruar ku në vend të debateve kemi vetëm intervista një me një.

7 – Oxygen (KTV)

Të realizosh 40 emisione në vit dhe të jenë të gjitha të cilësisë së lartë është e pamundur. E njëjta gjë vlen edhe për mysafirët.

Besim Dina ka një të mirë që di të adaptohet me mysafirin përballë. E di nivelin e lirisë së të shprehurit, limitet e bisedës, dhe në bazë të distancës ndërmjet këtyre limiteve arrin të bëj një muhabet të mirë.

Ata që e kanë parë emisionin me Adriatik Kelmendin kanë arritur të shohin aftësitë e tij të pacenuara. Gjithashtu kanë arritur të shohin një fytyrë tjetër të Adriatikut i cili vlen të përmendet si njëri ndër moderatorët më të mirë në historinë e televizioneve kosovare. Pos që ka arritur të hedh në pah aftësitë e Besimit si moderator, Adriatiku edhe ka ngjitur më lart ‘Oxygen’-in këtë vit.

6 – Ora 7 (Klan Kosova)

Nuk më nevojitet serioziteti i tepërt qysh në mëngjes. Keka ofron qëndrimin e duhur për të uruar një ditë të mbarë. Është i hapur, i thjeshtë, i gëzueshëm, dhe qasja e tij ndaj informatave qofshin të mira apo të këqija pasqyron edhe qasjen time si shikues.

Studioja është e hapur, e thjeshtë, sikur të jenë duke luajtur. Dua të them nuk ka aspak formalitet, gjë që e bën emisionin më të mirë të mëngjesit në programet shqiptare. Për mua është kafeja e cila u nevojitet shumë vetave. Jo mua që shikoj këtë emision.

5 – Te Linda (KTV)

Mbetet emisioni më i mirë kulinar i realizuar në televizionet tona mbarëkombëtare. Thjeshtësia e emisionit e bën atë çfarë është. Ka receta të lehta, të pakomplikuara që e afron me shikuesin. Realizohen në kushte normale, të pakomplikuara, edhe një afrim me shikuesin.

Prezantuesja është ‘mikpritëse’ për shikuesin, e e njëjta vlen edhe për shikuesit. Në sondazhin e realizuar para disa javëve bindshëm ka fituar në kategorinë e kuzhinës. Më vjen mirë që nuk jam i vetëm në vlerësimin që kam për këtë emision.

4 – Puls (KTV)

Pulsi këtë vit ka dal në plan të parë. Mefa ka bërë disa emisione me tema të ‘guximshme’, emisione që kanë bërë bujë. Kësisoj tema na duhen të trajtohen më shumë. Kur shoh evoluimin e emisionit, dhe vet Mefës, ndër vite, shoh një ngritje graduale dhe shumë të sigurt, një konvertim i aftësive autoriale në diçka të shkëlqyeshme.

Emisioni me ngritjen më të madhe këtë sezon. Çdo lëvdatë për punën që bëjnë.

3 – Rubikon (KTV)

Të bësh tri emisione për javë, rreth 35 javë minimum në vit, nuk është pak. Nuk është e lehtë. Nganjëherë edhe duket e tepërt. Prandaj është e pamundur që çdo emision të jetë i shkëlqyeshëm. Por, shumica janë. E nga këto shumicën do të vlerësoja bisedat 1në1. Adriatiku është shumë i zoti në kësisoj intervista, dhe mendoj që është arma më e fortë e emisionit. Debatet janë të mira, por nganjëherë na mbesin në gjysmë. Nganjëherë ekziston ndjenja se nja 3 veta janë vetëm për të mbushur numër aty (Shpend Kursani vetëm do të kishte qenë i mjaftueshëm).

Dy herë në javë nuk do të ishte humbje. Përkundrazi ndoshta do të ishte edhe sukses dhe cilësi totale. Sidoqoftë, mbetet emisioni debatues më i mirë, në përgjithësi ndër emisionet më së miri të realizuara. E denjë për Top 5 – në çdo edicion.

2 – Çka ka shpija (RTK)

Naser Rafuna është njëri nga komedienët më të mirë të këtij shekulli (deri më tani kuptohet) në vendin tonë. Që nga paraqitja e tij e parë në televizion si Ganiu, pastaj Melja, e deri te Xheku, ka arritur të mishëroj karakteret që janë kthyer në hit për popullsinë e gjerë.

Në fakt, episodi i parë më është dukur zhgënjyes për shkak të transformimit të zërit të tij. Falë Zotit kam shikuar episodin e dytë, dhe që nga atëherë nuk kam humbur asgjë. Ka një grup të mirë ndihmës që nga Gresa, Ademi, e Lezja. Edhe fëmijët janë karaktere të mira. Ka skenar të mirë, më pëlqen kur dalin në eksterier, kur thyejnë murin e katërt, etj.

Mbi të gjitha më pëlqen realizimi dhe formati duke kaluar shpeshherë në thumbim ndaj vet shoqërisë. E meriton të debutoj në këtë pozitë.

1 – Interaktiv (KTV)

Emisioni më i mirë në televizionet tona.

Gjejeni një emision më mirë të realizuar, më të pëlqyeshëm, me të suksesshëm. Ka gjithçka, shpesh teprohet, shpesh më zë gjumi, shpesh vonohem për tu zgjuar herët. Është mënyra e përkryer për të përmbyllur ditën. Xhema dhe shoqëria bëjnë punën më së miri në televizionet tona.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *