Filma

Two for the Road (1967) – Recensim

A e dini çka është martesa?

Martesa është kur gruaja i thotë burrit ‘zhvishi pizhamet’, sepse është koha për të lëshuar lavatriçen.

Edhe kjo është vetëm pjesë e një dialogu ndërmjet Markut dhe Joannas të cilët janë në udhëtim nëpër Francë, me destinacion Saint Tropez të cilin keni mundur ta shihni në vitet e para të pas-luftës në RTV21, para se t’u shisnin shpirtin djallit me seriale të dobëta turke dhe spektakle të së shtunave në mbrëmje-eeeee!

A e dini që ka njerëz që besojnë që Stevie Wonder nuk është i verbër! Është një konspiracion shumë serioz i cili veçse ka vazhduar të merr flakë kur Stevie Wonder i ka thënë TMZ-së që do të tregoj të vërtetën këtë vit. Nejse, kjo ka qenë për vitin e kaluar, mirëpo ajo çfarë nuk ka ndryshuar janë 25 shpërblimet Grammy që i ka ai. Një më pak ka John Williams. KanYe West ia ka 21 me Jay-Z. Njëzet i ka Henry Mancini dhe Bruce Springsteen. Për krejt këta keni dëgjuar më herët, pos Mancinit.

Puna e Henry Mancinit në kolonën zanore të filmave ka përfunduar ka çerek shekulli, por puna e tij më e mirë është bërë në fillimin e pjesës së dytë të shekullit të kaluar. Kanë qenë zakonisht filmat me Audrey Hepburn ku ai i ka bërë këngët më të mira që janë shpërblyer jo vetëm me Grammy. Njëri ndër ata filma është edhe ky ‘Two for the Road’, kënga me të cilin emër është ndër më të ëmblat që mund të dëgjoni sonte! Nesër! Dhe gjatë pjesës së mbetur të jetës tuaj. Varësisht se sa ju pëlqejnë romancat e viteve çerekut të tretë të shekullit të kaluar.

Albert Finney vjen në rolin e Markut, e Audrey Hepburn është Joanna. Të dy janë nisur në një udhëtim për të sanuar lidhjen e tyre e cila ka kaluar nëpër faza të ndryshme, të zakonshme për lidhjet e martesat. Gjatë këtij udhëtimi, ne kthehemi në kohë nëpër faza të ndryshme të jetës së tyre si çift, duke jetuar në disa periudha përnjëherë, nëpër të cilat lidhja e tyre ndryshon nga secila. Është një kombinim i guximshëm për atë periudhë, pasi është ndër të parët që është përdorur nëpër filmat e asaj kohe. Guximi shkon për Stanley Donen i cili para këtij filmi vetëm se kishte bërë një portofol të pasur me Audrey Hepburn – Funny FAce, Charade; njërin nga muzikalët më të mirë ndonjëherë – Singin’ in the Rain; muzikalin tjetër On the Town; dhe filmin që do t’u flladit këtë verë – Seven Brides for Seven Brothers.

Fotografia, muzika, dhe dialogu që rrjedh nga një harmoni skenike e mrekullueshme e Albert Finney me Audrey Hepburn, e bëjnë ‘Two for the Road’ njërën nga komeditë më të këndshme romantike të viteve ‘60ta. Nota personale: 4/5