TV Reviews

Who Is America – Sezoni 1 (pa spoilera)

Ali G, Borat, Bruno, General Aladeen, janë rolet të cilat varësisht prej kohës kur jeni njoftuar me Sacha Baron Cohen, ju kanë mbetur në memorien e një teleshikuesi. Përgatituni për role tjera!

Në shtatë episode tek seria ‘tallumentarit’ (‘dokumentar tallës’ sepse pak është kopiluar gjuha shqipe deri sot), ‘Who Is America’, Sacha Baron Cohen sjell edhe gjashtë karaktere të reja me të cilat iu sjell amerikanëve disa nga yjet dhe politikanët për të cilët kanë shpenzuar votë, para, dhe mbi të gjitha kohën e tyre.

Billi është një ithtar djathtak i konspiracionit dhe përkrahës i Trumpit. Dr. Nira është e kundërta e Billit, një majtist ultra-liberal. Rik është një ish-i burgosur britanik i cili pas daljes nga burgu provon të gjejë punë në art, muzikë, e kuzhinë. Erran është një ekspert anti-terrorist nga Izraeli. Gjio është disenjator italian. Dhe OMGWhizzBoyOMG! është një youtuber finlandez.

Secili nga gjashtë karakteret e Sacha Baron Cohen thumbon një pjesë të shoqërisë amerikane, duke shtyrë disa nga ta të shkojnë edhe në ekstreme të papritura të cilat janë zor të besueshme si të vërteta. Me budallallëkun e disa prej të intervistuarve është e pabesueshme të mendosh se nuk ka skenar. Nuk tentoj të zhvlerësoj punën e Cohen, por ashtu do të ju duket. Përkundrazi, një kohë e gjatë me kulturën e tyre virtuale nuk do të habit me asnjërin nga karakteret.

Është një koment që mund ta gjesh në përmbledhjet e episodeve – ‘shpresojmë që të huajt mos të shohin këtë!’ Nuk është pamja ëndërrimtare e Amerikës. Është pjesa tjetër e Amerikës, ajo që nuk vjen në seritë televizive e filmat artistik. Është Amerika ‘pa makijazh’, të cilin e përdor Cohen derisa shkon përtej kufijve të mundshëm. Tepër eksplicit për dikë, tepër vulgar për dikë. Por, për të gjithë, tepër real. Nota personale: 5/5