Filma

What We Did On Our Holiday (2014) – Recensim

Në jetë ka gurë të mirë dhe kur të këqij. Njërin nga gurët e mirë, Erikun, Xhes vendos ta merr me vete në çantë në pushimet tek gjyshi. Doug dhe Abi janë një çift i divorcuar që do të mblidhen së fundmi me dy bijat dhe të birin për pushime familjare – në fakt ditëlindjen e 75të të gjyshit.

Karakteri i gjyshit vjen nga legjendari Billy Connolly. Goja e tij me fjalë plotë të ndyra është më e matur në këtë film që sjell atë në shoqëri të fëmijëve për pjesën më të madhe të aktrimit. Por, para se të arrijmë tek Gordie (Connolly), familja e Doug dhe Abi që jetësohen nga Doktori David Tennant dhe e mahnitshmja Rosamund Pike kanë për të kaluar një udhëtim të zakonshëm për një familje të çrregullt me fëmijë si Xhes e cila të kënaq me tregimet për gurët e mirë dhe të këqij, si dhe Mikin që është vëllai ‘origjinal’ i saj, dhe Loti që aktron si vajza më e madhe e familjes, njëherit edhe më e mençura.

Ndërkohë Gordie është pranë liqenit duke kaluar kohën me nipin tij tjetër më të madh, të talentuar, por edhe të kufizuar nga prindërit e tij rigoroz. Këtu hyn në punë gjyshi i cili shtyn nipat dhe mbesat të thyejnë kufijtë e prindërve dhe shoqërisë.

Jashtëzakonisht interesante është pjesa e karakterit të Connollyt dhe fëmijëve që jep mësime jete për kohët e tashme ‘moderne’, duke ngacmuar shoqërinë dhe rendin e ri shoqëror.

Filmi vjen me skenarin dhe regjinë e Andy Hamilton dhe Guy Jenkin që si përvojë ju figuron kryesisht puna televizive me tituj si ‘Outnumbered’ dhe ‘Ballot Monkeys’. Është një skenar mirë i përpunuar, komikë për pjesën më të madhe të filmit, porse arrin një pjesë kah mesi që ‘errëson’ pak komedinë e cila megjithatë mbetet e pranishme për tu ringjallur në jehonën e saj fillestare për një përfundim të këndshëm.

Më ka pëlqyer skenari që është goxha interesant, si dhe aktrimi i të mëdhenjve – Pike, Tennant, e sidomos Connolly të cilët pothuajse mbesin në hije të fëmijëve që të kënaqin me paraqitjen e tyre.

Është film i këndshëm familjar, jo shumë i gjatë, për tu mos u humbur nga fansat e filmave britanik, me ngjyra të bukura – peizazhe të këndshme. Nota personale: 5/5