Filma

Whiplash (2014) – Recensim

Filmi nis me një rënie ritmike të daulleve që shumë shpejt shndërrohet në një ritëm që përshkruan tërë trupin për të përfunduar në lëvizjet ritmike të kokës. E gjithë kjo vjen vetëm si audio me një errësirë të pafund përballë. Me të përfunduar ritmi, në fund të errësirës shfaqet Miles Teller në përgatitje për të nisur shfaqjen e tij. Kur fillon shfaqja, me rritjen e ritmit, afrohet edhe kamera e cila sikur fshehurazi i afrohet karakterit të Teller – Andrew, duke na vendosur në perspektivën e karakterit tjetër kryesor në film, atë të JK Simmons – Fletcher. Menjëherë pas përfundimit të kësaj skene, Damien Chazelle, debutues në regjinë e filmave të gjatë, na njofton edhe me dy karaktere tjera ndihmëse, interesin dashuror të Andrew, Nicole; dhe babanë e tij – Jim.

Tani, jemi gati të notojmë në njërin nga filmat më të mirë të bërë kohëve të fundit. ‘Whiplash’ që vjen në regji dhe skenar të Damien Chazelle, sjell një betejë të dy karaktereve kryesore polare, harmonia e të cilëve në skenë është e mrekullueshme. Andrew dhe Fletcher, nisin një tregim mbresëlënës, i cili është i mbushur me brutalitet dhe torturë përgjatë 100 minutave. Dhe, gjatë gjithë këtyre minutave kjo torturë dhe ky brutalitet nuk do të ushtrohet vetëm në Andrew, por edhe në vet neve si shikues. Kjo do të na bëj të lidhemi emocionalisht me Miles Teller, të cilin me kalimin e kohës edhe do ta urrejmë, pastaj do të ndihemi keq, për të rifilluar përsëri të njëjtin cikël. Emocione të kundërta, por gjithashtu në cikël do të kemi edhe me karakterin e Fletcher.

Fletcher na kujton mësuesit, profesorët e rreptë, të cilët shumica nga ne i quajnë ‘komunistë’ (sikur të jetë një fjalë ofenduese). Pa marr parasysh karakterin e tij, aktrimi i JK Simmons ia humb ‘negativitetin’ Fletcherit, më saktë e humb atë urrejtjen që shikuesi do të duhej ta kishte ndaj tij. JK Simmons është i mahnitshëm, fenomenal, si në dialog, ashtu edhe në mimikë. Ai sjell një karakter më ndryshe se më i miri i tij që e kam parë deri më tani, tek ‘Juno’. Një karakter të ngjashëm e ka edhe tek ‘Men, Women & Children’. Derisa Simmons vjen në rolin e antagonistit, Teller vjen në rolin e presë së Simmonsit. Është edhe një film ku dëshmon për talentin e tij, dhe aftësinë për tu dëshmuar edhe në filma artistik, serioz.

E pos aktrimit, faktor tjetër në madhështinë e këtij filmi, është Damien Chazelle. Ai vjen në mesin e filmave më të mirë të vitit, ngjashëm si Benh Zeitlin para dy vite me ‘Beasts of the Southern Wild’. Si fillestarë në mesin e më të mirëve, Chazelle vjen me merita në të gjitha aspektet e filmit. Regjia është e mrekullueshme, me këndet e skenave për mrekulli, kamerën që herë na fut në mes të ‘flakës’, herë na vendos në perspektivën e ndonjërit nga karakteret (edhe pse kjo më radhë). Ndërkohë, skenari është i realizuar për qejf. Dialogët janë të lezetshme, duke lëvizur me volum të butë në skenat kur nuk e kemi Simmons, dhe me volum e emocion të ngritur kur kemi Simmonsin. E në fund, me vete do të merrni edhe disa thënie të mençura nga ky film, pos gjithë bukurisë artistike.

‘Whiplash’ – i përkryer. Nota personale 5/5.