TV Reviews

Westworld – Sezoni 2 (recensim pa spoilera)

Nëse dëshironi shpjegimin më të kompletuar të mundshëm, shkoni tek Collider – http://collider.com/westworld-timeline-explained/#1-week-later, dhe besoj që do të ju qartësohet gjithçka. Më poshtë do të jetë më shumë një mbulim sipërfaqësor, pa spoilera, pa shumë analiza (për të cilat sigurisht do të nevojiten shumë faqe e hapësirë, e mbi të gjitha kohë), më shumë filozofik se sa një recensim sezoni.

Sezoni i pari i ‘Westworld’ është mbyllur në mënyrë dramatike! Kulmi i ngjashëm ka arritur edhe në fund të sezonit të dytë, dhe vonesa prej një viti shtesë s’do të duhet të ishte problematike kur ofrohen kësisoj prodhime. E prodhimet si ‘Westworld’, kanë mundur të jenë shumë më lehtë të kapshme, të shpjegueshme, nëse do të vendosej një ‘fletushkë’ se në cilin vit jemi. Por, qëllimi është që shikuesi të lëshohet në momentin, të ngacmojë mendjen e tij, dhe vetvetiu të krijojë fantazinë e tij në lidhje me universin e ‘Westworld’.

Personalisht, kuptimi që ka shumë kohështrirje është maksimumi që jam thelluar në këtë seri. Nuk kam ndje nevojën të analizojë në detaje, e as artikullin e Colliderit nuk kam provuar ta lexoj (pos titujt e viteve)! Përkundër kësaj, Westworldi më ka dhënë kënaqësi të jashtëzakonshme në mos të them të gjitha episodet. Të kujton ndoshta ata proceduralët që kanë nga një rast për secilin episod, veçse këtu kemi temë shumë, shumë më të thellë!

Dhe tema kryesore është inteligjenca artificiale kundër njeriut! Sezoni i dytë shkon drejt një hakmarrjeje, e cila kalon nëpër faza të ndryshme! Dhe gjatë kësaj beteje, ngjashëm si një pjesë e karaktereve nga të dyja palët, edhe ne si shikues kemi mëdyshje të qartësojmë qëndrimet, që të zgjedhim anën! Më e mira çfarë të bëjmë është të shijojmë këtë seri që pos një skenari jo të lehtë për t’u shkruar besoj, ka një aktrim fenomenal! Pesëshja e rregullt – Thandie Newton, Evan Rachel Wood, Jeffrey Wright, James Marsden, e Ed Harris janë në krye të detyrës në çdo episod, pa lënë as të madhin Anthony Hopkins me Tessa Thompson e Shannon Woodward të cilat mbesin pak në plan të dytë në shumicën e episodeve, por aspak jashtë temës!

E me aktrimin, vjen fotografia e mahnitshme, tejkaluar vetëm nga muzika e Ramin Djawadit. Është një produkt i përkryer kinematografik. Një produkt që mund të shijohet edhe pa analiza të thella, pa matematikë! Nota personale: 5/5

Kiksuya tohanji wa-kta un henana!