Filma

War for the Planet of the Apes (2017) – Recensim

Nga trilogjia e fundit të ‘planetit të majmunëve’ s’do të mund të dalloja aq lehtë cili nga filmat është më i mirë se tjetri. Dhe kjo është një dëshmi se në krahasim me franshizat e tjera, kjo e ‘majmunëve’ ka arritur të mbaj nivelin e cilësisë edhe pas tre filmave, e do të duhej të vazhdonte edhe tutje. Sigurisht do të ketë vazhdim të katërt.

Nuk është zor të ndjesh për kafshët nëpër filma. Kjo ndodh zakonisht në filma ku kafshët janë minimale, të vetmuara në një planetë njerëzisht. Këtu kemi të kundërtën – një planetë majmunësh me pak njerëz. Por, kur ke një Woody Harrelson në rolin kryesor të antagonistit, nuk është aq zor të kalosh në anën e shumicës.

Harrelson është i lindur për role të këtilla, që në masë të madhe ia ndihmon pamja e tij. Ngjashëm për role të karaktereve jonjerëzore moti kohë i përkryer ka qenë edhe Andy Serkis. Roli i Cezarit s’do të ishte ky që është pa të. Steve Zahn bën punë të mirë, ngjashëm siç bën edhe Toby Kebbell. Por, si gjithmonë meritat më të mëdha duhet të shkojnë për Matt Reeves.

Skenari i ‘War for the Planet of the Apes’ është i shtruar goxha mirë. Ndërtohet lehtë, pak ngadalë ndoshta, ama provon të marr hapa të sigurt dhe të qartë. Lë pak hapësirë edhe për shikuesin të lidh ca gjëra, por në fund merr punët në duart e veta dhe shkon drejt një finaleje fantastike. Kjo punë ka mundur të ishte edhe më e përkryer sikur të shkurtoheshin nja 20 minuta, pasi mbetet pak më i gjatë se që duhet.

Filmi i katërt nuk është i sigurt, por me rezultatet e mira financiare e edhe artistike, nuk duhet as të dyshohet, përkundër angazhimit të Matt Reeves në ‘The Batman’. Por, pa të, s’besoj që do ishte i suksesshëm një film i katërt. Deri atëherë ‘War for the Planet of the Apes’ mbetet në një nivel me filmat paraprak të trilogjisë. Nota personale: 4/5